Përfundon seanca për ish-ushtarët e UÇK-së

Aktuale

Përfundon seanca për ish-ushtarët e UÇK-së

Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 07:48
Prokurorja dhe avokati i Veselit

(E plotësuar 15:04) - Përfundon seanca për ish-ushtarët e UÇK-së

Ka përfunduar seanca e radhës paragjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare. Përpara se gjykatësi ta mbyllte këtë seancë, palët i kanë dhënë propozimet e tyre për seancën e radhës, ndërsa avokatët e ish-krerëve të UÇK-së kanë zgjedhur pak fjalë të mirë për Gjykatën Speciale, pas shumë vërejtjeve që i parashtruan sot.

Prokuroria ka propozuar që në fillim të marsit të ketë një tjetër seancë paragjyqësore në këtë çështje.

“Ne inkurajojmë mbikqyrjen aktive të procesit paragjyqësor dhe do ta mirëprisnim një konferencë të tillë në fillim të marsit”, ka thënë prokurorja e ZPS-së.

Prokurorët e Speicales

Ndërkaq Ben Emmerson, avokat i Kadri Veselit, ka thënë se duhet ndërhyrje e fortë gjyqësore në këtë proces, derisa ka propozuar që seanca e radhës të mbahet edhe më vonë sesa pas katër javësh.

“Kërkohet kohë, sepse duhet përkatitur dhe nuk di nëse duhet t’i mbajmë këto konferenca çdo katër javë. Mbase do të ishte më mirë çdo gjashtë javë”, tha Emmerson.

“Për momentin duhet një ndërhyrje e fortë gjyqësore për t’u siguruar që procesi të vihet në rrugën e duhur. Prandaj, edhe unë jam me Prokurorinë që të mbajmë një konferencë tjetër në fillim apo në mes të marsit”, shtoi ai.

Ndërsa David Hooper, avokat i Hashim Thaçit tha se këto konferenca duhet të mbahen për sa kohë “Prokuroria po i shmanget rrugës së drejtë”.

“Për sa kohë Prokuroria po i shmanget rrugës së drejtë, ne duhet t’i mbajmë këto konferenca”, tha ai.

Ndërkaq David Young, avokat i Rexhep Selimit, tha se “mesi i marsit do të ishte me vënd” që të mbahet seanca e radhës.

Hooper, avokat i Thaçit, tha në fund se ka diçka pozitive për të thënë lidhur me Gjykatën Speciale.

“Dua të them diçka pozitive lidhur me Dhomat e Specializuara. E falenderoj zyrën e administratës që na ka ndihmuar vazhdimisht sa herë që ne kemi pasë ndonjë kërkesë. Ne e kemi ngritur me këtë zyrë vështirësinë që kemi për t’i marrë këto materiale”, tha ai.

Të njëjtën e bëri edhe Ben Emmerson, avokat i Kadri Veselit.

“Dua edhe unë të mbështes komentet e Z.Hooper. [..] Ne kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyeshme me këtë zyrën e administratës, që ka bërë gjithçka që ka mundur që mbrojtja ta marrë materialin e nevojshëm”, tha Emmerson.

Gjykatësi Nicolas Guillou tha se seanca e radhës paragjyqësore do të mbahet “kur të jetë koha e duhur”, ndërsa i inkurajoi palët që të bëjnë parashtrime me shkrim për çfrëdo që kanë. 

***

Në Hagë është duke u mbajtur konferenca e tretë mbi ecurinë e çështjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Krasniqi në fjalën e tij iu lut kryeprokurorit Jack Smith që të mos flasë në emër të Kosovës dhe “të bëhet mbrojtës i gjenocidit serb nëse i duhet të flasë për krimet e pretenduara”.

“Pas luftës çlirimtare kam qenë në të gjitha legjislaturat deri më 2014 përfaqësues i të gjithë qytetarëve. E kisha lutur prokurorin që nëse duhet të flet në emër të krimeve të pretenduara, të bëhet mbrojtës i politikave të krimit dhe gjenocidit që regjimi i Serbisë ka përdorur ndaj kombit që nga viti 1876.

Prandaj në emër të populli, kombit, luftës dhe sakrificave, flasim ne, përfaqësuesit e tij dhe jo ata që tentojnë ta dënojnë luftën shumëvjeçare dhe me theks të veçantë luftën e fundit, për çka kombi unë dhe ne vet e kemi fituar mbështetjen ndërkombëtare”, ka thënë Krasniqi.

Prokuroria kërkon që dorëzimi i dosjes të lidhet me datën e gjykimit, reagon avokati i Thaçit

Prokurori i Zyrës së Prokurorit Special, Jack Smith ka kërkuar që dorëzimi i dosjes paraprake të lidhet me datën e gjykimit si dhe të mos ketë hapësirë mes këtyre, pasi rrezikohen dëshmitarët.

Smith tha se janë për një gjykim sa më të shpejtë.

“Në çështjen e dosjes paraprake, nëse ndahet baza nga gjuha kërcënuese që është përdor nga mbrojtja, e them që dy herë e ka përdorur Emmerson këtë. Kjo gjykatë ka dhe konsiderata të tjera se kur caktohet data e fillimit të gjyqit dhe dorëzimi i dosjes paraprake. Realiteti i frikësimit të dëshmitarëve dhe është fakt që ka një hendek të madh midis dorëzimit të dosjeve pasi kjo do t’i rrezikoj dëshmitarët dhe kjo është e vërteta për të cilën nuk është folur. Ka masa mbrojtëse por nuk e eliminojnë rrezikun komplet dhe nëse lehet kohë nga momentin i dorëzimit të dosjeve dhe fillimit të datës së gjykimit nuk do t’i shërbenim këtyre dëshmitarëve. Procedurat këtu janë strikte për dallim nga gjykatat tjera. Data e dorëzimit të dosjes duhet të lidhet me datën e fillimit të gjykimit. Historia përkufizon të ardhmen”, ka thënë Smith.

Ai po ashtu tha se kjo gjykatë duhet të veproj më mirë sa i përket interesave të viktimave dhe dëshmitarëve.

Smith po ashtu përmendi edhe alokimin e 20 milionë eurove nga Qeveria e Kosovës, për mbrojtjen e për mbrojtjen e të akuzuarve.

Ndërsa, avokati i Hashim Thaçit, David Hooper, tha se objektivi i tyre është që përmes dokumenteve që posedon prokuroria të nxjerrin informacione më të detajuara për rastin që janë duke mbrojtur.

Hooper tha se nuk është qëllimi i tyre që të shtyjnë datën e fillimit të gjykimit.

“U gëzova shumë kur na ngritën kartonin e verdhë për të gjithë ne dhe që përmenden datën e gjykimit, dhe çohet Smith për të bërë një faull për të gjithë ne. Ai po drejton zyrën e punës së vet, por nëse do kishte më shumë fokus do ta ndihmonte më shumë. Ai mendon se sistemi i nxjerrjes së materialeve është sistemi më i mirë i mundshëm. Por nëse do ta vendoste veten në pozitën tonë do ta kuptonte shumë mirë. Sot kemi folur për një mënyrë se si ta balancojmë, jo për objektivin për ta shtyrë datën e gjyqit, por thjesht që të nxjerrim informacionin. Na ka mbetur vetëm kjo tabelë për të na ndihmuar që të nxjerrim informacionin që na duhet. Prokuroria siç e dëgjuam e kundërshtoi këtë”, ka thënë mbrojtja e Thaçit.

Hooper tutje shtroi pyetjen se pse mos të ju dorëzohet dosja paraprake për dhënien e informacioneve.

“Pse atëherë mos të dorëzohet dosja paraprake dhe nuk e kuptoj këtë lidhjen e dosjes paraprake me fillimin e datë së gjyqit. Nuk do t’i hyj çështjes së ngritur nga prokuroria ‘frikësimit të dëshmitarëve’, pasi është më shumë një slogan nga ana e tyre. Jam mirënjohës që ju gjykatës ngritët kartonin e verdhë për fillimin e datës së gjykimit. Nuk bëhet fjalë për diskutimin e datës së gjykimit”, tha ndër të tjera avokati David Hooper. 

***

Ben Emmerson, avokat i ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pasur një ‘debat’ të zjarrtë në seancën e sotme paragjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Mospërcaktimi i një datë nga ZPS për dorëzimin e dosjes paragjyqësore nga ana e Prokurorisë e ka bërë nervoz avokatin e Veselit, i cili ka thënë se “Prokuroria ka humbur nga sytë objektivin kryesor, që është t’i jepet mundësia mbrojtjes ta kuptojë çështjen”.

Emmerson, figurativisht ka thënë se gjykatësi Nicolas Guillou “duhet ta nxjerrë kamxhikun”, për të bërë që Prokruroia ta kryejë punën e saj.

“Kam frikë se është e nevojshme që një gjykatës ta nxjerrë kamxhikun dhe ta qëllojë Prokurorinë në këtë rast për ta bërë punën e saj, sepse ata kanë pasur 5 vjet për ta përgatitur çështjen”, tha Emmerson.

Ai tha se përderisa s’e kanë në dorë çështjen, s’mund të bëjnë asgjë për t’u mbrojtur.

“Kur të kemi dosjen në dorë, ne mund të themi konkretisht se çfarë mund të bëjmë ne lidhur me këtë”, tha Emmerson. “Do të ishte mirë që të na jepni mundësinë të planifikojmë një datë për gjykimin. Pa u bërë kjo, ne po presin dhe nuk po bëjmë atë që duhet”, shtoi ai.

Në kundërpërgjigjje, kryeprokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Jack Smith tha se Emmerson po përdor gjuhë kërcënuese.

“Gjuha inflamatore po përdoret dhe kërcënimet. Dy herë Z. Emmerson e ka bërë sot këtë. Gjykata duhet t’i shikojë faktet dhe ligjin”, tha Smith.

Paraprakisht, një prokurore e ZPS-së tha se “Është e pasaktë që Prokuroria nuk e parashtruar çështjen e saj”. Ajo tha se kjo është bërë në aktakuzë.

“Lidhur me kohën se kur do të dorëzohet dosja paraprake, do ta trajtoj këtë çështje kur të jetë pikë e rendit të ditës”, tha ajo.

***

Në Gjykatën Speciale në Hagë po mbahet seanca e radhës paragjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ka pasur shumë vërejtje nga ana e avokatëve.

Ben Emmerson, avokat i Kadri Veselit, ka thënë se është qesharake data e parashtruar nga Prokuroria për fillimin e gjykimit, ndërsa ka thënë se për këtë duhet të ndërhyjë gjykata. Ai ka thënë se do të kenë vështirësi si mbrojtje, në rast se gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së fillon në shtator, ashtu siç ka propozuar Prokruroria.

“Keni dhënë deklaratë qesharake për fillimin e gjykimit”, tha Emmerson. “Gjykata duhet të ndërhyjë dhe ta pyes Prokruroinë se pse po ua bën mbrojtjes kaq të vështirë mbrojtjen e saj”, theskoi avokati britanik.

Ai tha se data e fillimit të gjykimit duhet të caktohet vetëm pasi të jenë marrë parasysh edhe deklaratat e mbrojtjes.

“Data e gjykimit do të jepet pasi janë marrë parasysh deklaratat e mbrojtjes”, tha Emmerson. Ai shtoi se “Prokruroria po përpiqet ta shmangë dhe ta nxjerrë nga rruga mbrojtjen, që të mos përgatitet si duhet”.

“Z.Emmerson, e tham se është shumë herët për ta ngritur datën e fillimit të gjykimit”, ndërhyu gjykatësi Nicolas Guillou, duke ia dhënë fjalën prokurores.

Prokurorja tha se Emmerson po flet gjëra të pasakta, ndërsa tha se parashtrimet e tij janë vetëm çështje retorike.

“Mbrojtja e Z. Veseli foli për elemente shumë të përgjithshme… Kjo është e pasaktë. Është fakt që parashtrimet e mbrojtjes së Z. Veseli janë veçse çështje retorike”, tha prokurorja.

Tutje, ajo tha se kjo nuk duhet të tolerohet nga gjykatësi Nicolas Guillou.

“Kjo është çështje që e kemi dëgjuar nga mbrojtja e Z. Veseli dhe kjo nuk duhet të tolerohet nga kjo Gjykatë”, tha prokurorja.

Në kundërpërgjigjje, avokati Ben Emmerson tha se ai nuk po i drejtohet vetëm një personi brenda Prokurorisë.

“Dua të sqaroj diçka. Mund ta merrni edhe si sulm, por parashtrimi im nuk është se i drejtohet një personi individual brenda Prokurorisë”, tha Emmerson. 

***

 Avokati i Veselit: Gjykatës, ju e dini, s’ka asnjë fije prove kundër tij

Ben Emmerson, avokat i ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pasur po ashtu vërejtje për materialet që po i nxjerrë Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Emmerson ka thënë se po detyrohen që të analizojnë shumë materiale të Prokurorisë, të cilave është e vështirë t’u gjendet lidhja.

“Pse na duhet ne ta ndërtojmë çështjen e Prokurorisë që të fillojmë hetimet tona”, tha avokati britanik.

Ai përmendi një material, ndërsa i tha gjykatësit Nicolas Guillou se edhe ai vetë “e di se s’ka prova”.

“Ju i nderuari gjykatës, e kuptoni nga analiza e provave që pretendimet e materialit kundër Kadri Veselit janë shumë të dobëta. Bazohet në prova që nuk ekzistojnë”, tha Emmerson.

“S’ka asnjë fije prove kundër tij”, theksoi avokati.

***

Avokati i Thaçit: Janë 124 dëshmitarë për të cilët nuk po jepen detaje

shtë duke u zhvilluar seanca gjyqësore lidhur me rastin e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi të akuzuar kinse për krime lufte në Kosovë.

Gjatë kësaj konference në kuadër të Speciales, avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, David Hooper deklaroi se kërkon që të trajtohen disa çështje të cilat po u shfaqin probleme mbrojtjes.

Sipas tij ka probleme sa i përket materialeve gjë kjo e cila po u pengon atyre të trajtojnë çështjen sic duhet.

“Unë do ti kërkoj që të trajtojë këto çështje, kur them çështje e kam fjalën për ato që ngritët ju.Ka një grup çështjesh të lidhura, të lidhura në pikën një deri mbase tek përkthimi, deri tek rregulla C. Në lidhje me nxjerrjen e materialeve ka pasur disa vështirësi konkrete të cilat kryesisht janë trajtuar nga SPS-ja, kur u vu në dukje, por mbetet ai që unë e quaj problem të përgjithshëm. Mënyra se si sistemi me anë të cilit nxirren materialet nuk është i dobishëm , pra mund të them se nga sistemet e nxjerrjes së materialeve me të cilën kemi punuar në gjykatat e tjera ky sistem këtu është më pak i dobishmi dhe është problem, sepse mënyra se si bëhet nxjerrja zbulimi i materialeve dhe ndihma që mund të marrësh nga materialet e tilla, sidomos në materiale të shumta, ky sistem duhet të jetë si një udhërrëfyes për të ndihmuar mbrojtjen, për të marrë materialet e për të kuptuar çështjen”, tha  Hooper.

Tutje ai theksoi se në këto raste ka 124 dëshmitarë të që shumica prej tyre njihen me pseudonime, por që nuk janë dhënë përmbledhje lidhur me ta.

“Në fund për ti trajtuar dhe për të vendosur përparësitë e saj lidhur me hetimet që do të zhvillohen. Në këto raste ka 124 dëshmitarë që janë bërë të njohur shumica e tyre siç e dini me pseudonime, nuk na është dhënë ndonjë detaj, nuk kemi as edhe pesë rreshta lidhur për çfarë do të diskutojnë këta dëshmitarë. Asnjë dëshmitarë nuk është bërë i ditur bashkë me provat shoqëruese, sepse kur ka një dëshmitarë duhet të ketë dhe prova që lidhen me ata dëshmitarë e jo të na lihet ne të lidhim dëshmitarin me dokumente të caktuara.Mungojnë hollësitë në lidhje me materialin, mungojnë hollësitë dhe SPS-ja vazhdon të veprojë kështu sepse kështu e thonë në argumentet e tyre.Mungojnë tabelat lidhëse e janë disa pika që kur bëhen bashkë krijojnë problem. Sa i përket hollësive dua t’ia kalojë fjalën Sofisë”.

***

Në Gjykatën Speciale në Hagë ka filluar konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes në rastin e katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Fillimisht, gjykatësi Nicolas Guillou paraqiti agjendën e kësaj konference, ndërsa një prokurore e Zyrës së Prokrurit të Specializuar, tregoi të rejat e fundit lidhur me materialin akuzues dhe atë shfajësues, ndërsa foli edhe për dëshmitarët që do t’i përdorin gjatë gjykimit.

“ZPS-ja vazhdon të përmbush rregullat e veta lidhur me materialin”, tha prokurorja. “Ne po përgatisim nxjerrjen e materialeve të tjera. Parashikojmë se nxjerrja e disa materialeve mund të kërkojë masa mbrojtëse”, shtoi ajo.

Prokurorja po ashtu foli edhe për dëshmitarët, shumë nga të cilët tha se do të përdoren gjatë gjykimit kundër ish-krerëve të UÇK-së.

“Nuk është përfcaktuar nëse ne do t’i përdorim këta persona në gjyq. [..] Parashikohet që shumica e madhe e këtyre dëshmitarëve do të përdoren në gjyq. Jemi në proces, dëshmitarët dhe procat e tyre do t’i bëjmë të njohura kur të vijë koha”, tha ajo.

Para kësaj konference, Zyra e Prokurorit të Specializuar, përmes një parashtrese drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka kërkuar sërish që fillimi i gjykimit të jetë në shtator të vitit 2021.

***

Ka filluar seanca gjyqësore në drejtim të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në kuadër të Gjykatës Speciale në Hagë.

Kjo seancë njihet ndryshe si konferencë e tretë për statusin e palëve.

Por në këtë seancë të radhës nuk janë të pranishëm asnjëri nga ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake deklaroi se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi nuk janë të pranishëm në sallë, por që ata kanë mundësi ta ndjekin seancën përmes lidhjeve me kamerë.

Avokatët dhe prokuroria do të bëjnë shqyrtimin e çështjes dhe do të diskutohen disa prej temave që lidhen me këta të fundit.

***

Ka filluar konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, e paraparë me rregullën e Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara.

Kjo është seanca e tretë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj ish krerëve të UÇK-së.

Ndryshe, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi ishin arrestuar dhe dërguar në Hagë në fillim të muajit nëntor. Aktakuza ndaj tyre është e përpiluar në 236 faqe. 

***

***

Gjykata Speciale ka bërë të ditur se seanca ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, do të mbahet më 16 shkurt në ora 11:00.

Ndryshe, sa i përket seancës për Salih Mustafën, javën e kaluar ka pasur zhvillime.

Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, Nicolas Guillou, e ka marrë vendimin e parë lidhur me pjesëmarrjen e viktimave në procesin gjyqësor ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Katër persona janë paraqitur si viktima dhe kanë aplikuar përmes postës elektronike për t’u bërë pjesëmarrës në procesin gjyqësor kundër Mustafës.

Tre nga personat që u paraqitën si viktima vijnë nga e njëjta familje, thuhet në raportin që Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave ia ka dorëzuar gjykatësit Nicolas Guillou.

Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave thotë se aplikantët s’kanë paraqitur dokumentacionin e nevojshëm që kërkohet nga kjo zyrë.

Gjykatësi Nicolas Guillou ka vlerësuar se viktimat e paraqitura kanë përshkruar akte që s’kanë lidhje gjeografike dhe kohore me krimet për të cilat akuzohet ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa.

Zyra që merret me viktimat thotë se aplikuesit s’kanë kërkuar masa mbrojtëse, me përjashtim të njërit, që ka kërkuar që informacioni i tij identifikues të mos zbulohet për publikun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat