Dhimbje dhe lot/ Varrosen dy nxënësit dhe shoferi që u vranë në Deçan

Aktuale

Dhimbje dhe lot/ Varrosen dy nxënësit dhe shoferi që u vranë në Deçan

Më: 28 nëntor 2021 Në ora: 12:43
Pamje nga varrimi

(E plotësuar 15:41) -  Qindra qytetarë kanë marrë pjesë në varrosjen e nxënësve Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj, që u vranë të premten.

Dy ditë pas sulmit të një autobusi që po barte nxënës në linjën Gjakovë-Deçan, ende nuk dihet se kush shkaktoi vrasjen e trefishtë. 

Në varrim kanë marrë pjesë edhe Ramush Haradinaj, ministrat Xhelal Sveçla, Armend Mehaj, Donika Gërvalla.

Image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se të dy nxënësve iu këput jeta në lule të rinisë, duke shtuar se edhe në ditën e dytë nuk kanë arritur të kapin dorasit. 

Kurti: Askush nuk e ka imagjinuar që për ditën e Flamurit do të vijmë për zi në Gllogjan

"Askush nuk e ka imagjinuar që për festën e 28 nëntorit, për ditën e Flamurit do të vijmë për zi në Gllogjan. Kemi pikëllim dhe mallëngjim. Por kemi edhe zemërim e indinjatë për këtë vrasje të trefishtë, për këtë akt kriminal e mizor. Policia e Kosovës na ka siguruar që po bëjmë gjithçka që është e mundur që sa më parë të kapin vrasësin dhe vrasësit dhe ta mundësojmë drejtësinë dhe ndëshkimin për ta", ka deklaruar Kurti. 

Image

Kurti shtoi se janë tri pista të hetimeve dhe se ai gjatë ditës do të vizitojë edhe Stacionin Policor në Deçan për t’u informuar rreth këtij rasti. 

Ai pas varrimit ka njoftuar se kushdo që jep informacione për personin vrau tre persona, do të shpërblehet me 20 mijë euro. 

Kurti: Ofojmë shpërblim prej 20 mijë eurove për këdo që ka informacione për vrasjen në Gllogjan

"Ne si qeveri, unë si kryeministër, kemi ofruar edhe një shpërblim prej 20 mijë eurove që kush do që ka një informacion të na shpie te zbardhja apo zbulimi i këtij rasti. I ftojmë të gjithë qytetarët që kanë çfarë do të dhëne që të telefonojnë në numrat e telefonit 0800 1 999 ose 192 dhe me këtë rast në mënyrë steikte ruhet konfidencialiteti i qytetarëve", ka shtuar Kurti. 

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj u ka shprehur ngushëllime familjes Mustafaj dhe Hamzaj, duke i lutur të gjithë të ndihmojnë në zbardhjen e këtij rasti. 

Ramosaj: Nuk ka rast me të rënd se sa të kthehet fëmija nga shkolla në arkivol

"Po uroj që kurrë më nën-pjesëtarët e popullit tanë mos të ketë më këso rastesh e mos të përsëriten më, po askund në botë mos dëgjofshim për rastesh kaq makabre kur fëmijët i pret tek shtëpia që po kthehen prej shkolle dhe me t’u kthy në arkivole, kjo është shumë e rëndë. Apeloj te institucionet e vendit duke apeluar për punën që kanë bërë këto ditë, duke e kryer detyrën e tyre zyrtarë që u takon, mos të ndalen deri sa të zbardhet ky rast. Lus ata që kanë ndonjë informacion të tillë të bashkëpunojnë e organet relevante të këtij shteti", ka thënë Ramosaj. 

Shoqja e te dy nxënësve mes lotëve ka shprehur dhimbjen për bashkëmoshatarët e saj, të cilët u vranë duke u kthyer nga shkolla.

VOX 3: Gllogjan je mësu me vra trima, por jo edhe fëmijë

"Pse Gentë nxitove aq shumë atë natë të hypje në autobus. A e thirre nënën Gentë atë natë ta gjeje darkën në tryezë ta gjeje atë natë, siç e bëre atë natë. Ledion a i tregove Gentës çfarë do të dëshiroje për darkë atë natë, apo e dije edhe ti? O Zot çfarë emri ka kjo vdekje, o Zot çfarë arsyeje ka ky trishtim. O Zot për çfarë na ndave ne. Ledion, Gentë së paku të na tregoje si ta përballonim dhembjen ku ju nuk jeni. Nuk mund të ju them pushoni pasi që nuk ma thotë as goja. Nuk do të ju harrojë kurrë. Do të jeni përgjithmonë ne zemrat tona e në shpirtin tonë. Mallkuar qoftë ajo dorë që ju ndau nga ne. Maturës do ju lëm emrin tuaj. Gllogjan je msu me vra trima, por jo edhe fëmijë", tha ajo. 

Pasditen e së premtes, në fshatin Gllogjan të Deçanit është sulmuar një autobus me armë automatike, ku dy nxënës dhe shoferi kanë vdekur. Ndërsa, një nxënës tjetër, 17 vjeçar, është plagosur dhe po trajtohet në Spitalin e Pejës. 

***

Janë varrosur në Gllogjan të Deçanit dy nxënësit e shkollës së mesme të cilët u vranë të premten në autobusin që po i dërgonte në shtëpi. I vdekur mbeti edhe shoferi.

Qindra qytetarë u qëndruan afër familjarëve të dy të rinjve në ceremoninë e përbashkët të varrimit. I pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti e kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Ai tha “duhet ta forcojmë këtë shtet më shumë, e sidomos sigurinë”.

Një imam i ngarkuar me ceremoninë e varrimit i falenderoi të pranishmit për mbështetjen.

“Vllezër dhe motra, ju falenderojmë përzemërsisht për mbështetjen në emër të familjes Hamzaj”, tha ai.

***

Qindra persona kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të dy nxënësve që u vranë të premten mbrëma në Gllogjan të Deçanit.

Të rinjve u dha lamtumira e fundit në varrezat e fshatit në Gllogjan të Deçanit.

Pamjet nga varrimi mund t'i ndiqni në videon më poshtë të publikuar nga kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj.

***

 Në orën 14:00 ka filluar ceremonia e varrimit të vajzës dhe djalit 17-vjeç që u vranë me armë zjarri në autobus teksa po ktheheshin nga shkolla.

Qindra njerëz në varrimin e shoferit të autobusit  që u vra në Gllogjan

Shoferi i autobusit i cili u vra nga sulmi me armë zjarri që ka ndodhur në Gllogjan të Deçanit është varrosur sot.

Ai u varros me ceremoni fetare, për t’ia dhënë lamtumirën e fundit ishte një numër i madh i familjarëve.

Pos të ndjerit të vrarë nga sulmi mbetën të vdekur edhe dy nxënës, të cilët do të varrosen sot.

***

Qindra njerëz janë mbledhur në varrimin e shoferit të autobusit i cili vdiq nga sulmi me armë zjarri që u bë para dy ditë në Gllogjan të Deçanit.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot. Të vdekur nga ky sulm me armë kanë mbetur edhe dy nxënës të këtij fshati.

Në ceremoninë e varrimit është parë numër i madh i pjesëmarrësve.

Image

Sot në orën 14:00 do të bëhet varrimi i vajzës dhe djalit 17-vjeç që u vranë me armë zjarri në autobus teksa po ktheheshin nga shkolla.

Viktimat do të varrosen në varrezat e fshatit Gllogjan.

I dyshuari i vrasjes së trefishtë ndodhet akoma në arrati.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat