Pozhari tregon se çfarë bëri Arben Vitia për të shpëtuar jetë njerëzish!

Aktuale

Pozhari tregon se çfarë bëri Arben Vitia për të shpëtuar jetë njerëzish!

Nga: M.L. Më: 5 shtator 2021 Në ora: 19:43
Arben Vitia

Analisti Xhevdet Pozhari ka bërë një analizë lidhur me numrin e rasteve të vdekjeve të njerëzve nga CoVID-19 në Kosovë, duke krahasur këtë numër me shtetet e e mëdha. Në këtë mënyrë, ai ka treguar se si  ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ia kishte ndalë hovin pandemisë.

“Ja se çfarë bëri Arben Vitia për të shpëtuar jetë njerëzish për ata që duan të shohin! Në mbarë botën deri më tani kanë vdekur 4 milionë e 580 mijë njerëz nga pandemia Covid-19. Thënë ndryshe, është njëjtë sikur të shuhen dy shtete si Shqipëria e Kosova bashkë. Aq përafërsisht është totali i popullatës së dy vendeve tona. Goditjen më të rëndë në këtë tragjedi e kanë pësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me një popullatë prej 333 milionë e 284 mijë banorë, që nga fillimi i pandemisë e deri më tani, 666 mijë njerëz kanë vdekur nga kjo sëmundje në SHBA. Në vend të dytë për nga numri i vdekjeve, sipas statistikave, qëndron India me 441 mijë vdekje. Por, popullsia e Indisë është katër fish më e madhe sesa e SHBA-së. India ka 1 miliardë e 400 milionë banorë”, shkruan Pozhari në Facebook.

Ai shtron pyetjen se si u bë që një shtet si India me numër të popullsisë katërfish më të lartë sesa SHBA të ketë më pak vdekje?

“Përgjigjja, fatkeqësisht, sa është e thjeshtë poaq është e tmerrshme! Mjafton të kthejmë kujtesën në kohën e administratës së ish presidentit Trump i cili shpërfillte kategorikisht rrezikun e virusit. Madje, Trump i inkurajonte njerëzit që mos të respektojnë masat dhe i thumbonin të gjithë ata që bartnin maska, me në krye rivalin e atëhershëm Joe Biden. Thuajse në çdo paraqitje Trump tallej me kujdesin dhe frikën e Biden nga kjo pandemi. E, Biden ishte i shqetësuar për jetën e njerëzve të vendit të tij. Ai e dinte se çdo vonesë, do ta sillte një katastrofë të tillë në të cilën sot mjerisht ndodhet shteti i ynë mik, SHBA-të”, thekson ai.

Pozhari potencon se në Kosovë deri më tani nga pandemia Covid-19 e kanë humbur jetën 2.629 banorë, po kaq të vdekur ka edhe në Shqipëri.

“Në Maqedoninë fqinje numri është thuajse trefish më i lartë, 6.045 të vdekur, ndërsa në Serbi kanë vdekur 7.379 persona. Rekordin e zi në Ballkan e mbanë Bosnja e Hercegovina, me 9.862 vdekje nga Covid-19”, shtoi ai.

E sipas Xhevdet Pozharit, Arben Vitia e ndali hovin e shpërndarjes së pandemisë në qeverinë e kaluar.

“Sikur Kosova mos të ndodhej në fushatë zgjedhore, sikur mos të na kishte verbuar urrejtja për rivalin politik dhe etja e pashtershme për pushtet, çdo njeri racional do të mund të konstatonte fare lehtë se me mbylljen totale, Arben Vitia e ndali hovin e shpërndarjes së pandemisë në qeverinë e kaluar, në një kohë kur edhe SHBA u vonua dhe sot fatkeqësisht bartë pasojat më të rënda. Vitia lejoi hapjen e vendit veç pas sigurimit të vaksinave. Ky njeri bëri të pamundurën për shëndetin tonë”,potencoi ai.

“Në mos tjetër, mos lejoni të zbrazet urrejtja e verbër e atyre që e kanë humbur arsyen dhe nuk duan ta shohin atë që duket qartë: Shpëtimi i jetës së njerëzve për të është mision, e jo propagandë dhe politikë!”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat