Ministria e Drejtësisë i përgjigjet Këshillit Prokurorial

Aktuale

Ministria e Drejtësisë i përgjigjet Këshillit Prokurorial

Më: 25 tetor 2021 Në ora: 21:39
Foto ilustrim

Ministria e Drejtësisë sot ka mbajtur takim me Grupin Punues për Plotësim ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Siç njoftohet, diskutimi nga grupi punues është fokusuar në dhënien e rekomandimeve konkrete dhe kontributit profesional nga ana e anëtarëve të grupit punues në drejtim të përmirësimit dhe kompletimit të draftit punues.

“Gjatë takimit, me theks të veçantë është diskutuar për numrin a anëtarëve të KPK-së, nga 13 në 7, mënyrën e përfaqësimit si dhe mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të KPK-së por edhe çështje të tjera të rëndësishme, me ç’rast diskutimi dhe kontributi i anëtarëve që ishin pjesë e diskutimit, ishte mjaft frytdhënës. Tutje, për publikun është në interes ta dijë të vërteten mbi atë që u deklarua në media për këtë takim dhe vet reagimin e KPK-së lidhur me këtë takim”, thuhet në komunikatë.

Tutje theksohet se në fillim të takimit, nga anëtari i KPK-së, zëvendës Kryesuesi i KPK-së Veton Shabani, përfaqësues në grupin punues, u lexua një deklaratë e përbashkët e KPK dhe Prokurorit të Shtetit, në të cilën kushtëzohej bashkëpunimi i KPK-së me Ministrinë e Drejtësisë.

“Pas leximit të deklaratës së tillë, përfaqësuesit e sistemit prokurorial lëshuan takimin ndërsa grupi punues vazhdoi punën”.

“Kjo qasje nuk është asgjë më shumë përveç se shpërfaqje e mungesës së vullnetit të këtyre të fundit që të merren me adresimin e problemeve që realisht ka sistemi prokurorial dhe gjithashtu shpërfaqë mungesën e veprimit të KPK-së në drejtim të zgjedhjes së problemeve brenda sistemit”.

Sipas MD-së, shqetësuese tutje mbetet fokusi i përfaqësuesve të sistemit prokurorial në reagimet e shpejta ndaj Ministrisë së Drejtësisë, përderisa në anën tjetër çdo ditë publikohen detaje inkriminuese që paraqesin dyshime për vepra penale, e të cilat do të duhej të ishin fokus i sistemit prokurorial, për çka janë të mandatuar me Kushtetutë dhe ligj.

“Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar dhe e vendosur në vazhdimin dhe kompletimin e reformave në sistemin e Drejtësisë në drejtim të ngritjes së llogaridhënies dhe rezultateve dhe gjithashtu, në kthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e Drejtësisë”, thuhet në fund.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat