31 të arrestuar për rastin e Subvencioni 2021, Prokuroria jep detaje

Aktuale

31 të arrestuar për rastin e Subvencioni 2021, Prokuroria jep detaje

Nga: G.B Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 15:00
Ilustrim

31 persona janë arrestuar sot me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në disa lokacione të ndryshme të Kosovës, lidhur me rastin Subvencioni 2021, përcjell Bota sot.

Prokuroria njofton se nga 31 të arrestuarit, prej tyre dymbëdhjetë (12) zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK.

Komunikata e plotë:

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, përkatësisht Hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike, kanë realizuar një aksion i cili është vazhdim i aksioneve të mëhershme për  rastin Subvencioni 2021, në disa lokacione të ndryshme të Kosovës.

Prokuroria Speciale njofton se nga ky aksion janë ndaluar dhe intervistuar gjithsejtë tridhjetenjë (31) persona, prej tyre dymbëdhjetë (12) zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK.  Ndërkaq, aksioni është zhvilluar në komunat:

·         Pejë

·         Istog

·         Ferizaj

·         Lipjan

·         Prishtinë

·         Kllokot

·         Vushtrri

·         Podujevë.
Përderisa, nëntëmbëdhjetë (19) persona janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve. Përfituesit e subvencioneve janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me subvencione.

Personat e ndaluar dyshohet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Dhënie e ryshfetit”, “Mashtrim me Subvencione’’, si dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Gjithashtu, gjatë afateve kohore ligjore Prokuroria Speciale do të bëjë kërkesë për caktim e masës së paraburgimit të personave të cilët janë ndaluar nga aksioni i sotshëm. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat