​Ramosaj kundër mbylljes: Të mos merret vendimi pa një debat paraprak

Aktuale

​Ramosaj kundër mbylljes: Të mos merret vendimi pa një debat paraprak

Më: 5 prill 2021 Në ora: 14:06
Bashkim Ramosaj

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj është kundër shtrëngimit të masave, të paralajmëruar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Sipas tij, kjo do të dëmtonte rëndë ekonominë e vendit, për çka thotë se do të duhej të bëheshin kalkulimet paraprake.

Në kohën kur në Kosovë janë rritur dukshëm shifrat ditore të të infektuarve me COVID-19, është paralajmëruar, se do të merret vendim që nga data 6 prill deri më 12 prill të mbyllen lokalet e gastronomisë dhe qendrat tregtare.

Por një gjë të tillë nuk po e sheh si zgjidhje kryetari i Deçanit, pasi sipas tij në ketë mënyrë do të dëmtohej rëndë ekonomia e vendit, përfshirë ekonomitë familjare dhe bizneset.

Ai thotë për KosovaPress se duhet të gjendet një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë, pa shkuar me mbyllje totale.

Ramosaj: Të mendohet si t’ju dilet në ndihmë ekonomive

"Çdokush që mendon të bëjë mbyllje totale dhe të shtojë numrin e masave apo t'i bëjë më rigoroze është dashur të kalkulojë në aspektin ekonomik. Kalkulimi në aspektin ekonomik është kur buxhetin e shtetit e vendos përballë pandemisë dhe menaxhimit me të, sepse është një kohë e gjatë që bizneset dhe ekonomitë familjare jo vetëm në komunën e Deçanit, por në tërë Kosovën nuk e kanë atë standardin që e kanë pasur më herët. Dhe, është dashur në aspektin ekonomik sesi me ju dal këtyre ekonomive familjare në ndihmë dhe bizneseve, pa të cilat nuk do të kishte kuptim as ky qytet e as shteti i Kosovës", thotë ai.

Megjithatë, ai shprehet i gatshëm të zbatojë vendimin që e merr Qeveria e Kosovës, qoftë edhe shtrëngimi i masave me mbyllje të gastronomisë për disa ditë.

Ramosaj: Vendimet që i marrin institucionet duhet të zbatohen

"Ne jemi përfaqësues të institucioneve dhe vendimet që i marrin institucionet ne duhet edhe t’i zbatojmë. Mirëpo, uroj që mos të vihet tek një vendim pa një debat paraprak dhe pa gjetur rrugëzgjidhje për menaxhimin e kësaj situate", thekson ai.

Sa i përket menaxhimit me pandeminë, Ramosaj thotë se deri më tash ia kanë dalë shumë mirë, porse rritja e numrit të personave të infektuar me virusin Sars-Cov-2 po shkakton vështirësi.

Ramosaj: Situata me pandeminë vështirë e menaxhueshme kur nuk ke mundësi buxhetore

"Jemi duke i zbatuar masat, jemi duke i bërë detyrat tona që na takojnë si komunë dhe edhe përkundër kësaj kemi një rritje të numrit që është shqetësuese. (ne fund) (Pandemia) është vështirë e menaxhueshme sepse kemi familje që janë edhe në skemën sociale, nuk e këqyr anën financiare, duke i prekur të gjithë, dhe është shumë e vështirë kur dikush të kërkon ndihmë dhe ti nuk i ke mundësitë buxhetore me i dalë në ndihmë. Kjo është ajo që në këtë kohë kur je menaxher i një situate të mundon më së shumti kur nuk ke mundësi buxhetore me i dalë dikujt në ndihmë", shprehet ai.

Sipas IKSHPK-së, gjatë javës së kaluar (29.03-04.04.2021) në komunën e Deçanit 56 persona kanë rezultuar pozitiv me sëmundjen Covid-19, 97 të tjerë janë shëruar plotësisht, ndërsa dy persona kanë ndërruar jetë si pasojë e këtij virusi.

Në total, në komunën e Deçanit janë të identifikuara 1058 raste me virusin SARS-CoV-2. Prej tyre 859 të shëruar plotësisht, 28 kanë humbur jetën dhe 171 raste aktive

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat