Vota për Osmanin, Reshitaj tregon se a i kërkoi votë VV-ja

Aktuale

Vota për Osmanin, Reshitaj tregon se a i kërkoi votë VV-ja

Më: 8 prill 2021 Në ora: 00:19
Albena Reshitaj

Është përfolur se deputetës së AAK-së, Albena Reshitaj, i është kërkuar nga VV, qëndrimi në seancën për presidentin, për të votuar pro zgjedhjes së Vjosa Osmanit, shkruan Indeksonline.

Këtë e ka mohuar vetë ajo, teksa tha se vendimi ka qenë i saj.

“Absolutisht jo. Ky vendim ka qenë i imi, i pavarur dhe krejtësisht profesional”.

Po ashtu, Reshitaj u shpreh se para se të mbahej seanca, në mbledhje të AAK-së, ajo kishte dhënë mendimin për të marrë pjesë në seancë.

“Ka javë që në mbledhje të kryesisë, kam dhënë mendimin tim që pse ne si AAK duhet të jemi në seancë gjatë zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. Kanë qenë dy arsye kryesore që më kanë shty të jem pjesë e këtij procesi.

Ne jemi në një situatë me pandeminë, sidomos unë që përcjellë nga afër çdo ndryshim që ndodhë me këtë gjendje. Dhe më është dukur më e pakta që mund t’i bëjmë vendit tonë të shkojmë në zgjedhje në këtë situatë pandemie. Dhe e dyta është se Lista Serbe bëhej qartë faktorizim i ndërtimit të institucioneve të Kosovës. E kam ndjerë nga brenda që mund të ndikojë ta kem një mundësi që edhe më tutje Lista Serbe e shantazhuar nga Beogradi të ketë ndikim, impakt në ndërtimin e institucioneve të tjera”.

Reshitaj mohon se ka dëmtuar partinë e saj, AAK-në.

“Nuk mendoj që prezenca ime në sallë ka dëmtuar AAK-në. Vet ideja që unë marrë qindra mesazhe, e dëshmojnë të kundërtën. Është e vërtetë që ne kemi pasur kandidatin tonë, dhe ne kemi kërkuar besim qytetar për kandidaturën për president nga partia jonë, por tek e fundit përtej interesit partiak, ka qenë stabiliteti institucional në të cilën gjendet Kosova edhe me pandeminë por edhe me çështje të tjera”.

Tutje, Albena Reshitaj në kk tha se vota e saj nuk ishte e ndikuar nga pazaret për përfitime personale.

“Mua më vjen keq për këto pretendime. Nuk jam pjesë, apo më mirë të them, në natyrën time nuk ka gjëra të tilla, nuk funksionoj me idenë e gjykimeve të tilla, nuk merrem me këto çështje”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat