​Gërvalla: Nuk aplikojmë në organizata ndërkombëtare pa sigurimin e votave

Aktuale

​Gërvalla: Nuk aplikojmë në organizata ndërkombëtare pa sigurimin e votave

Më: 2 nëntor 2021 Në ora: 15:00
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla e ka quajtur të dëmshëm asociacionin e komunave serbe dhe iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur”. Ajo ka thënë se është detyrë e Qeverisë për t’i bindur partnerët ndërkombëtar se këto dyja nuk i kontribuojnë stabilitetit të Kosovës.

Gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane, Gërvalla tha se janë në proces të hartimit të strategjisë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Sipas saj po punojnë paralelisht për njohjet e reja dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale me shtetet, pasi ka një stagnim në këtë aspekt.

Gërvalla, e cila është edhe zëvendëskryeministre, tha se anëtarësimi në organizata ndërkombëtarë do të bëhet në disa etapa dhe se pa i siguruar të gjitha votat nuk do të aplikojnë në asnjërën prej tyre.

Para deputetëve, Gërvalla nuk dha data për liberalizim të vizave, por tha se janë duke punuar me vendet skeptike. Ndërkohë, shtoi se ende nuk ka një përgjigje përfundimtare për projektin e gazsjellësit.

Gërvalla: Open Ballkan dhe asociacioni i komunave serbe, të dëmshme për Kosovën

“Open Ballkan dhe asociacioni i komunave serbe në Kosovë janë dy temat të cilat i kemi analizuar dhe për Kosovën në këtë formë janë të dëmshme. Tash ka dy mënyra ose po i dimë se janë të dëmshme dhe po themi ani se po i implementojmë, ose po themi janë të dëmshme. Duhet të investojmë një pjesë të madhe të punës sonë, komplet aparati qeveritar dhe gjithë ne së bashku, me qëllim që gjithë atyre që kanë interes se këto janë të dëmshme për Kosovën. Asociacioni krijon një Bosnje të dytë në Kosovë”, tha ajo.

Ajo tha se duhet të punohet për njohjen nga pesë vendet e BE-së, pasi katër prej tyre janë anëtare edhe të NATO-së.

Gërvalla: Ka një stagnim të njohjeve të reja

“Statusi i Kosovës është dobësuar me kalimin e viteve, entuziazmi fillestar i vitit 2008-2009 që është i natyrshëm, ku është arritur një numër i madh i njohjeve ndërkohë. Tash ka ardhur koha që kemi një stagnim, përveç njohjes së re nga Izraeli, nuk kemi njohje të reja. Gjatë këtyre viteve është shumë e rëndësishme që në dy shina paralele, në njërën anë të kemi 5 shtetet jo njohëse të BE-së dhe anën tjetër të punojnë intensivisht në ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale që nuk na kanë njohur. Por edhe shtete që na kanë njohur, por as nuk kemi marrëdhënieve diplomatike dhe aktivitet të përbashkët. Ne konsiderojmë se vetëm kjo strategji në disa shina e mundëson një përmirësim dhe forcim të Kosovës në arenën ndërkombëtare, i cili është i domosdoshme”, tha Gërvalla.

Përkitazi me këtë, anëtarja e komisionit, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj pyeti ministren për planet dhe synimet në anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Kadrijaj: Sa jeni përgatit dhe ku synoni të aplikoni në organizata ndërkombëtare

“Sa jeni përgatitur ju si Ministri e Punëve të Jashtme për të aplikuar dhe ku synoni të aplikoni në organizata ndërkombëtare”, pyeti Kadrijaj.

Lidhur me këtë, ministrja Gërvalla tha se anëtarësimi do të bëhet në disa hapa dhe se pa i siguruar gjitha votat nuk do të aplikojnë.

Gërvalla: Pa u siguruar votat, nuk aplikojmë për organizata ndërkombëtare

“Një strategji afatgjatë neve na ruan nga gabimet që mund të bëjmë gjatë procesit. Unë nuk ju tregoj asgjë të re kur them se anëtarësimi në organizata ndërkombëtarë bëhet në disa etapa. Ne bëjmë njëherë identifikimin, strategjinë tonë si t’i qasemi secilës veç e veç. Ne as në publik nuk dalim dhe as nuk fillojmë aplikimin, pa u siguruar votat për anëtarësim”, tha Gërvalla.

E pyetur për liberalizimin e vizave, Gërvalla tha se ka një ndërrim të lehtë të qasjes së dy vendeve skeptike, por ende duhet të punohet për t’i bindur të njëjtat, sidomos në vërejtjet e tyre për sundimin e ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit.

Ajo tha se s’ka ende një datë për liberalizim të vizave, porse po punojnë çdo ditë për ta larguar regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Gërvalla: S’ka datë për liberalizim të vizave

“Neve na thonë se ka të bëjë me tema që ndërlidhen me shtetin ligjor, atëherë ne mbetet edhe me institucionet e tjera që janë kompetente për sundimin e ligjit t’i bindin shtetet skeptike, se cili është realiteti në Kosovë, cilat janë masat që kemi marrë dhe masat që planifikojmë t’i marrim në sektor të ndryshëm. Një pjesë e shteteve që refuzojnë liberalizimin e vizave për Kosovën thirren edhe në temat e shtetit ligjor. Ajo është një fushë ku ne punojnë dhe ndryshojmë këtë qasje. Disa refuzime vinë edhe me zhvillime të brendshme të shteteve. Në njërin prej tyre vitin e ardhshëm ka zgjedhje... Me hapa të vegjël, por megjithatë është punuar dhe ka ndikuar në ndërrim të vogël në dy prej shteteve që janë skeptike, megjithatë sa është përgjegjësi e jona dhe asaj që duhet të ndryshojmë në këtë proces. Unë nuk do t’i përsëris gabimet e të kaluarës se kur zgjidhet ky problem. Por një gjë duhet t’iu siguroj se jemi të vetëdijshme për pengesën reale dhe disfavorin që ka Kosova duke qenë e fundit që i ka qytetarët e izoluar komplet. Mund t’ju siguroj se nuk kalon asnjë ditë pa u bërë një hap dhe punë e vogël drejt liberalizimit të vizave”, tha ministrja Gërvalla.

Kritika ka pasur deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila pyeti ministren Gërvalla për projektin e gazsjellësit dhe ndërlidhjen me njohjen nga Greqia.

Deliu: A është ndërlidhur njohja e Greqisë me projektin për gazsjellësin?

“Ju thatë se Kosovën nuk e kanë njohur pesë shtetet e BE-së, njëra nga to është edhe Greqia, e cila kohëve të fundit ka shfaqur intenca të ndryshimit pozitiv në raport me Kosovën. Dua të shtroj një pyetje, a lidhet kjo me vendimin për gazifikimin e Kosovës përmes interkonjeksionit Greqi-Maqedoni Veriore. A ka ndonjë lidhje për shkak të intencës pozitive që Greqia e ka pasur në raport me njohjen. Mbetem prapë te gazi sepse është çështjen me rëndësi. Dizefikimin për energji me burime të gazit që është shtruar te MSA në raportin për vendin”, tha ajo.

Duke iu përgjigjur deputetes opozitare, ministrja Gërvalla tha se s’ka asnjë ndërlidhje të njohjes së Greqisë me projektin e gazsjellësit, për të cilin tha se ende nuk ka asnjë përgjigje përfundimtare.

Ajo tha se orientimi strategjik në këtë aspekti është i qartë dhe se nuk ka asnjë alternativë të gazit rus dhe atij kinez.

Gërvalla: Nuk ka një përgjigje përfundimtare për projektin e gazsjellësit

“Unë kam zhvilluar shumë biseda me shumë përfaqësues të shtetit grek, jo vetëm me përfaqësuesin e tyre në Kosovë, por edhe përfaqësues tjerë. Në asnjë prej bisedave, gazi jo vetëm që ka qenë kusht, por nuk e kemi biseduar këtë temë. Ne kemi biseduar me Greqinë për themelimin të marrëdhënieve bilaterale në gjitha sferat. Pse jo, edhe gazi që kalon në Greqi ndoshta do të jetë zgjidhja jonë tranzitore drejt një energjie 100 për qind të pastër, ndoshta edhe jo. Këtë përgjigje nuk mund t’iu jep askush në Kosovë, pasi mungojnë shifrat dhe faktet. Mungon relievi nga do të kalojnë tubat, sa do të jetë çmimi dhe sa do të paguajë Kosova... Të gjitha këto ndodhen në një fazë të shqyrtimit që nuk ka një përgjigje përfundimtare të përgjegjshme. Çdo lloj përgjigje që do ta jepnin me këto statistika që kemi, do të ishte e papërgjegjshme, andaj nevojitet kohë dhe angazhim i institucioneve për ta shikuar dhe studiuar me kujdes mundësitë dhe alternativat... Vendimin e 30 shtatorit nuk e ka kuptuar askush si një refuzim të burimeve të energjisë nga gazi, është kuptuar si një hap, pasi pas asaj date do të kishin dështuar. Prandaj këto shkojnë në akumulim të energjisë dhe për gazin jemi në punë e sipër”, tha Gërvalla.

Deputetët opozitarë kritikuan ministren edhe për fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit dhe deklaratat ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Por ministrja Gërvalla përsëriti qëndrimet se deklaratat e saj janë nxjerrë nga konteksti.

Një pjesë e raportimit të ministres Gërvalla në Komisionin për Integrime Evropiane, vazhdoi e mbyllur për medie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat