Ukraina në pritje të një sulmi nga Rusia, reagon Ambasada e SHBA-së në Kosovë

Aktuale

Ukraina në pritje të një sulmi nga Rusia, reagon Ambasada e SHBA-së në Kosovë

Më: 23 janar 2022 Në ora: 17:59
Foto ilustrim

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka thënë se qëndron me Ukrainën, e cila është në pritje të një sulmi nga Rusia.

SHBA-ja ka paralajmëruar se Rusia mund ta pushtojë Ukrainën, ndërsa tashmë ka shtuar numrin e forcave ushtarake pranë kufirit dhe ka rreshtuar shumë automjete ushtarake, gati për luftë.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë qëndron me Ukrainën”, shkruan sot Ambasada Amerikane në Prishtinë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Twitter të shtunën, ka treguar se cili është pozicioni i Kosovës rreth konfliktit që mund të ndodhë në mes të Ukrainës dhe Rusisë.

Kosova tashmë ka bërë të qartë se qëndron me Ukrainën, kundër trashëgimtares së Bashkimit Sovjetik — Rusisë.

“Republika e Kosovës qëndron me Ukrainën”, ka shkruar Osmani, duke shpërndar një “tweet” të MPJ-së së Ukrainës, ku tregohet se si forcat ruse janë mbledhur rreth kufijve.

Ukraina ka qenë pjesë Bashkimit Sovjetik deri më 1991 kur edhe u shpërbë shteti në të cilin ndodhi Revolucioni i Kuq i Tetorit.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se ukrainasit dhe rusët janë një popull, ndërsa liderët e shtetit të Ukrainës, sipas Putinit, po drejtojnë një projekt “anti-rus”.

Këto dy shtete kanë pasur konflikt edhe më herët. Në vitin 2014, Rusia e aneksoi Krimenë – Krahinë e Ukrainës deri në atë kohë.

Presidenti i SHBA-së, Joseph Biden, lidhur me konfliktin që mund të ndodhë së shpejti – sipas situatës aktuale – ka thënë se nëse Rusia e sulmon Ukrainën do të ketë sanksione të mëdha, megjithatë ka bërë me dije se SHBA nuk do të përfshihet ushtarakisht në këtë konflikt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat