Kurti në Forumin e Bashkë-investimeve: Koha e ryshfetit dhe haraçit ka mbaruar

Aktuale

Kurti në Forumin e Bashkë-investimeve: Koha e ryshfetit dhe haraçit ka mbaruar

Më: 24 gusht 2021 Në ora: 21:47
Foto nga vendi i ngjarjes

Në edicionin e dytë të Forumit të Bashkë-Investimeve dhe Rrjetëzimit “Invest in Prizren” që është hapur sonte, kryeministri Albin Kurti ka ftuar investitorët e huaj dhe nga diaspora që të investojnë në Prizren dhe Kosovë, pasi siç tha ai me qeverisjen e tij nuk kërkohet më ryshfet e haraç si më parë.

Kryeministri Kurti tha po ashtu se vendi tashmë ka stabilitet institucional dhe pasi të përfundojnë zgjedhjet lokale, do të ketë përpara plot katër vjet të fokusimit në ekonomi dhe drejtësi që janë edhe dy shtyllat kryesore.

Kurti: Nuk do të kërkohet më ryshfet e haraç

“E para është stabiliteti institucional, e dyta rendi dhe ligji, e treta infrastruktura e katërta fuqia punëtore. Kosova ka lënguar një kohë të gjatë në shumicën prej këtyre, si pasojë e zhvillimeve të ndryshme brenda vendit çfarë ka bërë që të kemi pak investitorë të huaj. Mirëpo kjo tashmë ka ndryshuar, vendi ka hyrë në një periudhë të stabilitetit politik, me institucione legjitime, me besueshmëri të lartë të dalë nga vota qytetar në procese demokratike. Tash jemi në prag të zgjedhje lokale dhe pasi të përfundojnë ato, do të kemi përpara plotë katër vite të fokusimit në ekonomi dhe drejtësi që janë edhe dy shtyllat kryesore të qeverisjes sonë… E për më shumë tash kemi edhe një qeveri që është e gatshme t’iu ndihmojë bizneseve dhe investitorëve. Koha kur investitorëve u kërkohej ryshfeti për të filluar e harçi në fitim ka marrë fund një herë e gjithmonë”, tha Kurti.

Kryeministri në fjalimin e tij ka respektuar ezanin e ritit fetar në Prizren. Ndërkaq, kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka theksoi se me këtë forum synojnë që të bashkërendisin me diasporën, qytetet e binjakëzuara, me përfaqësuesit e odave ekonomike të shteteve të ndryshme dhe bizneset e afaristët lokal, ashtu që të investohet në ekonomi, prodhimtari, e punësim.

Haskuka: Me këtë forum synojmë investime dhe punësim

“Komuna e Prizrenit është komuna e parë e cila në nivelin lokal ka iniciuar dhe filluar të organizoi një forum të tillë, i cili në edicionin e parë 2019 ka sjellë në Kosovë 60 biznese nga diaspora dhe vendet e ndryshme të botës… Gjatë këtij forumi tre ditor ne do të prezantojmë edhe parkun e biznesit ku kemi bërë investime të shumta dhe presim së shpejti të finalizojmë për të investuar në prodhim… Me këtë rast dua të shpreh mbështetjen e pa kusht të komunës së Prizrenit për krijimin e bashkinvestimeve në partneritet publiko-privat, në mënyrë që të krijojmë sa më shumë mundësi për investime në qytetin tonë dhe të punësojmë rininë tonë”, tha Haskuka.

Ndërsa, Rexhep Gurkan kryetar i Komunës së Idernes në Turqi, tha se është i mahnitur me punët e bëra në Kosovë për krijimin e kushteve për investime. Ai premtoi se do të përdorin autoritetin për të sjellë investime në Kosovë.

Gurkan: Rendi është te ne, që të sjellim investime në Kosovë

“Qeveria e Kosovës ka bërë dhe është duke bërë të gjitha që janë të nevojshme të bëhen për një vend. Por, tash është rendi te ne… Duhet ta përdorim të gjithë forcën tonë që të bëjmë investime në këtë vend. Nga këtu dua të bëj një premtim, edhe për kryeministrin, edhe për kryetarin Haskuka që do të dal në përkrahjen tuaj që të zhvillohet ky vend sa më shpejt”, tha Gurkan.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tha me këtë rast se bashkëpunimi i bizneseve mes Prizrenit dhe komunave të Shqipërisë është duke u rritur vazhdimisht sidomos në sektorin e turizmit.

Minxhozi: Thellohet bashkëpunimi mes Prizrenit dhe Shqipërisë

“Marrëdhëniet e biznesit midis Prizrenit dhe komunave të ndryshme të Shqipërisë nga viti na vit kanë ardhur duke u rritur. Kjo sidomos me intensitet të lartë në fushën e turizmit”, tha Minxhozi.

Në këtë forum tre ditor po marrin pjesë rreth 40 biznese të huaja dhe vendi nga fusha të ndryshme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat