Deputeti i Tropojës: Pse mund të kërkojmë referendum për t’u bashkuar me Kosovën

Aktuale

Deputeti i Tropojës: Pse mund të kërkojmë referendum për t’u bashkuar me Kosovën

Më: 14 tetor 2021 Në ora: 20:25
Isuf Çelaj

Deputeti demokrat i zonës së Tropojës, Isuf Çelaj, ka ngritur nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë alarmin për largimin e investimeve dhe shërbimeve nga Tropoja.

“Si deputet i lidhur ngushtë me Tropojën, kam detyrimin sot të ngre zërin për gjendjen në të cilën ndodhen këto treva, banorët fisnikë të malësisë, si pasojë e harresës së shtetit. Në fakt përkufizimi i duhur do të ishte: mungesës totale të shtetit. Kanë kaluar 8 vite nga qeverisja juaj e Rilindjes dhe në Tropojë nuk është parë më asnjë metër asfalt në rrugët rurale, pra ato që lidhin fshatrat me qytetin dhe mes tyre dhe investimi i fundit në këtë infrastrukturë është në qeverisjen e Partisë Demokratike para vitit 2013”, tha Çelaj.

Sipas tij, është alarmant fakti se tani do të mbyllet edhe Gjykata e Tropojës si pjesë e projektit për rishikimin e hartës gjyqësore.

“Edhe gjykata do të migrojë në Kukës, ashtu si të gjitha shërbimet e tjera. Ky është projekti që ofron pushteti i sotëm për Tropojën. Do ta mbyllë gjykatën dhe drejtësinë do ta ofrojë vetëm në Kukës.

Pra, fjala vjen, një pensionist që i duhet të hapë një çështje gjyqësore për të drejtën e tij, do të duhet të shkojë në Kukës për të marrë drejtësi. Ndërsa të paraburgosurit e qendrës së paraburgimit në Tropojë, do të merren me policë e të dërgohen për masë sigurie në Kukës në vend që të merrnin masën në B.Curri ku ka vite e vite që ofrohet drejtësi me gjykatë funksionale. Tani jo më, dhe kjo falë Rilindjes që Tropojën e ka lënë në harresën e mjerimit.

Thirrja ime ndaj drejtuesve të institucioneve të drejtësisë, Ministrit të Drejtësisë, Presidentit të Republikës që ta shohin rastin e Gjykatës së faktit të rrethit Tropojë, ta trajtojnë si rast specifik për vetë pozitën gjeografike por edhe faktorëve të infrastrukturës dhe distancës me qendrën e qarkut të mos e mbyllim këtë shërbim jetik për qytetarët e Tropojës!” tha Çelaj.

Deputeti tha se është e patolerueshme që Tropoja të ketë probleme me furnizimin me ujë dhe energji elektrike.

“E lënë në harresë, e mjeruar, pa përkujdesje dhe pa investime, Tropoja nuk ka rrugë tjetër vetëm të shpresojë ti kthehen shërbimet ose të mendojë seriozisht të kërkojë referendum për bashkimin me Kosovën, të paktën atje qytetarët e kësaj bashkie marrin shërbimet kryesore,” e mbylli fjalën e tij deputeti në seancën e sotme plenare.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat