​Prokuroria Speciale heton disa vota nga diaspora

Aktuale

​Prokuroria Speciale heton disa vota nga diaspora

Më: 22 shkurt 2021 Në ora: 16:11
KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për rinumërimin e 494 vendvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Kjo për shkak të mospërputhjeve të të dhënave ndërmjet kandidatëve për deputetë dhe subjektit politik, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Ndërkohë, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka bëri të ditur se Prokuroria Speciale ka bërë hetime për disa nga votat e diasporës. Kjo nxiti një përplasje të re, ndërmjet saj dhe anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë institucion, Sami Kurteshi, i cili e quajti Dakën injorante.

Kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, derisa i renditi arsyet për rinumërim, tha se këto vendvotime nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta.

Ai krahas kësaj bëri të ditur se në votimin përmes postës, deri më tani janë hapur 19 mijë e 168 pako të supozuara me fletëvotime, prej të cilave janë aprovuar 22 mijë e 326 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 9 mijë e 49 zarfe me fletëvotime.

Ahmetaj: Numër i madh i vendvotimeve është kur kandidatët kanë më shumë vota se partia

“Në bazë të të gjeturave është bërë klasifikimi i mospërputhjeve të formularëve të rezultateve. Pra të gjitha të gjeturat i kemi formuluar në katër grupe. Grupi i parë ka të bëjë me gabimin e bartjes së votave në formularët e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve. Janë 35 vendvotime që nuk kanë mundur të kalojnë auditimin. Një numër i vendvotimeve nuk kanë mundur procesohen si të rregullta dhe për arsyen se në formularët janë bartur votat gabimisht tek subjektet tjera. Kategoria e dytë është gabim në bartjen e votave tek formularët e kandidatëve. Rezulton se janë 6 vendvotime me probleme teknike të cilat në gjendjen si janë nuk mund të procesohen në bazën e të dhënave, pasi votat janë të paqarta. Nuk janë shënu në mënyrë të qartë. Kategoria e tretë që ka numrin më të madh të vendvotimeve është kur kandidati ka më shumë vota, se sa subjekti. Nga të gjeturat rezulton se janë 370 vendvotime në të cilat një kandidat ka më shumë vota se subjekti. Për këtë është rekomandimi të ketë rinumërim të plotë. Rekomandimi i katërt është kur subjekti ka vota e kandidatët nuk kanë vota dhe anasjelltas”, tha ai.

Kritika Ahemtajt i adresoi, Sami Kurteshi, i cili tha se ka zvarritje të punës në QNR.

Kurteshi: Pse gjithë kjo zvarritje

“Prej të premtes salla në QNR rrinë e qetë, tavolinat janë të qeta, nuk futet vendvotimet për rinumërim. Pse gjithë kjo zvarritje, pasi ka mundur të premten të shtunën të dielën të bëhet rinumërimi, e sot kishin mbetur 100-apo 50 kutitë e fundit. Ndërsa ne sot e fillojmë dhe për katër ditë e shtyjmë rinumërimin, pa asnjë nevojë pasi kanë qenë të rekomanduar nga auditimi”, tha ai.

Ani pse bëri të ditur se Prokuroria Speciale ka bërë hetim për disa vota nga diaspora, Daka nuk shpalosi detaje të tjera lidhur me këtë.

Daka: Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë një hetim për disa vota nga diaspora

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë një hetim për disa vota nga diaspora. Përderisa ajo nuk del me njoftim, konsideroj se edhe unë nuk mund të dalë me njoftim pasi nuk mund të përzihem në hetimet që janë duke u bërë”, u shpreh ajo.

E mungesën e informacioneve për këtë hetim të Prokurorisë Speciale, Sami Kurteshi ia adresoi Valdete Dakës.

Kurtesh-Dakës: Kjo është injorante dhe nuk dinë me bo dallimin çka është kryetare dhe kryesueses

“Kur është çështja e marrjes së përgjegjësisë ju keni deklaruar r që KQZ-ja është turp kolegjial, nuk marrë vendime vet. Kur është çështja tek titullari i informatave që duhet t’i dinin anëtarët e KQZ-së nuk është më trup kolegjial...Kjo kryesuese që i thotë vetit kryetare, nuk është kryetare, sepse kjo është injorante dhe nuk dinë me bo dallimin çka është kryetare dhe kryesueses”, deklaroi ai.

Krahas këtyre, anëtarët e KQZ-së ngritën shqetësimin edhe për votat e komuniteteve boshnjake dhe rome në zonat veriore.

Lidhur me këtë, anëtari i komunitetit ashkali në KQZ-së, Artan Asllani tha se duhet të ketë rinumërimi në vendvotimet e ku ka fituar komuniteti romë.

Asllani: Kam prit rinumërime në vendvotimet e komunitetit romë

“Kam pritë që në shumë vendvotime ka me pas rinumërim, sidomos ato vende që ka marrë vota komuniteti romë. E ceki më herët Samiu dhe Ibrahimi për çështjen shqetësuese sidomos për komunitetin ashkali duke e ditë që vazhdimisht në të gjitha legjislaturat, komuniteti ashkali i ka pasur dy ulëse në Kuvend, për arsye të njëjta të zgjedhjeve 2019 dhe 2021 komuniteti ashkali penalizohet dhe humbë një ulëse në parlament. Unë vazhdimisht kam thënë që është e pamundur katër parti të romëve me i mbledh ka 1000 nënshkrime, e të cilat bëjnë 4000 sosh duke e diture përbërjen e komunitetit dhe qysh jetojnë e sa kanë drejtë vote”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat