Katër vatra të zjarrit janë aktive në Kosovë

Aktuale

Katër vatra të zjarrit janë aktive në Kosovë

Më: 3 gusht 2021 Në ora: 11:46
Zjarret në Komunën e Suharekës. 3 gusht 2021

Në Kosovë ende janë aktive katër vatra të zjarrit nga 50 sa kanë qenë në fund të javës së kaluar, tha për Radion Evropa e Lirë, Nehat Koqinaj zëdhënës në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave.

“Vatrat e zjarrit janë në rajonin e Suharekës, të Prizrenit, në Parkun Nacional 'Bjeshkët e Nemuna' dhe në Janjevë, Komuna e Lipjanit”, tha ai.

Komuna e Suharekës, që tri ditë është duke u ballafaquar me shpërthime të zjarreve në disa fshatra. Kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht situata është nën kontroll.

“Gjendja është nën kontroll, por duhet të përcillet situata pasi temperaturat janë shumë të larta, ka frymë dhe aty për aty po shpërndahet zjarri. Momentalisht dëme kemi vetëm në një shtëpi, dëme ka në bujqësi, për fat të mirë zjarri është ndërprerë te zona industriale edhe te disa familje në fshatin Studençan. Jemi në gjendje gatishmërie, duke i falënderuar edhe vullnetarët të cilët po dalin në ndihmë aty ku ka vatra të zjarrit”, tha Muharremaj.

Këtë komunë, të martën në mëngjes e vizitoi kryeministri, Albin Kurti i cili bëri thirrje për kujdes të shtuar.

“Duhet të jemi shumë vigjilentë dhe të kujdesshëm, meqenëse edhe sot, edhe nesër, edhe pasnesër, do të jenë temperaturat e larta dhe erërat e fuqishme e bëjnë shumë më të vështirë fikjen e zjarreve më pastaj”, tha ai.

Aktualisht, autoritetet nuk kanë bërë ndonjë vlerësim për dëmin e shkaktuar nga zjarret në Kosovë.

Për të shuar vatrat e zjarrit, me kapacitet të plotë janë duke u angazhuar zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme.

Ai tha se këto njësi janë duke bërë çmos për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve në këto lokacione.

Përkundër temperaturave të larta, ministri Sveçla tha se “kemi hasur raste të zjarrëvënies së qëllimshme nga disa qytetarë të pandërgjegjshëm, për çka Policia e Kosovës tashmë ka arrestuar dy persona, ndërsa po vazhdon hetimin edhe për raste tjera të dyshimta”.

Ai po ashtu ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të kenë kujdesin maksimal, që në asnjë rast dhe rrethanë të mos të ndezin zjarre, përndryshe autoritetet kompetente do të jenë të pakompromis ndaj sjelljeve të tyre të cilat po shkaktojnë rrezik të përgjithshëm.

Pyjet përbëjnë rreth 44.7 për qind të territorit të Republikës së Kosovës.

Zjarret në pyje, përveç masës drunore, rrezikojnë edhe florën dhe faunën e egër./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat