​Krenare Sogojeva-Dermaku zgjidhet komisionare e Agjencisë për Informim dhe Privatësi

Aktuale

​Krenare Sogojeva-Dermaku zgjidhet komisionare e Agjencisë për Informim dhe Privatësi

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 18:19

(E plotësuar 19.10) - Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 65 vota pro kanë zgjedhur Krenare Sogojeva-Dermaku për komisionare të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Në procesin e votimit, të cilin e bojkotuan partitë opozitare, morën pjesë 72 deputetë, ndërsa kandidati Enver Bujari mori 5 vota, e kandidati tjetër, Edon Myftari një votë, ndërsa një ishte e pavlefshme.

Pas votimit të komisionarit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci mbylli punimet e seancës, pasi për pikën e fundit të rendit të ditës, propozim-rezoluta nga debati parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e COVID-19 nuk ishin të pranishëm iniciuesit e saj.

Deputeti i LVV-së: Procesi i kandidatëve për Komisionerin ishte transparent

Pas akuzave të opozitës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se procesi i zgjedhjet së kandidatëve për Komisionerin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, ka qenë në rregull.

“Procesi i përzgjedhjes ka qenë në transparencë të plotë dhe gjatë gjithë kohës kemi treguar transparencë për të gjithë”.

“LVV do ta mbështet këtë proces”, ka thënë Dugolli.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 65 vota pro kanë zgjedhur Krenare Sogojeva-Dermaku për komisionare të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

“Ka me dështu”/ Partitë opozitare tërhiqen nga procesi i votimit të Komisionerit

Tri partitë opozitare, PDK, AAK dhe LDK nuk do të marrin pjesë në procesin e votimit të Komisionarit për informim dhe Privatësi.

Kjo pasi këto parti opozitare janë të pakënaqura me procesin e selektimit të kandidatëve për këtë pozitë.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka njoftuar se kjo parti nuk do të marrë pjesë në procesin e votimit.

“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk pajtohet me këtë procedurë dhe nuk merr pjesë në votim”, ka thënë Gashi.

Në votim nuk do të marrë pjesë as Partia Demokratike e Kosovës.

“Ne në këtë maskaradë, në këtë shkelje nuk marrim pjesë. Unë e di saktë që ky proces ka me dështu. Jeni një konglomerat dhe ne nuk marrim pjesë në këtë proces”, ka thënë Reçica.

Poashtu as AAK-ja, askush nuk do të marrë pjesë në proces të votimit.

“Grupi i Aleancës nuk do të marrë pjesë në këtë proces”, tha deputeti Pal Lekaj.

Lëvizja Vetëvendosje, komunitetet jo shumicë dhe Lista Serbe do të marrin pjesë në procesin e votimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat