Albin Kurti për ditën e mësuesit përkujton Shaban Jasharin: U bë mësuesi i lirisë për bijat dhe bijtë e tij

Aktuale

Albin Kurti për ditën e mësuesit përkujton Shaban Jasharin: U bë mësuesi i lirisë për bijat dhe bijtë e tij

Nga: N. H Më: 7 mars 2021 Në ora: 14:59
Shaban Jashari

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka uruar të gjithë mësimdhënësit me rastin e festës së 7 marsit, përcjell “Bota sot”.

Kurti ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook, se personaliteti mësimdhënës mbart drejtpërdrejt fuqinë që i jep virtyti publik i shoqërisë sonë, dhe se mësuesi vjen menjëherë pas prindit.

Fituesi i zgjedhjeve ka kujtuar edhe mësuesin Shaban Jashari. Ai thotë se baca Shaban ishte edhe mësues integral sepse u bë mësuesi i lirisë për bijat dhe bijtë e tij.

Ja postimi i Kurtit:

Sot është dita e mësueseve dhe mësuesve tanë. Personaliteti mësimdhënës mbart drejtpërdrejt fuqinë që i jep virtyti publik i shoqërisë sonë. Mësuesi vjen menjëherë pas prindit. Sapo fëmija del prej ngrohtësisë së nënës, babait dhe vatrës, ka përpara vetes dhe bashkëmoshatarëve të vet një autoritet të ri të cilin e dashuron jo thjesht prej ndjenjës, por prej dijes. Në sytë e shkollarit mësuesi është përfaqësuesi i një jete që çelet përpara.

Le të kujtojmë sot figurën e mësuesit rezistent, luftëtar, dëshmor. Por edhe të rindjejmë e përkujtojmë atë vrull arsimues të Shaban Jasharit. Le ta rikujtojmë si mësuesi më i shpallur i bijve e bijave të tij. Mësues special ishte baca Shaban sepse u kthye në mësues për fëmijët e tij. Por baca Shaban ishte edhe mësues integral sepse u bë mësuesi i lirisë për bijat dhe bijtë e tij. Në këtë kuptim 7 marsi mund të marrë vlerën e vet më të plotë. Mësuesi nuk është ai që na sjell dijen abstrakte dhe vetminë, por virtytin publik të lirisë, deri edhe dijen e vetëmohimit në emër të hapjes së një epoke të re.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat