Stafi mjekësor pret të radhë për t’u vaksinuar, deri tani janë imunizuar afër 2000

Aktuale

Stafi mjekësor pret të radhë për t’u vaksinuar, deri tani janë imunizuar afër 2000

Më: 7 maj 2021 Në ora: 14:08
Qendra e vaksinimit

Edhe sot në sallën “1 Tetor”, në Prishtinë po vazhdon shpërndarja e vaksinimit me Pfizer për profesionistët shëndetësor. E interesimi i tyre për t’u vaksinuar me tipin e vaksinës Pfizer është mjaftë i madh. Vetëm deri sot në mesditë në qendrën e vaksinimit janë imunizuar rreth 300 mantilbardh, ndërsa nga e mërkura kur nisi shpërndarja e Pfizer janë vaksinuar rreth 1 mijë e 900 persona.

Kështu ka bërë të ditur koordinatori në qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori”, Niman Bardhi, i cili tha se vetëm në ditën e djeshme vaksinën Pfizer e kanë marrë 940 persona.

Bardhi: Rreth 1 mijë e 900 persona janë vaksinuar me Pfizer

“Aktualisht deri më tani që ne flasim për ditën e sotme kemi të vaksinuar 300 profesionistë shëndetësor në nivel vendi nuk i kemi vetëm profesionistët shëndetësor të Prishtinës por nga e mbarë Kosova. Nga totali i përgjithshëm i numrit të kemi deri tani kemi arritur deri në këto qaste tek numri rreth 1900 dhe po shpresojmë që deri në fund të ditës të sotme normalisht që ky numër do jetë prapë në rritje e sipër. Vetëm në ditën e djeshme nga orari zyrtar që kishim nga ora 08:00 deri në 19:00 kemi pasur gjithsej 940”, u shpreh ai.

Bardhi shtoi se personat që po vaksinohen po detyrohen të presin, pasi që aktualisht vaksinimi është koncentruar vetëm në sallën “1 Tetori”.

Koordinatori i qendrës së vaksinimit ka bërë të ditur se duke e parë fluksin e mjekëve dhe infermierëve që po vijnë për vaksinim, besojnë që brenda këtyre 4-5 ditëve do përfundojë edhe kjo fazë e imunizimit me vaksinat Pfizer.

Bardhi: Besojmë që brenda planit të paraparë do përfundoj kjo fazë e vaksinimit

“Ka radhë të gjata sepse tani kemi vetëm një pikë vaksinimi që është salla 1 tetori për dallim nga faza e parë që shtrirja ka qenë në gjithë Kosovën është krejt diçka tjetër kur është shtrirja në gjithë Kosovën dhe vetëm në një pikë dhe e ke gjithë Kosovën në një pikë…Me kontingjentin aktual që e kemi ne shpresojmë ta mbyllim sipas planit që e kemi paraparë bëhet fjalë për këtë periudhën 4-5 ditëshe sepse interesim është i madh fluksi është nga tërë Kosova”, theksoi Bardhi.

Nga Gjilani kishte ardhur për ta marrë vaksinën Pfizer edhe Besnik Elezi, i cili tha se po ta dinte që do priste katër orë, nuk do vinte për t’u vaksinuar fare.

Elezi: Organizimi jo i mirë pritje të gjata

“Pak e bezdisshme me prit, sot kam pritur katër orë, kam ardhur prej Gjilanit, organizim jo i mirë…Më është dashur shumë kohë të pres, katër orë…Po ta dija që katër orë, nuk isha ardhur fare sot”, tha ai.

Në sallën “1 Tetori” për t’u vaksinuar me Pfizer kishte ardhur stomatologia, Razije Krasniqi, e cila tha se AstraZenecen nuk e kishte marrë, pasi nuk kishte kaluar periudha 6 mujore prej infektimit me COVID-19.

Krasniqi: Mirë po ndihem

“Mirë as nuk e mora vesh me të thënë të drejtën, mirë njëherë jam...Unë e kam pas virusin dhe u deshtë të pres 6 muaj apo si thoni…(virusin) E kam pas në fund të nëntorit”, u shpreh ajo.

Gjatë ditës së sotme, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të mos i trajtojë me prioritet punëtorët shëndetësorë për vaksinim, pasi ata refuzuan të marrin vaksinën Astra Zeneca.

Ndërsa, Kosova gjatë ditës së martë ka pranuar 4680 doza të vaksinës Pfzier, të cilat janë pjesë e kontingjentit të vaksinave që BE ka ndarë për qytetarët e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat