Pse u acarua Ramushi kur Albini i përmendi 200 hektarët?!

Aktuale

Pse u acarua Ramushi kur Albini i përmendi 200 hektarët?!

Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 21:12
Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

Një nga arsyet e fuqizimit e më pas fitores së thellë të Vetëvendosjes në Kosovë, është edhe arroganca e elitës së vjetër politike në lidhje me mirëqenien e tyre personale.

Ish-komandantët e kthyer në politikanë nisën të pasuroheshin dita-ditës, të visheshin gjithnjë e më shik me tesha të shtrenjta, më pas me automobila luksozë e bënin jetë mondane.

Me kalimin e kohës e kapërcyen dhe këtë fazë, duke u kthyer biznesmenë e pronarë të mëdhenj pasurish të paluajtshme.

Aq i dukshëm ishte ky fenomen në Kosovë, sa që në vitin e parë pas çlirimit, kryeadministratori i parë i Kosovës, Bernard Kushner, në një bisedë me Adem Mikullovcin, i ftuar në emisionin e tij bëri batutën e famshme.

Kur Mikullovci me humor e pyeti pse s’po hap ordinancë private, ngaqë ishte mjek e të fitonte para, Kushner ja ktheu: “Më mirë do të ishte të hapja pompa benzine”. Batutë e qartë për politikanët e rinj që kishin marrë në dorë tregtinë e derivateve.

E kështu pasurohu e pasurohu, duke i bërë karshillëk popullit që varfërohej çdo ditë, erdhëm në situatën kur ky zemërim popullor u orientua politikisht.

E duke ju kthyer aktualitetit, qeveria e Albin Kurtit, mund të ketë, e natyrisht ka gabime e probleme në funksionimin e saj, megjithatë nisma për të formalizuar deklarimin e pasurisë nga nëpunësit publikë, nuk është asgjë tjetër veçse një standard që e ka çdo shtet i Bashkimit Europian.

E kur në Kuvend, Albin Kurti i përmendi Ramush Haradinajt se ai zotëronte 200 hektarë tokë, kreu i AAK u xhindos shumë sa nuk i iku inati për 24 orë, që më pas e shfryu edhe në studion e Adriatik Kelmendit.

E në fakt nuk ka faj që u nxeh, ngase nuk është gjë e vogël, mjafton që për thjeshtësi kuptimi ta kthejmë këtë sasi hektarësh në metra katrorë.

Të cilët bëjnë as më pak e as më shumë, por 2 milionë metra katrorë, e për rrjedhojë 2 kilometër katrorë.

Kur e gjithë Kosova, me male e me cepa është e gjitha 10 mijë e tetëqind e tetëdhjetë e shtatë kilometra katrorë.

“E kam ble sipas të gjitha ligjeve dhe kam ble tokën e babës”, tha Ramushi, kur në fakt askush s’e kupton këtë logjikë kur njëri paguan e blen një pronë që e ka të vetën.

Po si shumë latifondist na doli Ramushi?

Siç e tha vetë ai, kjo nuk përbën ndonjë të re. Pasi është ditur edhe në të shkuarën, por efekti që bënte në publik ishte krejt i ndryshëm.

Ngase mjedisi që kishte mbjellë elita e vjetër, solli pasojë që të mos bëjë përshtypje pasuria e madhe e Ramushit, pronat e Hashim Thaçit, apo franchise i Isa Mustafës e djalit të tij për të përfaqësuar BMW-në në Kosovë, e kështu me radhë.

Nuk bënte përshtypje pasi të gjithë kush më shumë e kush më pak, nga radhët e politikanëve të Kosovës ishin të kamur, ndërkohë kur erdhën në politikë kishin qenë si shumica e qytetarëve; ose kurbetli, apo familje normale që jetonin me tokën e blektorinë.

Me ardhjen në politikë të modelit Kurti, i cili në të gjithë kohën që drejtoi një opozitë të fortë ndaj sistemit të elitës së vjetër nuk ndryshoi pasuri, madje mbajti një qëndrim “spartan” në lidhje me këtë çështje, filluan të tingëllonin ndryshe pasuria marramendëse e politikanëve.

Lajmi që Ramushi ka 200 hektarë tokë, edhe pse paraardhësit e tij nuk kanë qenë beglerët e Dukagjinit, nuk është krejt i ri. Por sot ky lajm ka efekt më të rëndë në publik,  pasi njerëzit e lexojnë ndryshe këtë mesazh dhe shikojnë një pabarazi mjaft të madhe.

Në zgjedhjet parlamentare, Ramushi nuk pësoi efektin e dy partive të mëdha, por mori sërish atë pjesë të tijën që duket se e ka feud në Rrafshin e Dukagjinit, pra 8-9% të votave.

Por elektorati në zgjedhjet lokale i dha më shumë besim dy partive të vjetra PDK e LDK sepse ata ndryshuan kupolën e tyre tërësisht, duke emëruar liderë të rinj.

E tani duket i ka ardhur radha Ramushit. Ky është efekti domino që ka dhënë Albin Kurti në politikën e Kosovës. Një revolucion mentaliteti në radhë të parë, ku latifondistët e pasanikët e rinj nuk pranohen më si liderë politikë. Ndaj i dogji shumë Ramushit…/Pamfleti 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat