Kusari-Lila për shtrenjtimin e rrymës: Këtë gjendje nuk e sollën deklaratat e anëtarëve të LVV-së, por veprimet e mosveprimet e partive në pushtet

Aktuale

Kusari-Lila për shtrenjtimin e rrymës: Këtë gjendje nuk e sollën deklaratat e anëtarëve të LVV-së, por veprimet e mosveprimet e partive në pushtet

Më: 20 janar 2022 Në ora: 10:35
Mimoza Kusari-Lila

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se mungesa e vendimeve ndër vite në veçanti në sektorin e energjisë po ndjehet sot më shumë se kurrë.

“Sado që duan ta faturojnë këtë situatë energjetike qeverisë aktuale, duhet të bëjmë  një reflektim mbi rrethanat e mungesës së vendimmarrjes që kishin të paktën 6 qeveri tjera përpara”, tha Kusari-Lila.

Ajo përmendi dy mundësi të mëdha që Kosova kishte vite më parë për të stabilizuar situatën energjetike.

“Dy shanse të humbura të cilat sot më së shumti e kanë ndikimin në situatën energjetike janë ato të ndërtimit të kapaciteteve të reja në vitin 2008-2009, kur Kosova kishte 4 kompani serioze ndërkombëtare të interesuara për të investuar në termocentralin Kosova C, dhe një shanse tjetër e humbur në vitin 2015 e kompanisë Bilfinger e cila kishte sjellë propozimin para qeverisë për renovimin komplet të njësive të Kosovës A”, tha ajo.

Kusari-Lila shtoi se është e kot që problemet e sotme të ju atribuohen anëtarëve të LVV-së dhe deklaratave të bëra vite më parë.

“I kot është rikthimi i deklaratave të anëtarëve të LVV-së në periudha të caktuara duke iu referuar situatës së sotme. Nuk janë deklaratat e anëtarëve të lëvizjes që e sollën këtë gjendje, janë veprimet ose mosveprimet e partive në pushtet me të cilat e sollën faturën që sot po ballafaqohemi të gjithë”, tha Kusari-Lila.

Ajo shtoi se deklaratat që bëhen lidhur me çmimet e energjisë në Shqipëri e Maqedoni të Veriut, janë të pavërteta.

“Krijohet bindja se të dy vendet janë të stabilizuara. Sipas shifrave të Eurostatit, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë energjinë më të shtrenjtë në rajon”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat