Marrëveshja për targat pret miratimin e Beogradit, ja kur pritet të vazhdojnë bisedimet

Aktuale

Marrëveshja për targat pret miratimin e Beogradit, ja kur pritet të vazhdojnë bisedimet

Nga: Bota sot Më: 29 shtator 2021 Në ora: 07:46
Besnik Bislimi në Bruksel

(E plotësuar 22:35) - Delegacioni serb në bisedimet me Kosovën në Bruksel e ka përfunduar takimin me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak mirëpo nuk kanë dhënë përgjigje nëse e pranojnë draft dokumentin për zgjidhjen e çështjes së targave të automjeteve, e cila ka shkaktuar tension gjatë ditëve të fundit në veri të Kosovës.

Burime të Bashkimit Evropian i kanë thënë gazetarit të Radios Evropa e Lirë në Bruksel se negociatat pritet të vazhdojnë edhe nesër, më 30 shtator.

Delegacioni serb udhëhiqet nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Më herët, shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, tha se është finalizuar një draft-dokument për zgjidhjen e çështjes së targave, me ndërmjetësimin e BE-së, mirëpo Beogradi edhe nuk e ka dhënë pëlqimin.

“Kemi arritur te një draft përfundimtar i cili dakorduar pothuajse në tërësi ka mbetur vetëm që pala serbe të japë dakordimin final, nëse po, mund të fillojë zbatimi i marrëveshjes shumë shpejt”, tha Bislimi.

Marrëveshja, sipas tij, parasheh tri elemente: që nga dita e hënë si Serbia ashtu edhe Kosova të avancojnë dhe të përdorin "letrat ngjitëse" në vend të tabelave. Kjo zgjidhje, sipas tij, do të jetë e përkohshme pasi në të njëjtën kohë do të krijohet edhe një grup punues i cili brenda gjashtë muajsh do të gjejë një zgjidhje të përhershme të problemit të lëvizjes së lirë.

Pika tjetër, sipas tij, ka të bëjë me heqjen e barrikadave. Sipas dokumentit ditën e shtunë do të vendosej KFOR-it që do të zëvëndësonte njësitë speciale të policisë së Kosovës të cilat do të tërhiqeshin bashkë me barrikadat e vendosura nga serbët lokalë.

Menjëherë pas këtij njoftimi të Bislimit, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se dialogu mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE-ja nuk ka përfunduar dhe se po vazhdojnë negociatat për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara thanë se është bërë përparim në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për çështjen e targave, por negociatat ende vazhdojnë.

“Ne inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen hapur dhe seriozisht”, thuhet në një postim në rrjetin Twitter të të ngarkuarit me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Nicholas Giacobbe.

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë po marrin pjesë në takimet në Bruksel, që kanë për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për situatën në veri, teksa rrugët në Jarinjë dhe Bërnjak, për të dhjetën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Qytetarët serbë, me kamionë dhe mjete të tjera të rënda kanë bllokuar këto dy rrugë nacionale në atë pjesë në shenjë proteste për vendosjen e masës së reciprocitetit për automjetet me targa nga Serbia.

Ndërkohë, në 24 orët e fundit nuk është raportuar për ndonjë incident në afërsi të asnjërës pikë kufitare, Jarinjë e Bërnjak. Njësitë speciale të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë pranë bllokadave, ndërkohë që misioni i KFOR-it ka rritur prezencën në këtë pjesë.

Qeveria e Kosovës ka arsyetuar vendosjen e reciprocitetit duke thënë se Serbia për vite të tëra aplikon masë të njëjtë për automjetet me targa të Kosovës.

Sipas vendimit të 20 shtatorit, të gjitha automjetet me targa të Serbisë me të hyrë në Kosovë duhet t’i heqin ato dhe të pajisjen me targa të përkohshme, të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Drafti final po pret miratimin e Serbisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se drafti final me të cilin është dakorduar pala e Kosovës në kuadër të dialogut për uljen e tensioneve, po pret ende miratimin e palës serbe.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se pala serbe ka vërejtje në mënyrën e trajtimit të veturave me KM, përcjell Bota sot.

Sipas tij, nëse delegacioni i Serbisë do të bindet për tekstin e marrëveshjes pa asnjë ndryshim të mëtejmë, do të ketë një marrëveshje valide mes të dyja vendeve.

Marrëveshja me Serbinë përfshin tri elemente, ku të shtunën do të largohen barrikadat dhe njësia speciale e Policisë së Kosovës nga vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, ndërsa aty do të vendosen forcat e KFOR-it.

Postimi i Bislimit në Facebook:

Sot përgjatë gjithë ditës, ekipi ynë dhe ai i Serbise kishim takime bilaterale me z. Miroslav Lajçak, me synim gjetjen e një zgjidhjeje përmes së cilës do të qetësohej situata në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe njëkohësisht Qeveria e Republikës së Kosovës të garantojë trajtimin e barabartë të qytetarëve të të dy vendeve në sferën e lëvizjes së lirë. Natyrsht se synimi primar i Republikës së Kosovës ka qenë dhe vazhdon të mbetet promovimi i lëvizjes së lirë, andaj edhe vendimi i fundit për përdorimin e tabelave të përkohshme ka qenë i imponuar nga padrejtësia dhjetëvjeqare e autoriteteve në Serbi kundrejt qytetarëve të Kosovës që kanë udhëtuar drejt apo nëpër territorin e Serbisë.

Ne jemi treguar të gatshëm që të mbështesim përpjekjet e përfaqësuesit të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, zotit Lajçak drejt gjetjes së një zgjidhje të pranueshme dhe pas përfarimeve të vazhdueshme kemi arritur tek një draft final me të cilin pala kosovare jemi dakorduar. Pikat kryesore të këtij drafti final janë sa vijon:

1. Të shtunën me datën 2 tetor, forcat e KFOR do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Njësitë e KFOR do të qëndrojnë në vendkalimet kufitare afërsisht dy javë dhe mund të largohen nga vendkalimet pastaj në rast të qetësimit komplet të situatës.

2. Me datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të fillojë zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra-tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër.

3. Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. ky grup do ketë 6 muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka edhe kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe.

Për momentin, kjo marrëveshje ka mbetur të pranohet edhe nga pala serbe e cila ka vërejtje në mënyrën e trajtimit të veturave me KM, për të cilat ka besuar apo kërkuar se do duhej trajtim i privilegjuar. Ne shpresojmë që delegacioni i Serbisë do të bindet për tekstin e marrëveshjes pa asnjë ndryshim të mëtejmë dhe në momentin e dakordimit, mund të themi se kemi një marrëveshje valide.

***

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se kanë arritur marrëveshje me palën serbe sa i përket targave.

“Kemi tentuar që të detyrojmë Serbinë që të largojë edhe procedurat për qytetarët e Kosovës që lëvizin drejt Serbisë. Ky ka qenë edhe rezultati i sotëm dhe mund të themi që është një marrëveshje. Do të preferonim shumë më tepër që të mos ketë asnjë barrierë dhe që të dy shtetet të njohin në tërësi tabelat e vendeve të tjera dhe ky do të jetë objektivi kryesor i grupit punues të cilin do ta themelojmë dhe i cili do të fillojë të takohet që nga data 21 tetor”, tha ai para mediave në Bruksel.

Ai ka thënë se është arritur një draft final e po pritet vetëm miratimi nga pala serbe. Bislimi ka thënë se sipas marrëveshjes, pritet që nga dita e hënë të vendosen stikersat në vend të targave, ndërsa do të caktohet një grup punues për të gjetur zgjidhje të përhershme rreth targave brenda gjashtë muajve. Po ashtu pritet që Policia e Kosovës të zëvendësohet me KFOR-in në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

“Kemi pasur disa takime, të gjitha ishin bilaterale, me z. Lajçak, i cili pastaj ka ndërmjetësuar mes palëve. Qëllimi për ne ka qenë i qartë të arrijmë deeskalimin e të ruajmë reciprocitetin me targa. Deri tash kemi arritur te një draft final, që thuajse është dakorduar në tërësi. Ka mbetur vetëm pala serbe të jap dakordimin final. Marrëveshja parasheh tri elemente. E para nga dita e hënë si Kosova ashtu edhe Serbia të avancojnë në përdorimin e stikersave në vend të ndërrimit të tabelave, që ishte edhe synimi i ynë të kemi trajtim të barabartë. Është e përkohshme dhe do të formohet grup punues për gjetje të një zgjidhje të përhershme për lëvizje të lirë të veturave mes vendeve, brenda gjashtë muajve. Pika e tretë ka të bëjë me deeskalimin e situatës, largimin e barrikadave nga dy pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Sipas kësaj marrëveshje, të shtunën do të vendoset KFOR-i në pikat lartë, e pas disa orëve do të zëvendsohet Policia Speciale, që paralelisht me barrikadat do të largohet nga pikat kufitare”, ka thënë ai.

Bislimi ka deklaruar se e vetmja pikë ku Serbia nuk ka dhënë pëlqimin, para se marrëveshja të quhet e finalizuar, ka të bëjë me veturat KM.

“E vetmja pikë ku Serbia ende nuk e ka dhënë pëlqimin para se marrëveshja të quhet e finalizuar ka të bëjë me veturat KM për të cilat ata mendojnë që nuk do të duhej të aplikoheshin stikersat, kjo është absurde për arsye se ato janë tabela ilegale dhe ne nuk mund të nënshkruajmë marrëveshje ku favorizohen poseduesit ilegal të tabelave kështu që edhe ata do të kishin të njëjtin sistem për aq kohë sa lëvizin në veri, ndërkaq në jug do të konfiskoheshin”, ka thënë Bislimi.

Bislimi ka thënë se qëllim ka qenë trajtimi i barabartë dhe se targat kanë qenë mjet për të detyruar Serbinë të largojë procedurat ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Për Kosovën është me rëndësi të promovohet liria e lëvizjes, barrierat që kemi vendosë në ndërrimin e tabelave nuk ka qenë dëshirë e jona por ka qenë mjeti i vetëm me të cilin ne kemi tentuar të detyrojmë Serbinë të largojë procedurat për qytetarët e Kosovës që lëvizin drejt Serbisë”, ka thënë ai.

Ka shtuar se grupi punues do të fillojë punën nga 21 tetori dhe se objektiv i tij do të jetë që të mos ketë asnjë barrierë e që shtetet t’ia njohin njëra tjetrës në tërësi tabelat.

Bislimi sot në Bruksel ka zhvilluar takime me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak. Në Bruksel gjendet edhe drejtori i të ashtuquajturës zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Palët kanë zhvilluar takime individuale me Lajçakun, ndërsa ende nuk ka pasur një takim trepalësh. 

Image
Besnik Bislimi, Miroslav Lajçak

***

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar edhe një raund të takimeve individuale me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin dhe drejtorin e të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Takimet me ta i ka zhvilluar pasdite, disa orë pasi ishte takuar për herë të parë me ta në Bruksel.

Po pritet që të mbahet një takim trepalësh mes tyre. BE-ja po pret që të ketë jo vetëm takim, por edhe gatishmëri të palëve për të arritur marrëveshjen. Prioritet i parë, sipas BE-së është ulja e tensioneve.

Takime në mëngjes me Bislimin e Petkoviqin ka zhvilluar edhe i deleguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

***

 Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak ka takuar sot ndaras kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në Bruksel.

Ai në një postim në Twitter ka dhënë detaje nga këto takime, që mbahen për herë të parë pas tensioneve në veri të Kosovës për shkak të reciprocitetit për targat e Serbisë.

“Këtë mëngjes, pata dy takime të ndara me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar mënyrat për të zgjidhur krizën aktuale. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona gjatë gjithë ditës”, shkruan diplomati sllovak.

***

Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, të mërkurën u takua në Bruksel me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Escobar, që njëherësh është i dërguar i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se ai po mbështet përpjekjet e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Prioritet numër një është që të ulen tensionet. Ato janë shumë të larta tash dhe duhet të ulen menjëherë”, tha Escobar.

Zyrtari amerikan tha se duhet që urgjentisht të gjendet zgjidhje për çështjen e targave të automjeteve dhe që palët t’i kthehen dialogut, përmes të cilit do të zgjidhen çështjet e hapura.

​Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë takohen sot në Bruksel

Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë do të takohen sot në Bruksel në kuadër të procesit dialogut, në kohën kur tensionet në veri janë ngritur pas reciprocitetit për targat e automjeteve.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano në një përgjigje ka konfirmuar takimin duke thënë se do të mbështesin Kosovën dhe Serbinë për qetësimin e situatës dhe gjetjen e një zgjidhje.

“Mund të konfirmoj se takimi i kryenegociatorëve do të mbahet në Bruksel të mërkurën”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti propozoi të hënën që të dyja vendet të heqin aplikim e targave të përkohshme.

“Nuk ia vlen të kemi targa të përkohshme edhe Republika e Kosovës edhe Republika e Serbisë, po i heqim ato të dyja palët”, tha Kurti.

Partitë opozitare dhe njohësit e procesit të dialogut kërkojnë që Kosova të ketë qëndrueshmëri dhe mos të heqë dorë nga reciprociteti për targat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat