Foto e rrallë e perfektit të parë shqiptar të Prishtinës me rastin e 28 Nëntorit

Aktuale

Foto e rrallë e perfektit të parë shqiptar të Prishtinës me rastin e 28 Nëntorit

Nga: I. M. Më: 26 nëntor 2021 Në ora: 18:24
Prefekti i parë i Prishtinës, Hysen Prishtina veshur me kostum të zi dhe borsalinë të zezë në dorë

Një fotografi e rrallë e papublikuar kurrë më parë në media, e perfektit të parë shqiptarë të Prishtinë, Hysen Prishtina, e sjellë publicisti Bajram Mjeku. Ai e ka titulluar fotografinë “Prefekti me borsalinë”, ndërsa e shpjegon se kjo foto ishte bërë në vitin 1941 në ceremoninë e shënimit të 29 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, pjesë e së cilës ishte tashmë edhe Kosova.

Fotografinë Mjeku e ka siguruar nga e bija e Hysenit, Farija e cila jeton në Turqi, por siç kuptohet nga të dhënat ajo ka dy fëmijë, të pagëzuar me emra shqiptar, Besim e Lule.

Në vijim teksti i Mjekut.

“Prefekti me borsalinë”

Përballë hotel “Skanderbeg”, i cili mbas Luftës së Dytë Botërore quhej hotel “Union”, që sot është afër Teatrit Kombëtar në Prishtinë, duket prefekti i parë i Prishtinës, Hysen Prishtina veshur me kostum të zi dhe borsalinë të zezë në dorë. Ai është duke qëndruar në binë para fillimit të manifestimit për shënimin e Ditës së Flamurit më 28 Nëntor të vitit 1941.

Së bashku me prefektin Prishtina janë edhe zyrtarë tjerë të kohës, të cilët nuk kam mundur t’i identifikoj. Në këtë foto, nga e majta në të djathtë janë disa oficerë të lartë italianë, derisa në krahun tjetër është prefekti Prishtina me oficerët kosovarë.

Për herë të parë në historinë e Kosovës, flamuri kombëtar me shkabën dykrenare ka valuar i lirë në Prishtinë dhe gjithandej Kosovës dhe për herë të parë në administratës e kohës është shkruar e folur shqip.

Shqiptarët e Kosovës vitet 1941-’43, ndryshe i kanë quajtur “Tri vjet Shqipni”, pasi asnjëherë në ekzistencën e tyre, nuk kanë jetuar më të lirë dhe më të pavarur se gjatë këtyre tre viteve.

Këtë foto, më ka dërguar para pak ditësh vajza e prefektit Prishtina, zonja Farije Prishtina - Aydin, e cila jeton në Turqi dhe ka dy fëmijë; djalin Besimin dhe vajzën Lulen.

Bajram Mjeku

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat