​BE lëvdon Kosovën për procesin zgjedhor, kritikon Listën Serbe

Aktuale

​BE lëvdon Kosovën për procesin zgjedhor, kritikon Listën Serbe

Më: 19 tetor 2021 Në ora: 14:25
Foto ilustrim

Votimi i qetë dhe i rregullt në zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë kanë bërë që kjo e fundit të jetë shembull i demokracisë për gjithë rajonin. Kështu po e vlerëson Misioni i Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve të 17 tetorit në Kosovë (EU EOM), me rastin e prezantimit të të gjeturave preliminare të procesit zgjedhor. Kritika pati për komunat me shumicë serbe, për të cilat u tha se konkurrenca politike ishte e kufizuar nga Lista Serbe.

Shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE, njëherësh anëtar i Parlamentit Evropian, Lukas Mandl, theksoi se Lista Serbe ka monopolizuar jetën e serbëve në Kosovë, madje siç tha ai, duke kanosur dhe duke u bërë presion qytetarëve serbë përmes aktivistëve të saj.

Ai tha po ashtu se procesi zgjedhor është organizuar mirë me disa mangësi të identifikuara edhe më herët, siç është kuadri ligjor, në kuadër të të cilit hyn financimi i partive politike.

Mandl tha po ashtu se ka pasur një numër rastesh të votimit të asistuar dhe rregullave për pranimin e letërnjoftimeve me afat të skaduar, teksa shtoi se edhe numërimi i fletëvotime ka marr vlerësime pak më të ulëta për shkak të disa mungesave të konsistencës në mënyrën se si procedurat janë ndjekur.

Mandl: Zgjedhjet komunale të 17 tetorit kanë qenë të organizuara mirë

“Zgjedhjet komunale të 17 tetorit kanë qenë të organizuara mirë dhe janë respektuar liritë themelore gjatë fushatës. Pluraliteti i garuesve ka ofruar për garuesit një zgjidhje të vërtetë, në përjashtim të komunave me shumicë serbe, ku konkurrenca politike ka qenë e kufizuar. Për fat të keq, gratë kanë qenë të nën-përfaqësuara gjatë fushatës dhe përgjithësisht në strukturat e partisë. Financimi i fushatës nuk ishte transparent. Përderisa fushata tradicionale ishte më e heshtur, ajo online ishte më e gjallë. Mediat kanë kontribuar për t’i informuar votuesit ndërsa mangësitë afatgjata në kuadrin ligjor kanë mbetur të patrajtuara”, tha ai.

Mandl bëri të ditur se ditën e zgjedhjeve vëzhguesit e BE-së kanë vizituar afër 400 vendvotime, teksa theksoi se është parë nga afër se administrimi i zgjedhjeve ka qenë i pavarur dhe kredibil.

Sa i përket komunave me shumicë serbe, ku konkurrenca politike ka qenë e kufizuar, ai tha se Lista Serbe ka monopolizuar jetën e qytetarëve atje.

Mandl: Lista Serbe ka monopolizuar jetën e qytetarëve serbë në Kosovë

“Kandidatët e joshumicës kanë bërë fushatë pothuajse ekskluzivisht në komunitetet e tyre e kemi parë që Lista Serbe ka monopolizuar jetën politike të komuniteteve të serbëve të Kosovës dhe siç kanë përmendur disa misione të vëzhgimit të BE-së, ka pasur raste të kërcënimeve dhe presioneve nga kandidatët e Lista Serbe dhe aktivistët e tyre. Kuadri i pamjaftueshëm ligjor për financimin e fushatave mungesa e mbikëqyrjes domethënëse dhe vetëdijesimi i kufizuar i rregullave tek garuesit ka ndikuar në financim jo transparent të fushatës”, theksoi ai.

Udhëheqësja e Delegacionit të Anëtarëve të Parlamentit Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, tha se Kosova është shembull për rajonin sa i përket demokracisë teksa kritike u tregua për Listën Serbe, për të cilën tha se ka ngushtuar hapësirën dhe ka ushtruar presion gjatë fushatës.

Ajo theksoi se ka pasur kërcënime nga Lista Serbe për t'i shtyrë serbët që të votojnë për këtë subjekt politik.

Von Cramon për zgjedhjet e 17 tetorit: Kosova shembull i demokracisë dhe pluralizmit për gjithë rajonin

“Sot më shumë se kurrë, Kosova është shembull në kuptim të pluralizmit dhe standardeve demokratike për rajonin. Dua megjithatë të theksoj disa çështje kritike sa i përket procesit zgjedhor. Për fat të keq, disa çështje sistematike të identifikuara më herët nuk janë evituar ende. Një shqetësim që është ditur nga misioni në vitin 2017 dhe më 2018, e që dua ta ngrisë përsëri, është ngushtimi i hapësirës politike për serbët e Kosovës. Në disa komuna kemi parë një prani të madhe të LS që ka kufizuar konkurrencën mes partive politike. Disa qytetarë kanë raportuar për presione nga Lista Serbe”, tha ajo.

Ndërkaq, apeloi Qeverinë e Kosovës që sa më parë të trajtojë në nivel legjislativ çështjen e financimit të partive politike dhe fushatës zgjedhore.

Von Cramon: Është kruciale që të përmirësohet kuadri ligjor për financimin e partive politike dhe fushatës

“Është po ashtu kruciale që çështja e financimit të fushatës të trajtohet për zgjedhjet lokale. Shumica e bashkëbiseduesve kanë deklaruar se kuadri aktual ligjor duhet të përmirësohet për të ngritur transparencën dhe integritetit e financimit të partive dhe të fushatave. Ne, inkurajojmë autoritetet e Kosovës që ta trajtojnë këtë çështje në nivelin legjislativ sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Von Cramon.

E pyetur lidhur me atë se a kanë qenë vërtetë demokratike zgjedhjet e 17 tetorit duke kujtuar situatën e krijuar pas reciprocitetit në targa me Serbinë, dhe se si e raporton mesazhin e Goran Rakiqit se do të lëshojnë institucionet e Kosovës nëse nuk formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, Von Cramon përsëriti edhe njëherë se ka pasur kërcënim të madh të votuesve ndaj kandidatëve që nuk ishin pjesë e Listës Serbe.

Misionit të BE-së iu shtrua pyetje edhe se sa ka qenë misioni i Vëzhguesve të BE-së është neutral.

Von Cramon: Lista Serbe ka kërcënuar kandidatët që s’kanë qenë të saj

“Ka kërcënim të madh të votuesve ndaj kandidatëve që nuk vijnë nga radhët e Listës Serbe. Kjo është ajo që kemi dëgjuar nga të gjithë bashkëbiseduesit në veri, qytetarë të ndryshëm, dhe prandaj e kemi vendosur këtë në raport. Është në interesin tonë që të shohim një pjesëmarrje më të madhe të partive politike, të kandidatëve në veri. Por, kjo ka munguar. Sa i përket mjedisit të përgjithshëm në veri, kjo është mbi mandatin tim për momentin, por gjithsesi në raportin tonë të PE do ta analizojmë këtë çështje”, tha ajo.

Von Cramon u pyet edhe për liberalizimin e vizave, për çka tha se kjo nuk varet nga Parlamenti Evropian. Ndërkohë u shpreh optimiste që edhe Brukseli do të vlerësojë maturinë dhe pjekurinë e madhe të treguar nga Kosova në zgjedhjet e 17 tetorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat