78 të burgosur dërgojnë kërkesa për falje të dënimit, Presidenca nuk e pranon asnjë

Aktuale

78 të burgosur dërgojnë kërkesa për falje të dënimit, Presidenca nuk e pranon asnjë

Më: 26 nëntor 2021 Në ora: 09:31
Vjosa Osmani

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka treguar se nga fillimi i vitit 2021, 78 të burgosur kanë dërguar kërkesë për falje të dënimit në burg. Nga Presidenca nuk është aprovuar asnjë deri tani.

Mbi një mijë persona në Kosovë janë të dënuar me vendime të gjykatave.

Ata janë të dënuar me burg për vepra të ndryshme penale, duke filluar nga më të lehtat e deri te më të rëndat.

78 të burgosur kanë kërkuar nga Presidentja që t’iu falet pjesë e mbetur e kohës së dënimit.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

“Lidhur me 78 kërkesat për falje, ju njoftojmë se ato janë bërë për lloje të ndryshme të veprave penale. Çdo kërkesë për falje e ardhur nga të burgosurit, ne i procedojmë te Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues.

Mirëpo deri më tani Presidentja nuk ka nxjerrë asnjë dekret për faljen e ndonjë të dënuari, përcjell Telegrafi.

Nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut thonë se ka persona të dënuar që meritojnë faljen.

“Sipas raporteve tona, ka persona që janë në vuajtje të dënimit e që meritojnë faljen nga Presidentja”, deklaroi Valentina Demolli nga KMDLNj.

Ndërsa njohësit e çështjeve të drejtësisë thonë se Presidentja duhet ta shfrytëzojë të drejtën e faljes por jo edhe ta keqpërdorë atë.

“Presidentja në këtë aspekt është treguar shumë e ngurtë pasi as vitin e kaluar nuk ka pasur të falur”, deklaroi Anton Nrecaj nga instituti Clard.

Ndryshe Ligji për Faljen thotë se vetëm personi i dënuar nga Gjykatat me vendim përfundimtar gëzon të drejtën për të kërkuar falje nga Presidentja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat