Ushtria e Kosovës, balancë e frikës dhe forcës, masakrave dhe armatimit kundër Serbisë!

Aktuale

Ushtria e Kosovës, balancë e frikës dhe forcës, masakrave dhe armatimit kundër Serbisë!

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 7 dhjetor 2021 Në ora: 18:46
Armatimi i përfolur se e ka apo mund ta ketë FSK-ja

Ushtria e Kosovës kërkohet që të jetë vërtetë sipas destinimit të saj, balancë e frikës (frikës nga masakrat – nga vrasjet masive) dhe forcës (armatimit) të duhur dhe efikas. E tillë duhet të jetë edhe ushtria e Shqipërisë.

Pse do të duhej që ushtria shqiptare të jetë e tillë?!

Serbia për gati dy shekuj nuk e ka ndalur dhunën sistematike ndaj shqiptarëve, të cilën e ka ndjekur në dy rrafshe.

Elementin e besimit islam, e ka masakruar dhe dëbuar nga shtëpitë e tyre, vetëm nga Sanxhaku i Nishit janë zbrazur rreth 700 fshatra, dhe të gjitha qytetet, duke filluar nga vetë Nishi si kryeqendër historike e shqiptarëve nga antikiteti e deri në shekullin e 19-të e banuar kryesisht nga dardanët.

Elementin ortodoks e shtypi, dhe në emër të fesë ia mundësoi ekzistencën vetëm duke e pranuar tjetërsimin, ndryshimin e identitetit etnik, nga shqiptarë në serb.

Kjo çështje apo kjo linjë krimi nga shteti serb ndaj një popullsie autoktone nuk është hetuar, gjurmuar dhe as nuk është problematizuar.

Edhe eksperti amerikan, bashkëpunëtor i lartë i Fondacionit Jamestoun në Uashington për "Danas"-in e Beogradit, thotë se është shumë shqetësues rritja e kapaciteteve ushtarake nga Serbia, dhe roli që po e luan duke u demonstruar kundër perëndimit. I pyetur se a duhet të shqetësohen fqinjët e Serbisë nga armatosja e shpejtë e saj, Bugajski thotë: "Fqinjët më të vegjël të Serbisë jo vetëm që duhet të shqetësohen, por gjithashtu duhet të rishqyrtojnë pozicionet e tyre mbrojtëse dhe aftësitë ushtarake”. Sipas tij forca ushtarake e Serbisë nuk i bën ballë dot NATO-s,“ por mund të përdoret në rast të luftërave lokale ose në shkallë të vogël në Bosnjë, Mal të Zi ose Kosovë”.

Sipas një dokumenti sekret të publikuar ditë më parë e të përmendur edhe nga, Serbia po synon dyfishimin e forcës ushtarake, në mënyrë që të ketë më shumë se dyfishin e fuqisë ushtarake të katër ushtrive së bashku: Kroacisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnjës.

Projektet e shfarosjes së shqiptarëve

Në anën tjetër në Shqipërinë e Poshtme, është Greqia, ajo po ashtu për gati dy shekuj nuk e ka ndalur dhunën sistematike. Ajo jo vetëm që nuk është treguar mirënjohëse, ndaj shqiptarëve, të cilët janë më meritorët për ndërtimin e shtetit grek, përveç ndihmës ndërkombëtare, por nuk e ndali dhunën sistematike, në kërkim të realizimit të “Megalidesë” për një Greqi të madhe, gjithmonë në kurriz të popullit shqiptar dhe të territorit të tyre.

Pavarësisht se si është zhvilluar Greqia, ajo kurrë nuk ka mundur ta fshijë nga historia e saj, përkatësinë etnike shqiptare të kryeheronjve të saj.

Në ADN greke, është aq e fuqishme simbioza me ilirët, sa që shkenca se përcakton dot, grupin e ADN-së greke dhe të ilirëve të jugut.

Edhe Serbia, nuk do të mund ta fshijë kurrë nga historia, se mbreti i saj Karagjorgje, ishte shqiptarë! Por, Serbia krijoi “Neçartanien”, një program për krijimin e Serbisë së madhe, i ngjashëm me atë grek, për spastrimin dhe vrasjen e shqiptarëve. Ky program vazhdoi të pasurohet dhe të përsoset në kurriz të shqiptarëve dhe fqinjëve të saj.

Ngjashëm me Greqinë ka ndodhur edhe me Malin e Zi. Që të dyja këto shtete e kanë të përbashkët, krijimin e tyre mbi gjakun dhe në shumicën e territorit shqiptar modern.

Një pjesë e territorit sot, ndodhet e tjetërsuar nga sllavomaqedonasit. Madje rasti i asimilimit të shqiptarëve ortodoks në Maqedoni, e ilustron më së miri modelin e asimilimit të shqiptarëve në emër të fesë. Tjetërsimin nga shqiptarë etnik autokton, në maqedonas sllav, jo autokton.

Në kohën kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur, territoret etnike shqiptare ende kishin së paku 92 mijë kilometra katrorë, pa Sanxhakun e Nishit disa pjesë të tjera në Serbi, një pjesë të madhe të territorit të okupuar nga Greqia, dhe pa llogaritur një pjesë të territorit të okupuar nga Mali i Zi.

Që të gjitha shtetet armiqësore ballkanike u rritën pas Luftës së Parë Botërore me territor dhe popullsi: Bullgaria me 29% territor, 3% popullsi; Greqia 68% me territor dhe 67% me popullsi, duke okupuar edhe Çamërinë dhe Maqedoninë e Egjeut, nga territoret shqiptare; Mali i Zi u rrit me 62% territor dhe 100% me popullatë; dhe Serbia 82% me territor dhe 55% me popullatë, sipas Institutit të Historisë, Prishtinë.

Greqia sikurse Serbia ende vazhdon t’i shtypë shqiptarët, madje edhe në këto vite, shqiptarët që kanë shkuar atje të punojnë e jetojnë. Madje as nuk ka lejuar as nuk ka bashkëpunuar në zbardhjen e vrasjeve.

Vetëm nga viti 1991 llogariten se janë ekzekutuar 171 shqiptarë, 97 janë vrarë nga policia.

Për të argumentuar nevojën e një ushtrie të fuqishme shqiptare, e përvijuam humbjen e territorit dhe të popullsisë e përcjellë kryesisht me asimilim të dhunshëm.

Por, arsye tjetër janë edhe ndodhitë tragjike, dëbimet masive dhe masakrat që u kryen drejtpërdrejt ndaj shqiptarëve nga këto tri shtete.

Masakrat serbe – spastrimi etnik i mbi 30 mijë km katrorë

Që kur filloi krijimi i shtetit serb, njëherë si principatë, i nisi politikat hegjemone, duke e spastruar rajonin e Beogradit nga shqiptarët, pastaj atë Kralevës, dhe për të arritur tek spastrimi i madh etnik i mbi 200 mijë shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit gjatë viteve 1876-1878.

Në një përshkrim të asaj kohe, të rrugës që bënin refugjatët shqiptarë për të shpëtuar nga vrasjet masive që i bënin serbët, thuhet: "Nga Gryka e Gërdelicës dhe larg deri në Vrajë dhe Kumanovë, ju mund të shihni kufomat e braktisura të fëmijëve, si dhe pleq të ngrirë deri në vdekje". Shqiptarët pjesërisht u ndalën në vilajetin e Kosovës dhe një pjesë vazhduan drejt Turqisë së sotme, në hapësirat e saj ku mund të zinin vend.

Ndërsa, në Luftën e Parë Botërore, vetëm në Vilajetin e Kosovës nën kontrollin serb në muajt e parë llogaritet të jenë vrarë rreth 25.000 njerëz. Sipas studiuesve të huaj, numri i përgjithshëm i të vrarëve gjatë viteve 1912 dhe 1913 në të gjitha trevat shqiptare nën kontrollin serb, llogaritet të jetë rreth 120 mijë veta, të të dy gjinive dhe të moshave të ndryshme.

Krimet serbe duke përmbushur “Naçaertanien” vazhduan, duke ia marrë pronat shqiptarëve, nëpërmjet të ashtuquajturës ‘reformë agrare’ dhe duke e kolonizuar gjithë ish-vilajetin e Kosovës.

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, e deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore, llogaritet se do të jenë dëbuar rreth 300 mijë shqiptarë, nga ish-Jugosllavia (Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene).

 

Sipas të dhënave më të përgjithshme, që gjenden edhe në vikipedia nga viti 1918 deri në 1938, ushtria serbe i ka djegur dhe shkatërruar 320 fshatra shqiptare. Vetëm në periudhën 1918-1912, janë vrarë 12.346 persona, janë burgosur 22.150 persona, janë vjedhur 50.515 shtëpi dhe janë djegur 6.125 shtëpi. Sipas të dhënave nga Instituti i historisë në Prishtinë, në periudhën e viteve 1919-1940 në përgjithësi janë dëbuar 255.878 myslimanët nga Mbretëria Jugosllave në Turqi, nga të cilët: Shqiptarë: 215.412; Turq: 27.884; dhe Boshnjakë: 2.582 veta.

Po ashtu dëbimi do të vazhdonte edhe me anë të marrëveshjes, Konventës Jugosllavi-Turqi, me të cilin në mënyrë të dhunshme, por pa luftë u dëbuan edhe mijëra shqiptarë të tjerë.

Konventa jugosllave-turke qe nënshkruar me 11 prill 1938, sipas së cilës në pesë vitet e para, nga 1939 deri në 1944, do të dëboheshin për në Turqi 25 mijë familje shqiptare, e cila mund të kishte deri në 250 anëtarë. Aty ishte përcaktuar edhe dinamika rritëse e zbrazjes së Kosovës:
4.000 familje në 1939; 6.000 familje në 1940, 7.000 familje në 1941 dhe 1942 si dhe 8.000 familje në 1943 dhe 1944. Marrëveshja parashihte që një familje mund t'i ketë deri në 250 anëtarë, me gjasë mendohej për një familje të gjerë apo për një mëhallë të vogël. Kjo nënkupton se shqiptarë më nuk do të kishte në ish-Jugosllavi, sepse nëse maksimalisht do të kishte një familje 250 anëtarë, do të bënin 6.25 milionë banorë, por edhe nëse do të kishte 10 fish më pak mesatarja 25 anëtarë, do të dëboheshin 625 mijë veta, praktikisht shqiptarët do të mbeteshin pakica më e vogël në ish-jugosllavi.

Fatmirësisht, ky projekt dështoi përkohësisht, por që komunistët serbo-jugosllav në krye me Titon, dhe bashkëpunëtorët e tij në Kosovë, e realizuan në një masë të konsiderueshme. Sipas historianëve shqiptarë, rreth 300 mijë shqiptarë nga ish-Jugosllavia komuniste u dëbuan drejt Turqisë.

Janë të njohura masakra e Bihorit në Mal të Zi, me mbi 2 mijë të vrarë, masakra e Tivarit me një numër që shkon nga 2.500-4.000, masakra e Gjilanit me rreth tetë mijë viktima. Dhe me dhjetëra masakra në luftën e fundit në Kosovë, dhe me rreth një milion të dëbuar nga forcat serbe.

Masakrat greke....

Masakrat që ka kryer shteti grek, sikurse ai serb janë thuaja të pafundme. Por, po i kujtojmë disa prej tyre:

Masakrimi i shqiptarëve civilë nga ushtria greke nisi në vitin 1913 dhe vazhdoi në vitin 1914, në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë jug-lindore, si në Përmet, Leskovik, Kolonjë, Korçë, Tepelenë, Memaliaj, Skrapar, Berat, Gjirokastër, Sarandë, Delvinë etj. Sipas Gani Vilës, nuk bënin dallim në masakrime as fetare ‘myslimanë dhe të krishterë’, as në moshë, burra, gra, fëmijë, pleq e plaka, në mënyrën më makabre janë ekzekutuar. “U kanë çarë barkun me kama dhe thika nënave shtatzëna dhe janë tallur para tyre me fëmijën e gjallë, të palindur. Me sëpata u kanë prerë kokat fëmijëve e të rriturve, me thika e hanxharë u kanë çarë barkun për së gjalli duke u thëne se me zorrët e tyre do t’i varin, u kanë prerë për së gjalli gjymtyrët, i kanë djegur e i kanë hedhur në pus të gjallë duke vazhduar edhe me torturime psikike. Ushtarët grekë i lidhnin me zinxhirë e litar burrat dhe në sytë e tyre u çnderonin nënat, nuset dhe vajzat e mitura ku edhe vdisnin. Dogjën me mijëra e mijëra shtëpi, në fshatra e qytete, vodhën barbarisht të gjithë pasurinë...”, i përshkruan Vila, një pasardhës i atyre që mbijetuan.

Masakra e Panaritit në Korçë ndodhi në korrik të vitit 1914, ku u masakruan 375 shqiptarë, shumë nga të cilët janë djegur të gjallë nga ushtria greke.

Masakrat në Çamëri kanë mbetur nga më të dhimbshmet, sepse ato i kujtojnë vetë çamët e mbijetuar. Duke nisur me vrasjet e para në qytetin e Paramithisë në 27 qershor 1944, për të vijuar me Filatin në muajin gusht e për të vijuar me kalvarin e emigrimit drejt Shqipërisë, ku shumë të mbijetuar vdiqën gjatë rrugës nga uria, të ftohtit e sëmundjet.

"Gjatë masakrës në qershor në 1944 në një shtëpi në Paramithi u masakruan 30 fëmijë nën 3 vjeç...”

“Unë Idriz Bajrami nga Karbunari Çamërisë vërtetoj se në shtator të 1944 trupat e Zervës të komanduara nga kolonel Kamara dhe nënkolonel Kranja hynë në fshatin tonë dhe vranë nanën time Luftie Bajrami vjeç 60 me 5 gra të tjera Mehani Isufi së bashku me nusen e djalit Saja (Gjylsim Vehipin) Kadrije Hamdinë dhe nanën e Simo Dodit nga Paramithia. Me këtë rast ushtarët zervista vranë 39 persona në fshatin tonë gra pleq dhe fëmijë, ndër të cilët Osman Pasha, Neime Rexhepi, Kadrie Metushi me 3 vajzat dhe të vjehrrën Mine Jahja, Zeqir Duli, Hajrije Xhemo dhe të bijën Mate, Fatime Xhaferin me dy të bijat, Dul Mellija, Shaqire Abedini, Sherif Feimi, Ramadan Jasini, Haxhi Aliago, Isa Omer, Hamide Husnija, Hajredin Mane, Haneme Tahire, Hasije Alush, Zubo Shpata e të tjerë të ndjekur nga trupat e Zervës dhe që strehoheshin në Karbunarë. Janë vrarë 6 veta në Kardhiq: Xhafer Lushi së bashku me gruan dhe me djalin Tafil Isai, Hadër Bazi dhe Lako Kasemi. Për këto krime të shëmtuara të kryera ndër fshatare të pafajshëm kërkoj që komisioni të shkojë në vende të Çamërisë për të hetuar të vërtetën mbi barbarizmat e pa mëshirshme të kësaj ushtrie.”

Rrëfim i dëshmitarit Idriz Bajrami – Sarandë më 27 shkurt 1947

Citim sipas librit “Masakrat në Çamëri”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat