​Çeku shpalos prioritetet e MKRS-së, zotohet se do ta bëjë Europa Nostra-n të rishikojë vendimin për Manastirin e Deçanit

Aktuale

​Çeku shpalos prioritetet e MKRS-së, zotohet se do ta bëjë Europa Nostra-n të rishikojë vendimin për Manastirin e Deçanit

Më: 18 maj 2021 Në ora: 17:02
Hajrulla Çeku

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka deklaruar të martën se po bëjnë gjithçka që ta bindin Europa Nostran se Manastiri i Deçanit është një nga monumentet më të sigurta në Evropë dhe si i tillë duhet të largohet nga lista e monumenteve që janë në rrezik.

Çeku në një konferencë për media me rastin e shpalosjes së prioriteteve të dikasterit që e udhëheq, tha se kanë marrë konfirmim për vizitë nga përfaqësues të Europa Nostra-s, porse shtoi se kjo e fundit, gjatë procesit, nuk e ka vizituar Kosovën dhe manastirin, por as nuk është konsultuar me palët e interesit.

Lidhur me këtë, ai shtoi se është me rëndësi që përfaqësues të Europa Nostras të vijnë sa më parë në Kosovë, për të kompensuar dëmin që i kanë shkaktuar vendit.

Çeku: Manastiri i Deçanit më i sigurti në Evropë, po bëjmë gjithçka që ta bindim Europa Nostra-n që ta rishikojë listën

“Manastiri i Deçanit është një nga monumentet më të sigurta në Evropë dhe për fat të keq ka hyrë në listën e monumenteve më të rrezikuara në Evropë. Ky është një paradoks, por ne po bëjmë gjithçka për ta bindur ‘Europa Nostra-n’ që ta rishikojë atë listë”, tha ai.

Duke folur për programin dhe prioritetet e ministrisë, ministri Çeku tha se MKRS deri tash ka funksionuar si ministri e skemave sociale për artistë, sportistë e të rinj.

Ai tha se vizioni i tyre është që të zhbllokojnë potencialin zhvillimor të rinisë, kulturës dhe sportit. Teksa shtoi se shumë punë i presin edhe tek trashëgimia kulturore, ku u zotua se do të ndërhyjnë në rreth 200 monumente në rrezik.

Ministri Çeku theksoi se pasi që Kuvendi të zgjedhë anëtarët e bordit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, do të procedojnë dosjet për shpallje të aseteve në mbrojtje të përhershme ligjore.

Çeku: Do të zhbllokojmë potencialin zhvillimor të rinisë

“Vizioni ynë është të zhbllokojmë potencialin zhvillimor të rinisë, kulturës e sportit. Ta trajtojmë kulturën si kontribues në mirëqenien shoqërore dhe ekonomike; trashëgiminë kulturore si promovues të vlerave; sportin si zhvillues i imazhit shtetëror dhe mirëqenies sonë; dhe rininë e Kosovës si pjesëtar aktiv në jetën ekonomike dhe sociale të vendit... Shumë punë na presin edhe te trashëgimia kulturore, por puna e parë do të jenë ndërhyrjet emergjente në rreth 200 monumente në rrezik”, tha ai.

Çeku tha se do të angazhohen për reformim administrativ, autonomi financiare dhe qëndrueshmëri të institucioneve kombëtare të kulturës, duke siguruar llogaritë bankare, kodet buxhetore dhe zyrtarët financiarë.

Ai u zotua se do të përmirësojnë praktikat për mbrojtjen e së drejtës së autorit përmes zbatimit të tarifës së ritransmetimit dhe bashkëpunimit me Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale dhe se do të definojnë statusin e krijuesit.

Ndër nismat me interes të veçantë në kuadër të edukimit artistik, sipas Çekut do të jetë zbatimi i programit shkollor për pjesëmarrje të rritur dhe të rregullt të nxënësve në ngjarjet kulturore.

Kurse sa i përket sportit, ai tha se synojnë hartimin e strategjisë kombëtare të sportit, zhvillimin e politikave të diplomacisë sportive, rishikimin e ligjeve dhe akteve ekzistuese dhe funksionalizimin e mekanizmave për monitorimin sistematik të të dhënave në fushën e sportit.

Çeku: Do të themelojmë Agjencinë Anti-doping

“Jemi të përkushtuar të mbrojmë integritetin e sportit, do të luftojmë manipulimet në sistemin sportiv. Do të angazohemi për hartimin dhe miratimin e kodit të qeverisjes së mirë sportive, krijimin e mekanizmave për monitorimin e qeverisjes së organizatave sportive dhe themelimin e Agjencisë Anti-Doping”, tha Çeku.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit tha po ashtu se synojnë rritjen e përfshirjes së të rinjve në tregun e punës. Sipas tij, këtë do ta arrijnë përmes edukimit jo-formal, politikave aktive, ofrimit të shërbimeve të punësimit, dhe lehtësimit të qasjes në financim për ndërmarrësi.

Krejt në fund, ai u zotua se qeveria do të përfshijë trashëgiminë kulturore, kulturën dhe sportin në politikat e reja qendrore dhe lokale për turizëm.

Në këtë drejtim, ai tha se do të hartojnë dokumentin strategjik për turizëm kulturor dhe sportiv dhe master planet multi-sektorale për zonat me interes të veçantë, ndërsa theksoi se do të funksionalizohen edhe monumentet e trashëgimisë për t’i shërbyer industrisë së turizmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat