Takim në Bruksel, kjo është deklarata e Këshillit të Evropës pas takimit me Kurtin

Aktuale

Takim në Bruksel, kjo është deklarata e Këshillit të Evropës pas takimit me Kurtin

Nga: A.M. Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 18:28
Takimi ne Bruksel

Të martën është mbajtur takimi i katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Kosova në këtë takim, është përfaqësuar nga kryeministri i Kosovës, albin Kurti.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja Donika Gërvalla, ministri Hekuran Murati, ministri Xhelal Sveçla, ministri Liburn Aliu dhe zëvendësministrja Nita Shala.

Kurse, delegacioni i BE-së u kryesua nga Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë,  Josep Borrell, dhe përfshinte Komisionerin për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili e përfaqësonte Komisionin Evropian.

Ndërkaq, Këshilli Evropian, në ditën e sotme e ka dërguar një deklaratë për media, ku në të Kosova paraqitet me fusnotë.

Deklarata e plotë:

Deklaratë e përbashkët për shtyp pas takimit të katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës*, 7 dhjetor 2021

Në takim në Bruksel, anëtarët e Këshillit të Stabilizim Asociimit (Këshilli i SA) shqyrtuan progresin e Kosovës në rrugën e saj Evropiane pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian 2021 për Kosovën.

Palët diskutuan zhvillimet e fundit në lidhje me përmbushjen e kritereve politike, si dhe gjendjen aktuale në lidhje me kriteret ekonomike, bashkëpunimin financiar dhe implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Palët mirëpritën përkushtimin e ripërtërirë të Kosovës në rrugën e saj evropiane. Ata ranë dakord për nevojën për të vazhduar me reformat, duke përfshirë zbatimin e fazës së dytë të Agjendës për Reforma Evropiane, dhe duke u mbështetur në të arriturat e deritanishme të Kosovës. Kjo kërkon përqendrim të shtuar nga të gjithë aktorët politik, forcimin e kapaciteteve administrative dhe një strukturë efektive koordinuese brenda institucioneve të Kosovës.

Palët përsëritën rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Vendimi për propozim mbetet në shqyrtim në Këshill. Palët morën parasysh edhe zhvillimet pozitive në rritjen ekonomike të Kosovës, duke marrë parasysh projeksionet e fundit të institucioneve të Kosovës prej 9.9 për qind për vitin 2021.

Palët diskutuan prioritetet e reformës në fushat themelore dhe vunë në dukje zotimin e qeverisë për ta përmirësuar sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimin e të drejtave themelore; reformën e administratës publike; zhvillimin ekonomik; si dhe arsimin dhe punësimin. Sa i përket Dhomave të Specializuara, pjesëmarrësit e çmuan bashkëpunimin e treguar nga autoritetet e Kosovës. Palët ranë dakord për nevojën për përkushtim të vazhdueshëm nga Kosova, në përputhje të plotë me kornizën e saj ligjore dhe detyrimet e saj ndërkombëtare, me përpjekje të mirëfillta për ta garantuar sundimin e ligjit, liritë themelore, drejtësinë dhe të punojë për pajtim.

Takimi nënvizoi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të negociuar dhe arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizim me Serbinë. Kjo është thelbësore ashtu që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse Evropiane. Të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të respektohen dhe të implementohen plotësisht.

Palët ranë dakord për rëndësinë e pjesëmarrjes aktive dhe konstruktive të Kosovës në mekanizmat e bashkëpunimit rajonal, posaçërisht në Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, që u miratua në Samitin e Sofjes 2020, dhe që Kosova të përfitojë plotësisht nga Plani Ekonomik dhe Investiv, i cili do ta forcojë zhvillimin afatgjatë të rajonit, rimëkëmbjen e qëndrueshme, reziliencën e shëndetësisë dhe tranzicionin e gjelbër dhe digjital, dhe do të ndihmojë për të avancuar në rrugën Evropiane.

Kosova njoftoi për synimin e saj për të aplikuar për anëtarësim.

Takimi u kryesua nga kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti. Në delegacionin e Kosovës ishin zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja Donika Gërvalla, ministri Hekuran Murati, ministri Xhelal Sveçla, ministri Liburn Aliu dhe zëvendësministrja Nita Shala. Delegacioni i BE-së u kryesua nga Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, z. Josep Borrell, dhe përfshinte Komisionerin për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerim, z. Olivér Várhelyi, i cili e përfaqësonte Komisionin Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat