VOA: Rritje e madhe e të infektuarve, shqyrtohen masat kufizuese në Kosovë

Aktuale

VOA: Rritje e madhe e të infektuarve, shqyrtohen masat kufizuese në Kosovë

Më: 20 janar 2022 Në ora: 16:22
Foto ilustrim

Autoritetet në Kosovë thanë se një person ka humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit nga pasojat e COVID-19, ndërsa janë konfirmuar 2 mijë e 708 raste të të prekurve nga koronavirusi.

Ministria e Shëndetësisë tha se numri i të infektuarve u konfirmua pas 10 mijë e 883 testeve, që do të thotë se afro 25 për qind e të testuarve dolën pozitiv.

Një rritje e tillë e numrit të të infektuarve nuk është parë që nga muaji gusht i vitit të kaluar, kur Kosova u përball me situatën më të rëndë shëndetësore.

Nga data 1 janar e deri më sot janë regjistruar 10 mijë e 856 raste te reja.

Nga janari gjashtë veta kanë humbur jetën nga pasojat e sëmundjes, duke e çuar në 2 mijë 996 numrin e atyre që kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë.

Më herët gjatë ditës, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se pothuajse të gjitha rastet e reja janë të prekur nga varianti Omicron i koronavirusit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi përditësim të masave kufizuese. Në një takim të Komitetit për Bashkërendim dhe Vlerësim të situatës me pandeminë, ai tha se “masat e reja kufizuese duhet të synojnë ngadalësimin e rritjes së shkallës së infektimit”.

Që nga tetori i vitit të kaluar janë në fuqi masat e ndalimit te lëvizjes së qytetarëve nga mesnata deri në orën 05:00, ndërsa kafenetë e restorantet punojnë deri në oren 23:00.

Që nga 3 janari kushdo që dëshiron të hyjë në Kosovë duhet të dëshmojë se është vaksinuar me dy doza kundër COVID-19, apo të paraqesë një test negativ./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat