Iniciohet shkarkimi i Bordit të RTK-së, i dërgohet Kuvendit për miratim

Aktuale

Iniciohet shkarkimi i Bordit të RTK-së, i dërgohet Kuvendit për miratim

Më: 22 qershor 2021 Në ora: 11:44
Foto nga vendi i ngjarjes

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka iniciuar shkarkimin e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës dhe i është dërguar Kuvendit për miratim.

Në votim morën pjesë vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa opozita e ka quajtur vendim politik.

Kryetarja e komisionit Doarsa Kica-Xhelili, ka lexuar arsyet që janë dhënë nga komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere për shkarkimin e bordit të RTK-së, derisa tha se shihet qartë që ka shkelje të Ligjit për RTK-në nga të njëjtit.

Deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, e ka quajtur vendim politik inicimin e shkarkimit të bordit të RTK-së.

"Mediumi RTK ka ngecje të mëdha pavarësisht mbështetjes që ka dhënë ky Kuvend, por të gjeturat nuk kanë qenë që të ketë një shkarkim të tillë. E shohim që ka vullnet për shkarkim, ne e dimë që ky shkarkim po bëhet për qëllime politike", tha ai.

Edhe deputeti i LDK-së Agim Veliu, tha se një vendim i tillë është politik.

"Nuk është bërë një vlerësim meritor i bordit edhe pse ai bord ka lëshime. Ky rekomandim është politik dhe kapjes së mediumit publik. Rekomandimet e Komisionit për Buxhet dhe Transfere për mua nuk janë bindëse dhe te rekomandimi i dytë besoj unë që nuk do të duhej të jepej një rekomandim i tillë. Është tërësisht një veprim politik, ju e keni shumicën, por për mua kjo formë është e papranueshme", tha Veliu.

Deputeti i LVV-së Valon Ramadani, tha se në televizionin publik ka abuzime të shumta, për çka tha së Prokuroria duhet të merret me këtë çështje.

"Nuk e kanë kryer punën sic duhet. Ka keqpërdorime, ka abuzime sa prokurori duhet të merret me këtë çështje. RTK ka nevojë për reformim", tha ai.

Deputeti i LVV-së Nijazi Isaku, ka kërkuar që si komision të reagojnë në lidhje me deklaratat, siç tha ai, seksiste të zëvendësdrejtorit Mentor Shala drejtuar kryetares së këtij komisioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat