Konfirmohet: Joe Biden do ta ftojë Kosovën në Samitin për Demokraci

Aktuale

Konfirmohet: Joe Biden do ta ftojë Kosovën në Samitin për Demokraci

Më: 12 nëntor 2021 Në ora: 17:24
Presidenti i SHBA-së Joe Biden

(E plotësuar 20:20) - Burime nga administrata amerikane në Uashington kanë konfirmuar se Kosova do të ftohet në Samitin e Demokracisë, i cili organizohet nga presidenti amerikan Joseph Biden, në Uashington më 9 dhe 10 dhjetor.

Sipas burimeve të medias, administrata amerikane e kishte informuar Presidenten Vjosa Osmani rreth ftesës pas takimeve që kishte ajo me përfaqësuesit e institucioneve amerikane, ku ishte diskutuar lidhur me këtë çështje.

Ndryshe, sipas një liste të publikuar një javë më parë nga medium amerikan Politico, nga shtetet e Ballkanit Perëndimor në këtë samit nuk janë ftuar Kosova, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Në anën tjetër sipas këtij mediumi, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë ftuar.

Lista e të ftuarve ishte në nivel informacionesh jozyrtare.

Për mos ftesën e Kosovës ishte deklaruar edhe Ambasada amerikane në Prishtinë e cila ka thënë për mediat lokale në Kosovë se jo të gjithë partnerët kanë mundur të akomodohen në këtë iniciativë.

“Qëllimi ka qenë që të bashkohet një grup rajonal dhe socio-ekonomik i vendeve dhe juridiksioneve, duke përfshirë demokracitë më të zhvilluara dhe ato në zhvillim me diversitet në popullsi, demografi dhe vendndodhje”, është thënë në përgjigjen e Ambasadës.

Mes tjerash është thënë se SHBA-ja vazhdon të jetë e përkushtuar për të punuar me Kosovën në forumet tjera për të avancuar në forcim të demokracisë.

***

Kosova do të ftohet në Samitin për Demokraci që organizohet nga presidenti amerikan Joe Biden mëson Zëri i Amerikës nga burimet e saj në Washington.

Sipas Zërit të Amerikës s’ka konfirmim zyrtar akoma dhe se Departamenti i Shtetit su ka kthyer përgjigje atyre lidhur me këtë çështje.

Gazeta prestigjioze Politico kishte publikuar listën e shteteve që presidenti Biden kishte ftuar për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci më 9 dhe 10 dhjetor, por që Kosova nuk përfshihej në të.

Një grup i organizatave joqeveritare nga Kosova, ka kërkuar përmes një letre që, Shtetet e Bashkuara të shqyrtojnë thirrjen e Kosovës për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci, të organizuar më 9 dhe 10 dhjetor nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Vërtetësinë e kësaj letre e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë njëri nga nënshkruesit e saj, Agon Maliqi, kryetari i bordit të platformës jofitimprurëse, Sbunker.

“Ne jemi të vetëdijshëm për kontekstin delikat të sigurisë në Ballkan, që prodhon ndarje të thella etnike dhe shpesh paqëndrueshmëri. Megjithatë, duke pasur parasysh përparimin e vazhdueshëm që Kosova ka bërë gjatë viteve për të ndërtuar demokraci, por edhe raportet e posaçme mes popullit të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara, ne besojmë se Kosova meriton të jetë pjesë e kësaj iniciative strategjike dhe do të përfitonte nga e njëjta”, thuhet në letër.

Samiti për demokraci do të ketë tri tema kyçe: mbrojtjen kundër autoritarizmit, adresimin dhe luftimin e korrupsionit dhe avancimin e respektimit të të drejtave të njeriut.

Pas takimit të parë dhe konsultimeve në të, Biden do të ftojë liderët botërorë sërish, që të diskutojnë rreth përparimit të bërë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat