Abdixhiku për Bislimin: Shqetësohem se kush e përfaqëson Kosovën në dialog

Aktuale

Abdixhiku për Bislimin: Shqetësohem se kush e përfaqëson Kosovën në dialog

Më: 21 tetor 2021 Në ora: 22:10
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se është i shqetësuar që zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e përfaqëson Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel.

Ai deklaroi kështu në Klan Kosova pasi u pyet për deklaratën e Bislimit i cili ka thënë se gazi në projektin amerikan të gazsjellësit do të vjen nga Azerbajxhani dhe Rusia.

“Për besë, nuk dua të jem kështu arrogant, por nuk mund ta marr seriozisht një vlerësim të tillë, është mungesë totale e njohurive bazike të çështjeve të energjisë dhe sigurisë, kaq mund të them. Sepse jemi edhe në muhabet serioz, nuk mund të jap përgjigje joserioze ndaj një deklarimi totalisht joserioz”.

“Frika ime më e madhe është se kush na përfaqëson në dialog, këtë brengë kam, në qoftë se ka kësi mendësie amatoreske të gabimeve kaq të thjeshta, është frikë e madhe se kush Kosovën sot e përfaqëson në dialog. Me këtë qasje, me këtë nivel të mungesës së njohurive është shqetësuese”, ka thënë Abdixhiku.

Tutje ka folur edhe për krizën energjetike.

Abdixhiku, vlerëson se Kosova ka nevojë për sistemin e gazsjellësit amerikan.

Sipas tij nëse vendi nuk lidhet në këtë sistem të furnizimit me gaz, atëherë duhet revitalizim i termocentraleve aktuale, gjë e cila do të ishte shumë e kushtueshme.

“Do të duheshin mbi 470 milionë euro investime që të ketë thëngjill. Duhet të ndërtohet miniera e re”, u shpreh ai.

Tutje thekoi se Kosova ndodhet në krizë energjetike dhe që qeveria duhet të japë një alternativë afatgjatë për këtë.

“Farat e kumbullave nuk janë zgjidhje dhe na duhet alternativë afatgjatë. Gazi është njëra dhe tjetra efiçienca e energjisë. Kur të vjen dita të prodhojmë më shumë, bizneset do të kenë nevojë për energji. Na duhet pavarësi energjetike, njëra nga to është gazi por këta e refuzuan, natyrisht që mbesim në krizë”.

“Këta janë mësuar të thonë  “jo, jo, jo” gjithçka dhe jo të bëjnë një punë të hairit”, tha në fund.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat