​Haradinaj: Produktet e Serbisë e kanë pushtuar tregun e Kosovës, ky është reciprociteti mashtrues i Albin Kurtit

Aktuale

​Haradinaj: Produktet e Serbisë e kanë pushtuar tregun e Kosovës, ky është reciprociteti mashtrues i Albin Kurtit

Më: 22 janar 2022 Në ora: 13:36
Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherit kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me importin që Kosova bëri nga Serbia gjatë vitit që lamë pas.

Ai tha se derisa në Qeverinë Kurti Kosova importoi mallra nga Serbia në vlerë rreth 300 milionë euro, në qeverisjen e tij Serbia mund të shiste 4 milionë euro produkte të saja duke paguar edhe taksën 100 për qind.

Për rikthimin e tregut kosovar nga Serbia pas reciprocitetit dhe rënien e trendit të eksportit me këtë shtet, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë se nga Serbia dominojnë dy industri kryesore të cilat eksportohen drejt Kosovës, industria ushqimore, si dhe industria e materialit ndërtimor.

Megjithëkëtë, Haradinaj derisa ka kërkuar nga qytetarët që të shohin këto shifra, ai tha se produktet e Serbisë e kanë pushtuar tregun e Kosovës, kështu që ai theksoi se ky është reciprociteti mashtrues i Albin Kurtit.

“O Popull, shpenzojeni një minutë për të parë çka është reciprociteti i Albin Kurtit. Në qeverinë time Serbia mundi që për një vit t’i shesë 4 milionë euro produkte të vetat edhe atë duke paguar taksë 100%! Në qeverinë e Kurtit kjo shifër vetëm për vitin 2021 ka mbërritur në mbi 300 milionë! Sot produktet e Serbisë e kanë pushtuar tregun e Kosovës. Ky është reciprociteti mashtrues i Albin Kurtit!”, ka shkruar Haradinaj.

Derisa top pesë vendet kryesore nga janë importuar mallrat në vendin tonë, pas Gjermanisë është edhe Serbia, e cila shënon rritje në vitin 2021, në 300 milionë euro, krahasuar me vitin 2020, ku importi prej Serbisë ishte 174 milionë euro.

“Në aspektin e importit të produkteve nga Serbia, gjatë vitit 2021, kemi pasur në vlerë të mallrave rreth 300 milionë euro që paraqet një ulje në krahasim me periudhën paraprake. Në kohën kur Serbia ka eksportuar mallra drejt Kosovës vite më parë ka qenë deri 450 milionë euro, ndërsa në vitin e kaluar kjo paraqet një ulje në këtë aspekt. Derisa sa i përket eksportit të produkteve tona ka rënë drejt shtetit serb. Në vitin 2021, kemi pasur vetëm rreth 2 milionë euro eksporte drejt Serbisë më 2021... (fund) Krahasimi me periudhën kur ka pasur reciprocitet ose kur ka bllokadë ose zero import prej Serbisë, normal që është trend rritës”, theksoi Stavileci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat