Varianti Omicron/ Kosova dërgon mbi 30 mostra për testim në Gjermani

Aktuale

Varianti Omicron/ Kosova dërgon mbi 30 mostra për testim në Gjermani

Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 12:58
QKUK

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i ka dërguar sot më shumë se 30 mostra pozitive me COVID-19, për të parë nëse varianti Omicron i këtij virusi është i pranishëm në vend.

Këtë e ka konfirmuar Xhevat Jakupi, drejtor i Departamentit të Mikrobiologjisë në IKSHPK.

Jakupi ka treguar se janë dërguar më shumë se 30 mostra për testim në Gjermani.

Ai ka thënë se analizat që kryhen detektojnë variantin Omicron dhe variantet tjera të COVID-19.

“Po janë dërguar sot disa mostra në Gjermani. Nuk e di saktë se sa, por janë më shumë se 30. Mostrat dërgohen atje dhe analizat cilindo variant e detektojnë. Ne dërgojmë në mënyrë të rregullt mostra“, ka thënë ai.

Ndërsa, nga IKSHPK janë shprehur se rezultatet e këtyre mostrave do t’i marrin pas një ose dy javësh.

Kujtojmë që varianti Omicron i COVID-19 ka filluar të përhapet në shumë vende të botës.

Shkencëtarët dyshojnë se varianti Omicron mund të jetë më ngjitës se varianti Delta i COVID-19, dhe mund të shtojë numrin e hospitalizimeve.

Omicron ka 86 mutacione në krahasim me 15 të Delta-s dhe me këtë variant po infektohen edhe personat që janë vaksinuar me dy doza të vaksinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka quajtur një “variant shumë të rrezikshëm për të gjithë globin”. Sistemi Britanik i Shëndetit e përshkruan këtë variant si “më shqetësuesin që është parë ndonjëherë.”

Ndonëse ky variant është përhapur në Evropë, Kosova ende nuk ka raportuar ndonjë rast të infektuar me të.

Në lidhje me gjendjen me pandeminë COVID-19 kryeministri, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi dje kanë mbajtur një konferencë për media ku kanë prezantuar masat e reja Anti-COVID.

Kurti me këtë rast tha se në varësi të situatës do të marrin edhe masa mbrojtësi.

Në vend tashmë është i pranishëm varianti Delta Plus i COVID-19.

Më 10 nëntor të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë kishte bërë të ditur se nga 70 mostra, të dërguara për sekuencionim përmes projektit të ECDC në laboratorët Eurofin, Gjermani, sekuencionimi është bërë në 59 raste, prej të cilave në 12 raste (20.33%) është detektuar varianti Delta Plus (AY.4-like) dhe në 47 raste është detektuar varianti Delta (79,66%),

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat