Zhbllokohet veriu i Kosovës: Largohen protestuesit dhe Njësia Speciale, KFOR merr kontrollin

Aktuale

Zhbllokohet veriu i Kosovës: Largohen protestuesit dhe Njësia Speciale, KFOR merr kontrollin

Nga: Bota sot Më: 2 tetor 2021 Në ora: 07:32
Pamje nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar 16:50) - Të shtunën, më 2 tetor, janë zhbllokuar dy pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Raportohet se nga rrugët që çojnë këto dy pika nuk ka më kamiona të protestuesve dhe nga aty është larguar edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.

Pjesëtarët e KFOR-it e kanë marrë kontrollin në këto dy lokacione.

Këto dy pika kufitare janë bllokuar nga serbët lokalë prej 20 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të zbatojë masën e reciprocitetit në targat e makinave të regjistruara në Serbi.

Por, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur pajtueshmëri më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut.

Në një komunikatë për media, KFOR-i ka thënë se, nga kjo fundjavë e deri në dy javët e ardhshme, ky mision do të jetë prezent në këtë zonë, në përputhje me marrëveshjen e arritur dhe me mandatin që ka.

Deri në orën 08:00, njëra korsi e rrugës në Jarinjë ishte liruar nga protestuesit.

Më pas në orën 12:15 kanë nisi largimi edhe i kamionëve të mbetur.

Policia e Kosovës kërkoi që të largohet një mbishkrim në gjuhën serbe mbi një kamion, në të cilin thuhej: “Mirë se vini në Asociacionin e komunave serbe”.

Serbët lokalë fillimisht kanë refuzuar largimin e mbishkrimit dhe janë dëgjuar duke brohoritur, “Serbia, Serbia”, mirëpo më vonë edhe ai kamion është larguar.

Bërnjak/Tërhiqet Njësia Speciale

Njësia Speciale e Kosovës ka filluar të tërhiqet edhe nga vendkalimi kufitar me Serbinë, Bërnjak.

Nga Bërnjaku ka filluar edhe largimi i protestuesve serbë e po ashtu ata kanë larguar edhe barrikadat që kishin vendosur para dy javësh.

Image

Situata është e qetë, kurse tashmë KFOR-i e ka marrë situatën në kontroll.

Serbët kanë pasur kohë deri në ora 16:00 që të largojnë barrikadat.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për reciprocitet para dy ditësh.

Marrëveshja parasheh që serbët të largojnë bllokadat nga rrugët, e që në vendkalimet kufitare të vendosen ushtarët e KFOR-it, po ashtu nga marrëveshje është paraparë që të largohet edhe Njësia Speciale.

***

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është larguar nga pjesa veriore e Kosovës pas 13 ditësh.

Njësitë speciale ishin vendosur aty të hënën e 20 shtatorit, pas vendimit të qeverisë për reciprocitet me targat e automjeteve të Serbisë.

Tërheqja e policisë së Kosovës, ka ndodhur pas largimit të barrikadave nga serbët lokalë që e kishin bllokuar rrugën menjëherë pas vendosjes së policisë atje.

Largohen tendat

Pas largimit të kamionit të fundit, serbët kanë larguar edhe tendat nga Jarinja, ku ata po qëndronin aty për 12 ditë.

Image

Largohet kamioni me mbishkrimin “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe”

Tashmë është larguar edhe kamioni në të cilin ishte i vendosur baneri me mbishkrimin “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe”.

Ndryshe, ky kamion ishte edhe arsyeja pse Njësia Speciale e Kosovës ndaloi largimin, pasi ky mjet nuk ishte tërhequr bashkë me barrikadat e tjera

Është larguar kamioni i fundit i barrikadës së krijuar në Jarinjë. 

Pas largimit të kamionit, rrugët janë të lira për qarkullim.

Ndërkohë, KFOR-i është duke monitoruar situatën edhe me helikopter

***

Në mesditën e së shtunës, Policia e Kosovës ka kërkuar që të largohet një mbishkrim në gjuhën serbe mbi një kamion, në të cilin thuhej:

“Mirë se vini në Asociacionin e komunave serbe”.

Serbët lokalë kanë refuzuar largimin e mbishkrimit dhe janë dëgjuar duke brohoritur, “Serbia, Serbia”.

Policia nis largimin, por ndalon tek kamioni me mbishkrimin “Mirësevini në Asociacion”

Njësia Speciale e Kosovës ka filluar largimin nga pika kufitare në Jarinjë, por më pas kanë ndaluar.

Ndalimi ka ndodhur tek kamioni me mbishkrimin “Mirësevini në Asociacionin e Komunave serbe”, ku edhe po vazhdojnë të qëndrojnë, pasi ky mjet nuk është tërhequr bashkë me barrikadat e tjera.

Kjo ka ndodhur pas komunikimit disa minutash me disa pjesëtarë të KFOR-it dhe me disa protestues serbë.

Image

Lirohen rrugët për qarkullim në Bërnjak

Në rrugën në Bërnjak janë liruar të dyja korsitë për qarkullim, por nuk ka pasur largim të protestuesve. Po ashtu automjetet e tyre tashmë janë vetëm në skaje të rrugës.

Kurse në Jarinjë, serbët ende nuk kanë larguar një kamionë.

Serbët lokalë tash e dy javë kishin bllokuar rrugët me kamionë, duke pamundësuar kështu lëvizjen e automjeteve, e duke detyruar qytetarët të kalojnë në këmbë kufirin.

Megjithatë, rrugët pritet të lirohen sot, sipas marrëveshjes që është arritur para dy ditësh në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.

Marrëveshja parasheh që serbët të largojnë bllokadat nga rrugët, e që në vendkalimet kufitare të vendosen ushtarët e KFOR-it, po ashtu nga marrëveshje është paraparë që të largohet edhe Njësia Speciale.

***

Në një prej pikave në Jarinjë ku janë të grumbulluar disa protestues serbë është ndalur edhe një kordon i Policisë së Kosovës, të cilët janë interesuar për një kamion që vazhdon të qëndrojë ende i barrikaduar në një skaj të rrugës.

Një përfaqësues i Policisë së Kosovës është afruar për komunikim me protestuesit për t’i pyetur rreth atij kamioni, megjithatë është larguar menjëherë pas pak çastesh pa ndonjë përgjigje.

Më pas, përfaqësuesi i Policisë ka pasur edhe një komunikim me përfaqësues të KFOR-it, dhe janë tërhequr përsëri në pozicionin fillestar, para se të nisnin largimin.

Një pjesëtarë i Policisë së Kosovës është dëgjuar teksa thotë se “Ne e kemi planin tonë”.

Derisa numri i pjesëtarëve të KFOR-it është rritur.

Ende mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë.

Protestuesit brohorasin “Serbia, Serbia”

Një grup i protestuesve serbë janë duke brohoritur "Serbia,Serbia".

Derisa disa prej tyre kanë filluar të largojnë barrikadat nga rrugët që qojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Situata është e qetë, ndërsa KFOR dhe Njësia Speciale po vazhdojnë të qëndrojnë në vendkalimet kufitare.

***

Janë tërhequr të gjithë kamionët barrikadues nga pika kufitare në Jarinjë.

Tërheqja u bë pas marrëveshjes në Bruksel për tërheqjen e barrikadave dhe protestuesve ana e Serbisë, si dhe tërheqjen e Njësisë Speciale nga ana e Kosovës

Tërheqja ka filluar në orën 08:00.

***

 Në pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak kanë filluar të tërhiqen në mënyrë paralele bllokadat dhe policët e Njësisë Speciale.

Ata kanë kohë të tërhiqen deri në orën 16:00, sipas marrëveshjes së Brukselit

***

Në ora 12:10 ka filluar largimi i kamionëve dhe automjeteve tjera të cilat për 13 ditë kishin bllokuar rrugën për në kufirin e Jarinjes në drejtim të Serbisë, ndërsa ushtarët e KFOR-it po zëvendësojnë Njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

E gjithë kjo, si rezultat i arritjes së marrëveshjes të para dy ditëve mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, sipas së cilës KFOR-i do të qëndrojë për dy javë pranë pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Situata është e qetë dhe procesi po zhvillohet pa ndonjë incident deri tani.

Një helikopter i KFOR-it është parë në orët e paradites duke vëzhguar situatën herë pas here nga ajri.

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës nuk kanë pranuar të lëvizin derisa të gjithë kamionët të mos kthehen dhe të zhbllokohet rruga në tërësi.

Derisa po raportojmë, mësohet se situatë e ngjashme po mbretëron edhe në Bërnjak, ku kamionët kanë filluar të lëvizin dhe të zhbllokojnë rrugën, ndërsa KFOR-i është vendosur aty në mbrojtje të zyrtarëve doganorë dhe pikës kufitare.

Kjo marrëveshje e përkohshme, nënkupton që nga 4 tetori do të filloj mbulimi i simboleve shtetërore në targat e automjeteve që hyjnë nga Serbia në territorin e Kosovës dhe anasjelltas, ndërsa mbetet që brenda afatit gjashtë mujor të gjendet një zgjidhje e përhershme për këto targa.

Ndryshe, më 20 shtator 2021, Kosova filloi reciprocitetin e targave ndaj Serbisë, me ç’rast të gjitha automjetet që hynin nga Serbia duhej të vendosnin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet në Kosovë, gjë që u prit me protesta dhe bllokim rrugësh nga banorët lokalë serbë, të dirigjuar nga Beogradi. 

I dëmtuan qëllimisht, tani serbët shkojnë në Bërnjak që t’i ndezin kamionët

Serbët kanë shkuar në pikën kufitare në Bërnjak që t’i ndez kamionët dhe t’i largojë ata nga rruga.

Për shkak të bllokimit të rrugës për 13 ditë, bateritë e kamionëve janë dobësuar dhe për largimin nga rruga u duhet ndihmë.

Disa prej këtyre baterive siç merr vesh media janë dëmtuar qëllimshëm në fillet e protestës.

Policët e Njësisë Speciale po vazhdojnë të qëndrojnë atje, derisa automjetet do të largohen dhe do të lirohet e gjithë rruga.

KFOR-i kalon në urën e fundit mbi Liqenin e Ujmanit e cila të dërgon për në Bërnjak

Ushtarët e KFOR-it kanë kaluar në korsinë e cila është liruar për qarkullim në urën e fundit mbi Liqenin e Ujmanit e cila të dërgon për në Bërnjak.

Sot ka filluar të lirohet një korsi pasi ka hyrë në fuqi marrëveshja e Brukselit e cila u arrit mes Kosovës dhe Serbisë më 30 shtator.

KFOR-i monitoron gjendjen në Bërnjak me helikopter

KFOR-i pos nga toka gjendjen në Bërnjak është duke e përcjellur edhe nga ajri.

Një helikopter i KFOR-it është parë duke përcjell tërheqjen e barrikadave nga Bërnjaku.

Vendoset KFOR-i në vend të kamionëve në Ujman

Në vend të kamionëve në Ujman tashmë janë vendosur KFOR-i.

Protestuesit po e mbajnë të bllokuar njërën korsi në rrugën që shkon nga Leposaviqi në drejtim të pikës kufitare në Jarinjë.

Tash e disa orë është liruar njëra prej korsive dhe është shënuar rasti i parë pas 13 ditëve i kalimit të një kamioni me mallra i cili kishte ngelur i bllokuar tek barrikada.

Ndryshe, dy kamionë të tjerë që kanë qenë me targa të Maqedonisë së Veriut të cilët poashtu kishin në plan që të bartnin mallra të ndryshme në drejtim të Serbisë nëpërmjet Kosovës, janë kthyer duke shkuar për Maqedoni, e duke thënë se janë procedurat kufitare të cilat po e bëjnë të pamundur vazhdimin për në Serbi.

Bërnjak: Kamionët po përgatiten të largohen

Tek barrikada e tretë mbi urë, në pikën kufitare të Bërnjakut është duke u bërë testimi i fundit i kamionëve që priten të largohen nga aty.

Çdo lëvizje e kamionëve është duke u filmuar nga KFOR-i.

Studenti serb: Nuk do të protestoja kurrë, shpresoj që gjendja të bëhet më mirë.

18 vjeçari serb, Xhemil Karoviq, tash e disa ditë ka ecur në këmbë për të shkuar në Mitrovicë për të ndjekur mësimet.

Karoviq në një intervistë thotë se e gjithë çështja e protestave të serbëve në veri të vendit është politike dhe se shpreson që gjendja të bëhet më mirë.

“Shkoj në kolegj në Mitrovicë dhe studioj për drejtësi. Zakonisht udhëtoj me veturë ndërsa tani na bie të ecim dy deri në tri kilometra, jam në fizik të mirë e për këtë nuk është problem ecja – nuk është as kjo keq por do të preferoja të shkoja me makinë”.

“E gjitha kjo po ndodh për arsye politike. Nuk kam protestuar për asnjë ditë dhe as nuk do të protestojë”.

“E di se rruga do të lirohet sot pasi në të gjitha televizionet e Serbisë është bërë e ditur kjo, shpresoj që situata të bëhet më e mirë”, tha Karoviq,

Protestuesit serbë po kërkojnë që njëherë të largohet Policia e Kosovës

Në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak është liruar njëra krosi e rrugës që ishte e bllokuar për 13 ditë rresht me mjete të rënda transportuese të mbushura me zhavorr.

Qytetarët serbë po kërkojnë që fillimisht të largohen policia e më pas makineritë e mbetura.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës thotë se ka urdhër të qëndrojë derisa të lirohet komplet rruga.

Ndërsa situata vazhdon të jetë e qetë.

***

Misioni KFOR-it në Kosovë kanë lëshuar një komunikatë për media pas fillimit të vendosjes në Jarinje dhe Bërnjak siç edhe e thotë marrëveshja e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO ka filluar hapat në mbështetje të impelementimit të marrëveshjes së fundit për de-eskalim në veri të Kosovës e arritur në mes të Prishtinës dhe Beoradit në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në komunikatë.

KFOR-i gjithashtu ka treguar se në përgjigje të zhvillimeve në veri të Kosovës, kanë rritur numrin e patrullimeve në rrugët të cilat janë bllokuar nga barrikadat.

“Duke filluar nga ky vikend, për dy javë rresht, KFOR-i do të qëndrojë përkohësisht në këtë zonë, në pajtim me marrëveshjen e përmendur dhe në përputhje me mandatin që derivon nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, për të siguruara një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, përfundon njoftimi.

***

Pas 13 ditësh bllokim, kalon kamioni i parë me targa të Novi Pazarit

Pas 13 ditësh bllokadë, ka kaluar kamioni i parë në pikën kufitare në Jarinje.

Kamioni ishte me targa të Novi Pazarit.

Image
Targat e kamionit

Largohen rreth 30 mjete barrikaduese nga protestuesit serbë

Nga 70 barrikada sa ishin më herët, në ditën e sotme numri i tyre ka rënë në 42, ndërsa po vazhdon ritmi i largimit.

Pjesëtarët e shumtë të KFOR-it janë pozicionuar në pjesën e poshtme, matanë lumit Ibër, shumica prej të cilëve janë KFOR polakë.

Për të ardhur deri aty, KFOR-i ka shfrytëzuar rrugët malore, të cilat janë rrugë alternative

***

Situata po vazhdon të jetë e qetë në pikën kufitare në Bërnjak.

Pjesëtarët polak të KFOR-it tashmë janë stacionuar në këtë pikë kufitare për ta përcjellur nga afër të gjithë gjendjen.

Aty janë parë edhe KFOR lituanez.

 Kordon i gjatë i ushtarëve të KFOR-it në Jarinjë

Në pikën kufitare në Jarinjë tashmë është formuar një kordon i gjatë i ushtarëve të KFOR-it.

Ata janë të të armatosur rëndë dhe e kanë formuar rrethin e tyre të sigurisë operative.

I tërë ky mobilizim është në në kuadër të asaj që këta të paktën për dy javë do të qëndrojnë në pikat ku për gati dy javë kanë qëndruar Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës të cilat u vendosën me 20 shtator.

Policia e Kosovës po qëndrojnë të qetë aty pranë dhe janë futur nëpër autoblindat e tyre.

Njësia Speciale në Jarinjë po e pret udhrin për t’u larguar

Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës të cilët janë duke qëndruar për të 13-ën ditë me radhë në Jarinjë janë gati për t’u larguar nga pozicioni.

Mësohet se ata janë duke e pritur vetëm urdhrin për t’u larguar nga aty, po ashtu të gjithë janë brenda në autoblinda.

Lirohet për qarkullim njëra krosi e rrugës në Jarinjë pas 13 ditësh të bllokimit

Në Jarinjë është liruar njëra krosi e rrugës që ishte e bllokuar për 13 ditë rresht me maune të mbushura me zhavorr.

Aty janë parë duke kaluar tashmë edhe veturat e para që nga lirimi i kësaj krosi.

Image

Serbët nisin largimin e kamionëve

Serbët kanë nisur largimin e kamionëve të vendosur si barrikadë në pikën kufitare në Bërnjak nga serbët.

Kjo pasi sot fillon zbatimi i marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë për targat, përcjell Bota sot.

ImageNë pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak po qëndron edhe KFOR-i.

Më poshtë pamjet.

Image
ImageProtestuesit serbë në numër të vogël qëndrojnë në tendat e vendosura në Jarinjë

Në tendat që janë të vendosura në Jarinjë akoma janë duke qëndruar proestues serbë të cilët janë aty për të 13-ën ditë.

Numri i personave që janë duke qëndruar aty është në numër i vogël.

Nga sot në ora 08:00 e mëngjesit ka hyrë në fuqi marrëveshja për targat e cila ishte arritur në Bruksel më 30 shtator. Sipas të cilës nga Bërnjaku dhe Jarinja duhet të largohen protestuesit serbë dhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Grupi i parë i pjesëtarëve të KFOR-it duke u pozicionuar në Bërnjak

Image

Grupi i parë i pjesëtarëve të KFOR-it është duke u pozicionuar në pikën kufitare në Bërnjak.

Krejt kjo po bëhet në kuadër të marrëveshjes për targat të arritur në Bruksel më 30 shtator sipas së cilës Njësia Speciale njëkohësisht me barrikadat e vendosur nga serbët do të largohen, ndërsa do të vendoset KFOR-it.

Situatë e qetë në pikën kufitare në Bërnjak

Në pikën kufitare në Bërnjak, po vazhdon të jetë situata e qetë.

Ekipi i Klan Kosovës i cili po qëndron atje njofton se para orës shtatë në këtë pikë kufitare kanë takuar një kolonë automjetesh ushtarake të KFOR-it, rreth 10 sosh që lëviznin në drejtim të Bërnjakut, ku fillimisht ata ndaluan dhe u pozicionuan.

Qysh atëherë filloi pozicionimi i parë i këtyre trupave në një rrugë malore, duke filluar ta kenë nën vëzhgim situatën, ku pas 40 minutash ushtarët e KFOR-it filluan të hyjnë në rrugën kryesore.

Para se të hynin në rrugën kryesore, numri i automjeteve u shtua, duke u afruar pranë protestuesve, më pas u futën dy skuadrat e para nga tetë veta dhe më pas një numër më i vogël, në mesin e tyre edhe ushtarë amerikan.

Tashmë ata janë pozicionuar në post bllokun e parë, ku vazhdon të qëndroj ende Njësia Speciale.

Radojevic: E lëshuam një korsi, që të kaloj KFOR-i dhe të pozicionohet

Kreu i Komunës Veriore të Mitrovicës, Milan Radjoevic, ka treguar se në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel, sot kanë filluar lëshimin e një korsie të rrugës në mënyrë që KFOR-it të kalojë dhe të pozicionohet.

“…ata filluan me lëshimin e një korsie në mënyrë që njësitë e KFOR -it të kalojnë dhe të marrin pozicionin”, ka deklaruar Radojevic.

Sipas Radojevicit, pas një veprimi të tillë, duhet që të fillojë tërheqjen njësia speciale e Policisë së Kosovës.

“Ju mund të shihni vetë një numër të madh të ushtarëve të KFOR-it, ne presim që gjithçka të shkojë pa probleme dhe në përputhje me marrëveshjen dhe pa asnjë problem”, ka thënë Radojeviq.

***

Në pikën kufitare në Jarinjë, të shtunën, më 2 tetor, ka nisur të lirohet rruga që ka qenë e bllokuar për më shumë se 12 ditë nga serbët lokalë.

Deri në oren 08:00, njëra korsi e rrugës është liruar nga protestuesit.

Ata kanë nisur t’i mbledhin gjësendet e tyre dhe pritet të largohen bashkë me kamionët. Edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është gati për t’u larguar.

***

Njësia Speciale është gati të largohet nga Bërnjaku. Janë duke u bërë përgatitjen e fundit në pikën afër kufirit.

Policia pritet të largohet me pozicionimin e KFOR-it.

Sot, pritet zhbllokimi i dy pikave në Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Që nga 20 shtatori këto dy pika kufitare janë bllokuar pas vendimit të Qeverisë për reciprocitetin e targave.

Më 30 shtator u arrit ujdia mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për çështjen e targave.

***

Për pak minuta, pritet të fillojë zhbllokimi i pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

KFOR’i tashmë ka nisur vendosjen atje.

Në media janë publikuar pamjet nga momenti i vendosjes së KFOR’it atje

Në këtë orë pritet të përfundojë gjithçka në Jarinjë e Bërnjak

Sot pritet të marrë fund bllokimi i dy pikave kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë. Largimi i barrikadave dhe Njësisë Speciale pritet të fillojë në ora 08:00 dhe të përfundojë jo më larg se në orën 16:00.

Këto dy pika kufitare po qëndrojnë të bllokuara prej 20 shtatorit. Atë ditë, Qeveria e Kosovës mori vendim që të zbatojë masën e reciprocitetit në targat e makinave të regjistruara në Serbi.

Sipas vendimit, makinat me regjistrim të Serbisë, duhet të heqin këto targa në hyrje të Kosovës, dhe të marrin targa të përkohshme gjatë lëvizjes në Kosovë.

Këtë masë, Serbia e zbaton për makinat me regjistrim të Republikës së Kosovës tash e sa vjet.

Por, delegacionet e këtyre dy shteteve, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur pajtueshmëri më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak, ka bërë publike marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel, pas bllokadës në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Të dy palët janë pajtuar në pikat e mëposhtme:

1. Njësitet speciale të Policisë, që për momentin janë të vendosura në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me bllokadat në rrugë, duke nisur nga data 2 tetor, 2021 në orën 8:00, deri jo më vonë se në orën 16:00. KFOR-i do të vendosohet në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, para fillimit të largimit të bllokadave dhe do të qëndrojë mesatarisht dy javë, që të ofrojë mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes.

2.Më 4 tetor, në orën 8:00, do të fillojë vendosja e etiketave ngjitëse, sipas dakordimeve në kornizat e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, derisa të arrihet një zgjidhje e përhershme.

3.Një Grup Punues – i përbërë nga përfaqësuesit e BE-së, palët e Prishtinës dhe Beogradit dhe e kryesuar nga BE-së – do të krijohet, për të gjetur një zgjidhje të përhereshme për targat e automjetëve, të bazuar në praktikat dhe standardet e BE-së. Takimi i parë i Grupit Punues do të mbahet më 21 tetor, 2021, në Bruksel. Gjashtë muaj pas mbledhjes së parë, Grupi Punues do t’i prezentojë formatit të lartë i dialogut të arriturat e tij për një zgjidhje të përhershme.

Image
Kamionët në Jarinjë duke u bërë gati që të largohen nga pika kufitare.
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat