Seanca e radhës për komandant “Ujku” mbahet me 15 nëntor

Aktuale

Seanca e radhës për komandant “Ujku” mbahet me 15 nëntor

Më: 23 shtator 2021 Në ora: 07:18
Pjetër Shala

(E plotësuar 11:57) - Zyra e Prokurorit të Specializuar do të dorëzojë dosjen paraprake për rastin e Pjetër Shalës më 28 janar të vitit 2022. Ky vendim është marrë në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjes në Dhomat e Specializuara në Hagë, me kërkesë për shtyrje nga ZPS dhe e cila nuk ka hasur në kundërshtim të mbrojtjes.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill prej kur mbahet në paraburgim, por prokuroria ende nuk i ka përfunduar hetimet dhe nuk është e gatshme të dorëzojë dosjen paraprake më 19 nëntor, siç ishte paraparë.

ZPS ka kërkuar shtyrjen e këtij afati deri më 28 janar të vitit të ardhshëm duke pretenduar që çështja është komplekse dhe mund të ketë përplasje afatesh me çështje të tjera.

Prokurori: Kërkojmë zgjatje të afatit për dorëzimin e dosjes paraprake deri më 28 janar

“Ne besojmë që periudha që kemi kërkuar, zgjatja e afati të dorëzimit deri më 28 janar është e nevojshme sepse është një çështje thjesht e burimeve njerëzore dhe kapaciteteve që kemi, burimet që na kërkohen për t’u përgjigjur kërkesave të rregullës 102 pika 3, janë të konsiderueshme dhe mendoj që është një ngarkesë punë shume e madh. Ne do të përpiqemi t’i përmbahemi afateve dhe sa ai përket tabelës do të përpiqemi të mbajmë të njëjtën distancë midis dorëzimit të saj dhe dosjes paraprake, megjithatë ne do të t’i përmbahemi çfarëdo afti që do të vendosni ju zoti gjykatës por mendojmë që është e nevojshme zgjatja e afatit për t’i trajtuar gjithë këto probleme”, ka thënë prokurori.

Ndërsa lidhur me tabelën e rregullës 109, prokurori ka thënë se e kanë të pamundur ta hartojnë atë para se të dorëzohet dosja paraprake, andaj e njëjta pritet të dorëzohet jo më vonë se 11 shkurt në vitin 2022.

Kërkesën e prokurorisë për shtyrje të afatit për dorëzimin e dosjes paraprake nuk e ka kundërshtuar mbrojtja e Shalës, veçse ka theksuar se kjo është kohë e gjatë dhe procesi duhet të vazhdojë më shpejtë, meqë Shala vazhdon të mbahet në paraburgim.

Gillissen: Dorëzimi i dosjes paraprake pas 23 muaj nga dorëzimi i aktakuzës është një kohë e gjatë

“Dorëzimi i dosjes paraprake më shumë se 23 muaj pas dorëzimit të aktakuzës është një kohë shumë e gjatë, dua ta theksoj këtë problem, e kuptojë vështirësinë, megjithatë është kohë mjaft e gjatë kjo për zotin Shala i cili ka marrë akuzat dhe është në burg”, ka thënë avokati i Shalës, Jean-Louis Gilissen.

Mbrojtja e Shalës ka pranuar një shtyrje të tillë të afatit duke theksuar se do ta shfrytëzojnë këtë periudhë për përgatitje.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicollas Guillou i ka dhënë urdhër me gojë ZPS-së që të dorëzojë dosjen paraprake jo më vonë se 28 janar 2022.

Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjes, mbrojtja e Shalës ka thënë se ky i fundit është ballafaquar me disa probleme por që janë në kontakt me administratoren, duke theksuar se nuk është e përshtatshme të flitet për këtë në seancë publike.

Gillissen: Shala është ballafaquar me disa probleme, jemi në kontakt me administratoren

“Ne monitorojmë në vazhdimësi situatën me zotin Shala, ai na informon dhe ne marrim këtë informacion për çështje që ngre ai, bëhemi të ditur se ai është ballafaquar me disa probleme dhe ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët e zyrës administrative përfshirë vet administratoren, dua t’i falënderoj për disponueshmërinë e tyre dhe ndihmën ndaj nesh dhe zotit Shala. Besoj që kjo çështje për të cilën kemi problem do të zgjidhet dhe çështja do të përmirësohet me vullnetin e mirë të të gjitha palëve pjesëmarrëse. Mendoj që tani për tani gjërat po përmirësohen, kemi hasur në disa incidente por për momentin tim nuk është koha për t’i diskutuar ato në seancë publike”, ka thënë mbrojtja.

Në këtë konferencë gjithashtu është bërë e ditur se prokuroria i ka nxjerrë mbrojtjes dy paketa me materiale sipas rregullës 103 dhe prokuroria pret të nxjerrë edhe materiale të tjera shfajësuese.

Ndërsa lidhur me masat mbrojtëse, prokuroria ka bërë të ditur se ende nuk kanë ndonjë kërkesë.

Ndërsa avokati ka theksuar se kanë identifikuar mungesën e disa përkthimeve.

Gillissen: Kemi ende probleme me përkthimin e materialeve në shqip

“Kjo ende mbetët problem sa i takon përkthimeve në shqip që mungojnë. I nderuar gjykatës vërej se do të marrim edhe dy akt ekspertizat dhe do t’i marrim brenda datës 8 tetor, brenda intervistës së disa dëshmitarëve kemi parë se përmenden disa shtojca që i ka përdorur dëshmitari gjatë deklaratës, nuk i kemi marrë disa prej këtyre shtojcave ose nuk i gjenim dot në nxjerrjet e materialeve”, ka thënë avokati i Shalës.

Ndërsa gjykatësi i procedurës paraprake ka urdhëruar ZPS-në që t’i nxjerrë aktekspertizat e lartpërmendura jo më vonë se data 8 tetor 2021.

Gjithashtu, u bë e ditur se ZPS ka identifikuar afërsisht 500 materiale, që është më shumë se një e treta më shumë se numri i materialeve provuese të renditura fillimisht në njoftim.

Lidhur me këtë, gjykatësi i procedurës paraprake i ka bërë të qartë ZPS-së se gjykatësi i vendos afatet për nxjerrje të materialeve, pasi i dëgjon palët dhe këto të fundit nuk mund të plotësojnë materiale pa autorizim gjyqësor.

Guillou: ZPS nuk mund të nxjerrë materiale kur të dëshirojë

“Ju nuk mund të vendosni të bëni nxjerrje materialesh kur dëshironi ju, sepse nëse bëhet kjo procedura do të behët një kaos dhe pala tjetër do të kërkojë më tepër kohë për tu përgatitur sepse do të ketë nxjerrje të tjera”, ka thënë gjykatësi i procedurës paraprake.

Lidhur me këtë, prokurori ka thënë se gjatë kërkimeve kanë hasur në probleme me bazën e të dhënave, duke shtuar se gjatë kontrollit mund të identifikojnë edhe materiale të tjera por për këtë ka thënë se do të kërkojnë leje nga gjykata.

Kjo ishte konferenca e tretë mbi ecurinë e çështjes së Pjetër Shalës, ish-pjesëtar i UÇK-së të cilin Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Konferenca e radhës është caktuar të mbahet me 15 nëntor.

***

Ka përfunduar seanca e sotme mbi ecurinë e çështjes mbi ish komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shalën, apo i njohur si komandant “Ujku”, ndërsa seanca e radhës pritet të caktohet më 15 nëntor.

Në këtë seancë, vet Shala nuk ishte i pranishëm fizikisht, por e ka ndjekur mbi videolinkun e Gjykatës Speciale.

Kujtojmë se “Ujku” është arrestuar në Belgjikë dhe akuzohet për disa vepra penale, së bashku me ish krerët e tjerë të UÇK-së.

“Ujku” nuk merr pjesë fizikisht në seancë

Sot është duke u mbajtur seanca mbi ecurinë e çështjes të ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i njohur si “Ujku”, i cili nuk është duke marrë pjesë në sallë ku po mbahet seanca mbi ecurinë e çështjes.

Por, këtë seancë, “Ujku” po e ndjek përmes videolinkun të Gjykatës Speciale.

Kujtojmë se komandant “Ujku” dhe krerët tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po akuzohet për krime lufte, krime kundër njerëzimit e keqtrajtimit.

“Ujku” ka shërbyer në Zonën Operative të Dukagjinit.

​Mbahet konferenca e tretë mbi ecurinë e çështjes në rastin e Pjetër Shalës

Sot në ora 9:00 do të mbahet konferenca e tretë mbi ecurinë e çështjes, në rastin ku ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, po akuzohet për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Konferenca mbi ecurinë e çështjes gjyqësore parashihet me rregullën 96 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK).

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Speciales.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat