Shtyhet implementimi i vendimit që bartësit e programeve duhet të kenë të paktën një punim shkencor

Aktuale

Shtyhet implementimi i vendimit që bartësit e programeve duhet të kenë të paktën një punim shkencor

Më: 21 shtator 2021 Në ora: 15:17
Këshilli Shtetëror i Cilësisë(KShC)

Këshilli Shtetëror i Cilësisë(KShC) ka shtyrë për një vit implementimin e vendimit sa i përket akreditimit të programeve të institucioneve të arsimit të lartë, ku përveç kritereve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ për Akreditim, bartësit e programeve në nivel bachelor duhet të kenë të paktën një publikim shkencor të indeksuar nga fusha e studimit, ndërsa në nivelin master duhet të kenë të paktën dy punime nga fusha e studimit në revista shkencore. Ky vendim vlen vetëm për programet që janë në riakreditim, ndërsa për programet e reja ky vendim vlen nga 1 tetori i këtij viti.

Kështu ka bërë të ditur kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnije Ilazi, gjatë raportimit në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.

Ilazi tregoi se pas vendimit që kanë marrë u kanë dërguar kërkesë institucioneve arsimore se sa prej tyre preken nga ky vendim dhe theksoi se prej 11 prej tyre që kanë marrë përgjigje, 43 përqind nuk e kanë plotësuar këtë kriter.

Ajo tha se ky kriter është tejet i domosdoshëm për ngritje të cilësisë në arsimin universitar, pasi sipas saj nëse një bartës i programit nuk është në gjendje të bëjë një hulumtim shkencor si do të jetë në gjendje të jetë bartës i programit.

Ilazi: Për programet në riakreditim vendimi shtyhet për 1 vit, për programet e reja nga 1 tetori 2021

“Vetëm 11 institucione janë përgjigj kërkesës për të na dhënë atë pasqyrën sa prej bartësve të programeve e plotësojnë këtë kriter e sa jo. Prej atyre 11 institucioneve kemi pa që përafërsisht 43 përqind nuk plotësojnë kriteret dhe kjo ka qenë një arsye që edhe në diskutim edhe me Kolegjin e rektorëve, sot kemi marrë një vendim që realisht ky vendim që ish dashtë me hy në fuqi prej 1 tetor 2021 për bartësit e programeve me një punim, respektivisht dy për master shtyhet për një vit. Do të thotë programet të cilat janë në riakreditim dhe të cilat kanë qenë me vendimin e mëparshëm të përcaktuar që fillon implementimi i standardeve prej 1 tetori 2021 shtyhet për një vit, vetëm për riakreditime, për programe të reja mbetet në fuqi prej 1 tetorit 2021, nuk ka programe të reja më pa shkencë”, tha ajo.

Kritik nga këtij vendimi ka qenë kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, i cili përveç që ka kërkuar të dijë se cila ka qenë baza ligjore mbi të cilën është vendosur ky kriter, ka kërkuar të dijë është cili nga anëtarët e ka dhënë idenë e përfshirjes së tyre.

Gola: Po më intereson specifikisht autorësia e idesë për të vendosur kritere të reja

Po më intereson specifikisht autorësia e idesë për të vendosur kritere të reja për akreditimin e programeve, kush ka qenë bartësi i idesë që të avancohen kriteret nga doktor shkence me 60 kredi qysh parashihet me udhëzimin administrativ”, tha ai.

Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnije Ilazi, ka refuzuar që të jep emra duke thënë se ka qenë vendim i të gjithë anëtarëve.

Përkundër kësaj, ka qenë anëtarja e KSHC-së, Rozafa Koliqi, që ka deklaruar se ka qenë ajo që e ka propozuar një kriter të tillë.

Ajo tha se është e dhimbshme që nga 11 institucione që janë përgjigjur në kërkesën e KSHC-së, për 110 programe nga ky vendim afektohen 43 përqind prej tyre.

Koliqi: Kjo kërkesë e imja ka qenë e kamotshme

“Kjo kërkesë e imja ka qenë e kamotshme, por faleminderit që kam gjetur mbështetje dhe përkrahje, përndryshe vota është individuale, me zor askënd nuk e kam shti, vetëm e kam pa si nevojë të kohës. Pse po e them këtë, nuk është e mundur profesor, jam shokuar prej reagimit të institucioneve të arsimit të lartë, nuk kemi kërkuar që të gjithë profesorët apo ligjëruesit ta plotësojnë një kriter të tillë. Nëse një program i ka tri vite, ka 180 kredi aty minimum ligjërojnë 20 profesorë, 20 ligjërues, nëse nuk janë në gjendje tre prej tyre si bartës të programit ta kenë nga një punim shkencor më fal çka duhet ai program. Unë e kam marrë për të mirëqenë që e kanë sinqerisht, se secili që përfundon një doktoratë unë mendoj që e ka të detyrueshme të paktën një publikim shkencor prej doktoratës, nëse nuk e ka unë e vë në pikëpyetje atë doktoratë”, u shpreh ajo.

Në këtë mbledhje të komisionit, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka ngritur si shqetësim largimin e anëtarëve ndërkombëtar nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë, të cilët kanë refuzuar të deklarojnë pasurinë në bazë të ligjeve të Kosovës.

Hoxha: Për mua ka qenë shqetësuese edhe largimi i anëtarëve ndërkombëtar

“Për mua ka qenë shqetësuese edhe largimi i anëtarëve ndërkombëtar që e bie në pikëpyetje në sytë e mi pse duhet të jenë valid konstatimet e tyre nëse ata në momentin që e kanë kryer një punë kanë dhënë dorëheqje. Është dashur që ata të deklarohen nëse dëshirojnë të jenë pjesë e bordit ose jo para se me hy brenda në proces, jo të hyjnë në një proces dhe të tërhiqen menjëherë pas atij procesi se e krijon një sfidë të re për bordin sepse duhet të plotësohet”, tha ajo.

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi, tha se kanë propozuar në draft ligjin e Agjencisë që anëtarët ndërkombëtarë të deklarojnë vetëm pasurinë e fituar në Kosovë, pasi që u shpreh se të njëjtit po refuzojnë të deklarojnë pasurinë edhe të bashkëshortëve të tyre.

Gashi: Largimi i anëtarëve ndërkombëtarë është shumë shqetësues

Largimi i anëtarëve ndërkombëtarë është shumë shqetësues për arsye se ligji i Agjencisë Antikorrupsion kërkon që çdo anëtarë ndërkombëtarë të deklarojë pasurinë. Ne e kemi shkruar një manual bashkë me MASHTI edhe kur janë zgjedhur ata e kanë pa informacionin që duhet me e deklaru pasurinë. Mirëpo, kur e kanë marrë formularin e kanë pa që duhet me e deklaru pasurinë edhe pagën e bashkëshortes ata kanë refuzuar edhe janë tërhequr. Ky është një problem goxha i madh i cili besoj që ju si komision duhet me e pas parasysh, ne në draftin e ligjit aktual e kemi vendosur që anëtarët ndërkombëtarë të deklarojnë pasurinë e fituar në Kosovë, që atë e pranojnë të gjithë”, thotë ai.

Para anëtarëve të Komisionit për Arsim, kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnije Ilazi, ka folur edhe për prioritet që i kanë. Ajo u shpreh se kanë prioritet kthimin e Kosovës në ENQA, e që kthimi u shpreh se varet nga përmbushja e kritereve. Ilazi ka kërkuar nga deputetët që me prioritet të trajtojnë Ligjin për Agjencinë e Akreditimit, bazuar në ligjin ajo tha se do të kërkohet një pavarësi institucionale dhe buxhetore e institucionit, si dhe plotësimi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës me staf.

Në mbledhjen e sotme, anëtarët e Komisionit për Arsim, kanë diskutuar lidhur procesin e mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për botimin e teksteve shkollore, mjeteve mësimore lektyrës shkollore dhe të dokumentacionit pedagogjik.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat