Deklarohet Isa Mustafa, pas akuzave se po synohet të zgjidhet një kryetar klanesh në LDK

Aktuale

Deklarohet Isa Mustafa, pas akuzave se po synohet të zgjidhet një kryetar klanesh në LDK

Më: 4 mars 2021 Në ora: 13:50
Isa Mustafa

Kuvendi zgjedhor i 14 marsit pas disfatës në zgjedhjet e shkurtit do të jetë një prej proceseve më të rëndësishme nëpër të cilin do të kalojë Lidhja Demokratike e Kosovës. Teksa afron dita kur do të caktohet kryetari i ri, tensionet sa vijnë e shtohen. Ndër njerëzit që po atakohet më së shumti në prag të këtij procesi është kryetari në dorëheqje i partisë, Isa Mustafa. Nga brenda partisë e ish-zyrtarë të LDK’së po e akuzojnë atë se do të tentojë të dirixhojë zhvillimet më 14 mars me qëllim të zgjedhjes së një kryetari që Mustafa dëshiron. Për këtë, Mustafa thotë se akuzuesit duhet të japin argumente e dëshmi.

Kryetari në dorëheqje i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se në krye të ekipit për përgatitjen e procesit zgjedhor do të jetë Arban Abrashi, sekretar organizativ i partisë.

Derisa për ata që po e akuzojnë për procesin e brendshëm zgjedhor ai ka kërkuar që t’i argumentojnë dhe dëshomojnë akuzat e tyre.

“Kuvendi mbahet me datë 14 mars. Në krye të ekipit për përgatitjen e tij është sekretari organizativ i LDK-së. [Për akuzat] Pyetne ju lutem, atë që ka deklaruar. Le ta argumentojë ose le ta dëshmojë”, ka thënë Mustafa.

Pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare më 14 shkurt ku LDK-ja mori rezultatin më të keq në historinë e saj, nisën reagimet kundër Mustafës brenda partisë.

Që atë natë, ish-deputeti Adem Salihaj i tha kreut të partisë se është “njeriu më i neveritshëm i të gjitha kohërave”, “njeriu më i pa dinjitet” e “shkatërruesi i LDK-së”.

Të nesërmen, kur Mustafa e thirri mbledhjen e Kryesisë së LDK-së për t’i informuar anëtarët se do të japë dorëheqje nga pozita e tij në parti dhe e thirri mbledhjen e Kuvendit Zgjedhor për ta votuar kryetarin e ri, Salihaj tha se “dorëheqja e Isa Mustafës është tepër e vonuar.

Ai shtoi se Mustafa “po e lë LDK-në të shkatërruar, të poshtëruar e të fyer jashtë mase”, ndërsa theksonte se ai “e arriti qëllimin e tij”. “Lufta jonë tash duhet të bëhet që të mos na e lërë trashëgimtar ndonjë të përkëdhelur të tij, i cili do ta vazhdonte veprën e tij të keqe”, ka shkruar Salihaj në Facebook.

Salihaj nuk ka pritje të mira as për procesin e brendshëm zgjedhor në të cilin po hyn LDK-ja. Salihaj beson se Mustafa “po përgatitet për një puç të ri perfid”.

“Gabojnë të gjithë ata që mendojnë se Isa Mustafa nuk mund t’i bëjë më keq Kosovës apo LDK-së. Jam i bindur se ai po përgatitet për një puç të ri perfid, për ta vendosur në fron një njeri të tij, për ta vazhduar misionin e tij për shkatërrimin e mëtutjeshëm të LDK-së dhe të frymës rugoviste në Kosovë”, ka shkruar Salihaj të premten.

Pothuajse po këtë përshtypje e ka edhe zyrtari tjetër i LDK-së, Naser Rugova. Katër ditë pas zgjedhjeve, ai tha se ka përpjekje që kryesia ta imponojë një kandidat për kryetar të ardhshëm.

“Këto ditë, kryesia në dorëheqje po përpiqet ta imponojë kandidatin e vet për Kryetar të ardhshëm. D.m.th, përkundër katastrofës zgjedhore, akoma vazhdohet me idetë e klaneve dhe dallavereve. Kryetari i ri duhet të vijë vetëm nga baza dhe atë nëpërmes një gare vërtet demokratike, me shumë kandidatë dhe vetëm me votë të fshehtë”, ka shkruar Rugova.

Të mërkurën, Rugova ka insistuar se Isa Mustafa dhe njerëzit e tij po tentojnë ta sjellin në krye të LDK-së një kryetar klanesh.

“Kryetari i partisë apo një kryetar klanesh. Nga ajo që po shoh, kam frikë që Isa Mustafa me shokë po e synon këtë të dytën”, ka shkruar Rugova.

Të hënën ka reaguar edhe Melihate Tërmkolli, e cila paralajmëroi se s’do të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të LDK-së, ndërsa vlerësoi se po bëhet një manipulim i madh.

“Në fakt nuk është dorëheqje [e Isa Mustafës]. Është bërë manipulim i madh. Një anti-rugovian i madh… Është e çuditshme qysh këtë pazargji, kanë mundur ta mbajnë si kryetar të partisë për 10 vjet”, ka thënë Tërmkolli.

“Ajo kryesi duhet të tërhiqet dhe kurrë të mos duken në ato zyra. Në asnjë variant nuk do ta pranoj këtë proces, as s’do të jem pjesëmarrëse në një proces të tillë. LDK-së i duhen zgjedhje të mirëfillta, duhet të hyjë që nga nëndegët e të gjitha këto. LDK-ja duhet të caktojë një grup punues dhe ai mekanizëm ta udhëheq procesin zgjedhor, nga i cili do të dilte një produkt tjetër, e i cili mbase në një garë, do të mund të isha edhe unë”, ka thënë Tërmkolli.

Më 14 mars, 355 delegatë nga 38 degë të LDK-së nga të gjitha komunat do të mblidhen për ta dhënë votën e tyre. Atë ditë zyrtarisht do të dihet zyrtarisht kush janë kandidatët për kryetar. Në organin më të lartë të LDK-së, që e përbëjnë 355 delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve, plus kryetari i subjektit, në këtë rast Isa Mustafa, mund të kalojnë vetëm ato kandidatura që marrin fillimisht aprovimin e delegatëve.

Në mënyrë që të konfirmohet si kandidat për kryetar, secilit prej pretendentëve u duhet t’i marrin 50% plus një të votave të delegatëve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat