Aleksandër Vuçiq provokon Kosovën, kërkon bosnjëzim!

Aktuale

Aleksandër Vuçiq provokon Kosovën, kërkon bosnjëzim!

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 10 nëntor 2021 Në ora: 16:06
Albin Kurti a do ta mund Vuçiqin në bisedime

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq edhe njëherë ka provokuar Kosovën duke deklaruar se nuk do të pranohet në bisedime asnjëlloj tjetër asociacioni për komunat serbe, përveç se me kompetenca ekzekutive.

Këtyre ditëve në vazhdimësi, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë deklaruar se është e papranueshme që komunave me shumicë serbe t’ju jepen kompetenca ekzekutive.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në SHBA ka deklaruar se institucionet e Kosovës nuk janë të gatshme ta pranojnë një asociacion me kompetenca ekzekutive dhe që është antikushtetues.

Jo antikushtetues!

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar edhe në media botërore se nuk mund të vije në shprehje një asociacion që ndanë Kosovën, duke iu referuar ngjarjeve dhe problematikave në Bosnje. Ai është shprehur kategorik se nuk mund të lejohet bosnjëzimi i Kosovës. Po ashtu presidentja Osmani, ka theksuar se nuk mund të lejohet një prelud i bosnjëzimit të Kosovës, duke aluduar në kompetencat ekzekutive të një asociacioni serb.

Institucionet e Kosovës gjatë bisedimeve në Bruksel e patën pranuar një marrëveshje me Serbinë, për krijimin e një Asociacioni për komunat me shumicë serbe. Por, pasi marrëveshja u dërgua në Gjykatën Kushtetuese, ajo i hodhi poshtë më shumë se 20 pika të marrëveshjes me vlerësimin se ishin antikushtetuese.

Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është duke insistuar që pikërisht të ndodhë kjo, formimi i një asociacioni të komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive, dhe antikushtetues.

Vuçiqi gjatë promovimit të një fabrike në Kaç, ka kërkuar pikërisht asociacion me kompetenca ekzekutive, ose nuk do të ketë marrëveshje.

“Asociacioni o do të bëhet me kompetencat që jemi marrë vesh në Bruksel ose faleminderit, ne punën tonë, ju tuajën dhe do të takohemi një ditë”, ka deklaruar të mërkurën Vuçiqi duke shantazhuar paraprakisht për rezultatin e bisedimeve.

Çështja e formimit të asociacionit, përkatësisht të çfarësisë së tij duket të jetë nyja kyçe për arritjen e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo deklaratë e Vuçiqit e indikon këtë qëndrim se Serbia nuk ka kërkesa të tjera ndaj Kosovës, aktualisht për të ecur drejt një rezultati final.

Por, deklarimi i presidentit në një vizitë që s’ka të bëjë fare me procesin e bisedimeve, dhe as nuk përbën një takim protokollar të rëndësishëm shtetëror, si ta zëmë, të kishte qenë një takim me udhëheqës të shteteve si të Gjermanisë, Francës apo Rusisë, do të mund të merrej si një fakt i kryer, se kjo është kërkesa e fundit e Serbisë.

Por, duke njohur qasjen diplomatike të Serbisë, do të ishte vetëmashtrim nga institucionet e Kosovës nëse merren seriozisht deklarimet e këtilla.

Serbia që nga viti 2005-2007, nga procesi i bisedimeve në Vjenë, vetëm ka blerë kohë, dhe për këto dekada, vetëm sa e ka forcuar pozicionin politik të serbëve në Kosovë, dhe veçmas në veri. Një lëshim i ri ndaj Serbisë do të ishte një uverturë për ta çuar Kosovën drejt bosnjëzimit.

Lëshime të vazhdueshme

Isha analisti i vetëm, që qysh në vitin 2010, Rezolutën e Përgjithshme të OKB-së për Kosovën e pata interpretuar të dëmshme, për faktin, se Kosova po e pranonte të mbetej e hapur çështja e interesave të serbëve në Kosovë, deri në arritjen e të drejtave për shkëputje. Një orientim të tillë e mbështetë teksti i Rezolutës, i cili e obligonte Kosovën të bisedojë me Serbinë, me ndihmën e BE-së, që të bisedohet për të gjitha çështjet me interes vital për serbët.

Pra, përdorimi i një terminologjie të përgjithshme, ishte hapje e pakos së Ahtisarit, i cili dokument konsiderohej i mbyllur dhe i paprekshëm, i bërë si kompromis nga shqiptarët me qëllim arritjen e Pavarësisë. Pavarësia u arrit, por pas sa vitesh ajo u rihap!

Prandaj, çdo lëshim funksional për interesa të serbëve mund të prek fuqishëm sovranitetin e vendit. Gabimet e bëra nga qeveritë e kaluara në negociatat në Bruksel, nuk duhet të përsëriten.

Kompromiset nuk duhet të jenë qenësore, dhe që i shtyjnë më tej interesat e serbëve.

Prandaj, është thelbësore, që pavarësisht se si ecën procesi i bisedimeve më tej, Kosova ta paqësoj veriun, duke shpërbërë strukturat kriminale, pavarësisht se janë të krijuara nga etnia serbe në Kosovë.

Nuk ka krim ‘hyjnor’!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat