Di Maio para deputetëve: Kundërshtojmë ridizajnimin e kufijve në Ballkan

Aktuale

Di Maio para deputetëve: Kundërshtojmë ridizajnimin e kufijve në Ballkan

Më: 22 qershor 2021 Në ora: 19:48
Luigi Di Maio

Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, në adresimin e tij para deputetëve në Kuvendin e Kosovës tha se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është mundësi historike për Kosovën dhe Serbinë.

Diplomati italian, Luigi Di Maio duke folur për rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi, tha se Pavarësia e Kosovës, integriteti territorial dhe funksionaliteti i saj si shtet demokratik është i padiskutueshëm.

Di Maio: Dialogu i lehtësuar nga BE është mundësi historike për Kosovën dhe Serbinë

“Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një mundësi me rëndësi historike që të dy palët ta shfrytëzojnë atë dhe shpresoj se do ta shfrytëzojnë atë. i kuptoj mirë ndjeshmëritë e forta mbi temat e trajtuara në negociata, por jam plotësisht i bindur se Kosova nuk ka asgjë për t’u frikësuar nga ky dialog. Pavarësia e Kosovës, dua ta them qartësisht zoti kryeministër, të nderuar deputetë, nuk është në diskutim dhe as integriteti i saj territorial dhe as funksionaliteti i saj si një shtet demokratik i bazuar në njohjen e plotë të të drejtave dhe lirive themelore. Italia inkurajon të dy palët të qojnë përpara negociatat në mënyrë konstruktive dhe me frymë të hapur në mënyrë që të shkruhet një faqe e re e historisë e bazuar në respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë në të cilën qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë të mund të ndërtojnë së bashku një të ardhme prosperiteti dhe paqeje”, tha ai.

Di Maio ka thënë se e kundërshtojnë fuqishëm ridizajnimin e kufijve në Ballkan.

Di Maio: Kundërshtojmë ridizajnimin e kufijve në Ballkan

“Kemi parë me shqetësim ringjalljen e presioneve nacionaliste dhe thirrjeve okulte qe synojnë ridizajnimin e kufijve më rajon dhe vënien në dyshim të integritetit territorial të disa vendeve. I hedhim poshtë këto provokime me vendosmëri absolute por në të njëjtën kohë duhet të jemi të vetëdijshëm që vetëm një perspektive konkrete evropiane është në gjendje të shfuqizojë si rifillimin e nacionalizmit ashtu edhe një aventurizëm të caktuar politik qe do të donte të kthente Ballkanin 30 vjet pas. Andaj sfida ndaj së cilës duhet të përgjigjet bashkimi evropian është rikthimi i besueshmërisë në politikën e zgjerimit”, tha ai.

Ndërsa duke folur për pakicat, diplomati italian tha se Kosova mund të marrë model Italinë sa i përket mbrojtjes së të drejtave të pakicave, por në përputhje me parimet e vendosura nga Kushtetuta e saj.

Di Maio: Kosova të frymëzohet nga Italia për mbrojtjen e pakicave, por në përputhje me parimet e vendosura nga Kushtetuta

“Angazhimi i shtetit italian për mbrojtjen e tyre është maksimal dhe përkthehet në raste specifike edhe në njohjen e autonomisë lokale për territoret ku ato ndodhen. Prania e modeleve të shumta në Itali dhe Evropë mund të jetë gjithashtu një burim frymëzimi për Kosovën në përputhje me parimet e vendosura nga kushtetuta e saj”, shtoi ai.

Ndwrsa kryeministri Albin Kurti tha se Kosova do të jetë vazhdimisht e hapur për takime me Serbinë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, por çdo herë me synimin e arritjes së njohjes reciproke.

Sipas Kurtit, zgjidhja e vetme është njohja e Pavarësisë së Kosovës, që siç tha ai, një gjë e tillë do të çlironte Serbinë nga mentaliteti i Millosheviqit. Këto deklarata Kurti i ka bërë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur për nderë të vizitës së

Në fjalimin e tij, Kurti përmendi edhe nevojën për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës për çka tha që pret nga Bashkimi Evropian të mbajë fjalën.

Kurti: Kosova është sinqerisht e interesuar për gjetjen e zgjidhjes së problemit me Serbinë, zgjidhja është vetëm njohja

“Ne do të jemi vazhdimisht të hapur për takime e dialog me synim arritjen e njohjes së dyanshme siç është shprehur edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. Kosova është sinqerisht e interesuar për gjetjen e zgjidhjes së këtij problem por zgjidhje mund të jetë vetëm njohja e Pavarësisë sonë të cilën tashmë e njohin shumica e shteteve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, 22 nga 27 anëtare të Bashkimit Evropian, 26 nga 30 shtete anëtare të NATO-s, në të gjitha këto edhe Italia. Njohja e Kosovës e ndihmon edhe Serbinë dhe e çliron atë prej mentalitetit sundues e spastrues të trashëguar prej Millosheviqit”, tha Kurti.

Ministrit italian i është drejtuar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i tha se tha Italia ka rol të rëndësishëm në të gjitha proceset që ka kaluar Kosova.

Konjufca: Italia ka rol të rëndësishëm në të gjitha proceset kyçe që kaloi vendi ynë

“Lufta jonë e drejt e UÇK-së e gjeti mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe falë këtij ndërveprimi erdhi liria e popullit tonë. Menjëherë pas përfundimit të luftë Italia kishte rol të rëndësishëm në të gjitha proceset kyçe qe kaloi vendi ynë. Pjesëmarrja e trupave italiane në kuadër të KFOR-it për ne ka qenë dhe mbetet faktor i rëndësishëm i paqes, për Republikën e Kosovës por edhe për rajonin në përgjithësi. Republika e Italisë gjatë këtyre 22 viteve ka pas rol qendror në udhëheqjen e komandës së KFOR-it përmes 11 komandantëve të saj. Në mesin e shteteve të para që njohu Pavarësinë e Kosovës ishte edhe Republika e Italisë dhe në çdo hap të pastajmë përgjatë procesit të konsolidimit të sovranitetit të shtetit tonë, shteti italian qëndroi përkrah Kosovës”, tha Konjufca.

Përveç seancës solemne, shteti i Kosovës ka organizuar edhe pritjen në Aeroportin Adem Jashari, për ministrin Italian, i cili pastaj ka takuar ndaras kryeministrin e Kosovës, kryetarin e Kuvendit dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Gjithashtu në praninë e tij, është nënshkruar sot marrëveshje në mes të dy shteteve e cila parasheh eliminimin e tatimit te dyfishte sa i përket tatimit ne te ardhura dhe parandalimin e evazionit fiskal dhe shmangies.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat