Zbulohen shkeljet e ligjit që u bënë gjatë ndërtimit të hidrocentraleve në Deçan

Aktuale

Zbulohen shkeljet e ligjit që u bënë gjatë ndërtimit të hidrocentraleve në Deçan

Më: 12 korrik 2021 Në ora: 16:52
Foto ilustrim

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, gjatë një hulumtimi që për objekt studimi kanë pasur gryken e Deçanit me katër hidrocentralet që funksionojnë aty, si dhe hidrocentralin e Radavcit, ka evidentuar disa të gjetura dhe shkelje për ujërat dhe mjedisin.

Sipas drejtuesve të këtij Instituti, problem mbetet shfrytëzimi i tërë kapacitetit ujor, shkatërrimi i vegjetacionit e habitatit natyror dhe dëmtimi i potencialit turistik dhe bujqësor.

Në publikimin e raportit "Hodrocentralet e profitit të privatit në dëm të mjedisit publik", koordinatori i projektit në këtë institut, Dardan Bujupi, theksoi se problemet dhe parregullsitë të cilat janë të evidentuara në këtë raport, kanë derivuar në vështirësimin e jetës së banorëve të atyre zonave.

Bujupi thekson se qytetarëve në atë zonë pas ndërtimit të hidrocentraleve u kanë lindur probleme që nuk i kanë pasur me herët si dëmtimi i rrugës dhe vështirësimi i aktiviteteve ekonomike e daljes në bjeshkë.

Bujupi: Gjatë hulumtimit janë evidentuar disa të gjetura dhe të shkelura

“Njëra ndër to është shkelja e të drejtave politike, apo vendimmarrja dhe të drejtën për të qenë të informuar. Pra, është mbajtur vetëm nga një takim publik për katër hidrocentralet e ndërtuara në grykën e Deçanit. Madje, edhe ai diskutim publik ka qenë i organizuar keq, ashtu që ta pamundësojë pjesëmarrjen e banorëve. Në vend që të mbahet në njërën prej hapësirave zyrtare komunale, ai ishte mbajtur në një restorant. Ftesa ishte publikuar në një prej gazetave dhe me kaq kishte marrë fund njoftimi i qytetarëve. Pastaj nga mjedisi si e mirë publike kemi kaluar në mjedis si mjet të ekonomisë së ofertës. Kemi dallime të dukshme ndërmjet periudhës së parafizibilitetit dhe atë pas ndërtimit. Kjo si në anën e investimeve nga ana e kompanisë “Kelkos Energy”, ashtu edhe në atë të fuqisë instaluese e potencialit hidrik”, thekson Bujupi.

Ai theksoi se një e gjetur tjetër është shkelja e Ligjit për Ujërat.

Bujupi: Një e gjetur tjetër është shkelja e Ligjit për Ujërat

“Një e gjetur tjetër është shkelja e Ligjit për Ujërat. E drejta për shfrytëzimin e ujit në rastin e Hidrove në rastin e kaskadës së Lumëbardhit të Deçanit është dhënë pa koncesion dhe pa proces konkurrues – përmes lejes ujore, duke qenë kjo në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Ujërat e Kosovës si dhe në kundërshtim me praktikat që zbatohen këto mund të ndërtoheshin pa i dëmtuar interesat mjedisore e ato komunitare. E së fundi problem mbetet shfrytëzimi i tërë kapacitetit ujor, shkatërrimi i vegjetacionit e habitatit natyror dhe dëmtimi i potencialit turistik dhe bujqësor”, thekson ai.

Ndërsa, Belgzim Kamberi drejtor i Bordit të këtij Instituti, theksoi se si rezultat i hulumtimit, rekomandohet të specifikohen në mënyrë më rigoroze detajet e mbajtjes së debatit publik, të obligueshme me Kushtetutë dhe ligj, përfshirë hapësirën ku mbahen ato, e veçanërisht formën e diskutimit, duke i pasur parasysh të më poshtmet.

Kamberi po ashtu tha se një ndër rekomandimet është leja nga ZRRE, e cila sipas tij të jetë në përputhje me parimin bazë të ndërtimit të hidrocentraleve e që është ruajtja e minimumit ekologjik dhe të potencialit real hidrik të lumit.

Sipas Institutit, hulumtimi është bazuar duke marrë parasysh dy lloje të burimeve, e para nëpërmjet hulumtimit të procedurave dhe akteve legjislative, krahasimit të tyre me gjendjen në terren dhe krahasimin me shtetet tjera.

Si dhe këto të gjetura janë mbështetur me informatat e marra në intervista direkt nga baza e problemit, pra nga banorët e zonave të cilët direkt preken nga ndërtimi I hidrocentraleve, profesionist dhe të fushave përkatëse e përfaqësues të institucioneve. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat