Ekskluzive: Si e masakruan luftëtarin Skënder Gashin?! / Për çka e akuzonte Hashim Thaçin!

Aktuale

Ekskluzive: Si e masakruan luftëtarin Skënder Gashin?! / Për çka e akuzonte Hashim Thaçin!

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 16 dhjetor 2021 Në ora: 20:04

A ekzistonte ndonjë kod, që mund të ndalte vrasjen e luftëtarëve të pafajshëm? Është e habitshme lehtësia me të cilën vendosej për ekzekutim një luftëtar, një politikan, një ithtar i vërtetë i lirisë dhe demokracisë!

Vrasja e luftëtarit Skender Gashi, ishte njëra prej atyre, që thuaja më tronditi sapo lexova për përfundimin tragjik dhe trishtues të jetës së tij.

Nuk gjeta asnjë shkrim që bënte fjalë për hetimin e vrasjes së këtij të riu, 21 vjet më parë. Disa njerëz nuk kanë fat të jetojnë më shumë se aq, dy dekada, sapo i qasen jetës. Dhe për kaq kohë, prokurorë, policë hetues dhe gjykatës, nuk kanë gjetur as kohë dhe as motiv, t’ia hedhin një sy dosjes së tij.

Kërkim i ri

Nga një kërkim krejtësisht rastësor dhe i sipërfaqshëm, gjeta një dimension të ri, të shkaktarit apo edhe të shkasit për ekzekutimin e Skender Gashit.

Skender e kishte përfunduar shërbimin ushtarak në Mostar, në Bosnje, në kohën që ende ekzistonte Jugosllavia komuniste. Ai nuk mund ta pranonte amatorizmin në ushtri, kështu që me lehtësi i bindej profesionistëve ushtarak. Ai si duket e kishte pasur shumë për zemër komandant “Drinin”, edhe pse nuk ka prova nëse dikujt i ka rrëfyer se mund ta dinte kush ishin vrasësit e Rexhës.

Ai njihej për karakterin e fortë. Në procesin gjyqësor për “Drinin”, gjykatësja e kishte pyetur dikur të dyshuarin, dhe më pas dëshmitarin në këtë proces, se nëse kishte dëgjuar se Skënder Gashi është vrarë pasi që ishte dëshmitar i vrasjes së komandant Drinit”? Kësaj pyetje i ishte përgjigjur me mohim, Xhemajl Beqiraj.

Skender Gashi, 28 vjeçar, ishte vrarë më datën 17 shtator, sipas informacionit të gjykatëses në rastin “Drini” të vitit 2000, por sipas pllakës memorialë, ku ai është vrarë, rezulton me 18 shtator.

Gashi u ekzekutua sa ishte duke shkuar në punë, sikurse edhe vet “Drini”, vetëm se ky ishte epror në Qendrën Stërvitore të TMK-së në Sallagrazhë. Ai ishte vrarë pas më shumë se katër muaj pas ekzekutimit të komandant “Drinit”, ky i ekzekutuar në oborrin e shtëpisë në Prizren me 8 maj, 2000.

Pse, dhe a ju deshën kaq shumë kohë, mbi 4 muaj, grupit kriminal për ta ekzekutuar atë luftëtar?! Mundësia që ai të ketë qenë dëshmitar mund të jetë njëri shkak, apo edhe motivi për ekzekutimin e tij.

Por, sipas rrëfimit të siguruar nga gazeta “Bota sot”, Skender Gashi e kishte bërë një deklaratë të ashpër ndaj Hashim Thaçit, vetëm tri ditë para ekzekutimit të tij.

“Pas tri dite ai u masakrua tërësisht dhe e kishin fut në një thes”, thotë ky burim. “Duke folur për Thaçin e akuzoi se po rrinë me kriminelë dhe me drogagjinjë në restorant “Adora” në Xerxë të Rahovecit”.

Pavarësisht që kurrë nuk fliste se mund të dinte për vrasjen e “Drinit”, ai e gjykonte ashpër vrasjen e tij.

Po ashtu si shumë viktimave të krimit politik, edhe Skender Gashit i është bërë një lapidar me 2 gusht të vitit 2021.

Aty morën pjesë bashkëpunëtorë, përfaqësues të OVL UÇK-së Rahovec, familjarë të Skenderit, bashkëluftëtarë. Lapidari është vendosur si duket në vendin e ekzekutimit, ndërmjet fshatrave Sapniq dhe Nashpall, në vendin e quajtur “MEGJAT”.

Image
Lapidari kushtuar Skender Gashit në vendin e vrasjes

 

Dëshmia në gjykatë për Skender Gashin

Kryetarja e trupit gjykues, Dumlao, në rastin “Drini” që po mbahej në rigjykim me 6 dhjetor 2005, u kishte bërë pyetje direkte se çfarë dinin për vrasjen e Skender Gashit, dëshmitari Xhemajl Beqiraj, dhe i dyshuari apo nxitësi kryesor për vrasjen e Rexhës, eprori ushtarak Sali Veseli.

“I pyetur për vrasjen e Skënder Gashit më datën 17 shtator, pothuajse në të njëjtën mënyrë sikurse Drini, rrugës duke shkuar në punë, dëshmitari Beqiraj tha se ka dëgjuar për këtë vrasje dhe se me gjeneral Veselin kanë shkuar në vendin e ngjarjes. “A keni dëgjuar se Skënder Gashi është vrarë pasi që ishte dëshmitar i vrasjes së komandant Drinit”? ka pyetur prokurori, kurse dëshmitari është përgjigjur: “Jo”. Dëshmitari Beqiraj tha se nuk e ka punësuar asnjë njeri për të vrarë ndonjë person.”

Image
Skender Gashi me armë gjatë luftës në vjeshtën e vitit 1998

Po ashtu kryetarja e trupit gjykues, Dumlao, i kishte kërkuar Sali Veselit në atë seancën gjyqësore të mbajtur në dhjetor të vitit 2005, që ta komentonte vrasjen e Skënder Gashit. “Ai ishte komandant i logjistikës dhe kam ndjerë dhimbje kur kam dëgjuar për vrasjen e tij. Kam shkuar në vendngjarje ku i kam gjetur KFOR-in dhe policinë, dhe nuk më kanë lejuar të kaloj ta shoh viktimën dhe vendin e krimit. U kam ndihmuar edhe moralisht edhe financiarisht, edhe kur ka qenë babai i tij i sëmurë, i cili fatkeqësisht i ka vdekur”, ka deklaruar Veseli, transmetonin mediat atë kohë.

Është interesante dëshmia në këtë proces gjyqësor (Rasti Drini) e dëshmitarit Xhemajl Beqiraj, i cili ka qenë i arrestuari i parë në rastin “Drini”. Kur po dëshmonte në gjykimin e Sali Veselit, si i dyshuar për pjesëmarrje në vrasjen e ushtarakut Rexha, i ka akuzuar dy eksponentë si tepër të rrezikshëm, që mund të kryenin çdolloj krimi.

“E vërtetë është. Bashkim Ndrecajt dhe Remzi Shalës ua kam frikën, sepse ata e kanë një rreth të gjerë. Ata janë një grup ‘Bin Ladenash’ në krye me Bislim Zyrapin. Në këtë aspekt nuk e kam lajmëruar rastin e fëmijëve në Budakovë, sepse kam dashtë ta gjej kohën e duhur. Le ta dijë gjykata dhe Kosova se nëse më ndodhë diçka, familja ime nuk kërkon askund tjetër vetëm tek Shala, Ndrecaj dhe Zyrapi. Unë jam fukara. M'i dha më herët prokurori pesë euro, pesë të tjera i kam lyp për të ardhur në gjykatë, por për me rrejt s’ka pare që më blen. Unë jam për ta ndihmuar drejtësinë dhe nëse dëgjoj diçka vetë do të vij të tregoj. Por, unë jam një piun në shahun që po luhet”, e citonin mediat që raportonin nga procesi, Beqirajn.

Skender Gashi gjatë luftës ishte njohur me nofkën “SIGI”, në UÇK, ishte pjesë e Zonës Operative të Pashtrikut, Brigada 124 ″Gani Paçarizi”. Kishte lindur në vitin 1972 në fshatin Sapniq të Rahovecit.

Image
Skender Gashi me ushtarë

Për shkak të vlerësimeve shumë të mira për figurën e tij, Gashi ishe emëruar epror i lartë i Zonës së II të TMK-së dhe komandant i Batalionit të Logjistikës në Sallagrazhë.

Në luftë kishte ardhur nga Austria duke e braktisur punën atje.

Por, kanë kaluar 21 vite nga vrasja e tij, makabre, me mjete të ndryshme, dhe ende nuk ka gjurmë që është arrestuar dikush apo as se si kanë rrjedhur hetimet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat