Zyrtari amerikan, mesazh Qeverisë për tokën e Manastirit të Deçanit

Aktuale

Zyrtari amerikan, mesazh Qeverisë për tokën e Manastirit të Deçanit

Më: 27 janar 2022 Në ora: 19:59
Gabriel Escobar

I dërguari i presidentit të SHBA-së, Joseph Biden, për Ballkanin Perëndimor — Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova duhet ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për t’u regjistruar toka në kadastër, siç parashihet në vendim.

Pyetja: Në letrën e Sekretarit të Shtetit, Blinken, kryeministrit Kurti i kërkohet që Kosova do të duhej të zbatojë vendimet e gjykatës, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave. Sa e kuptojmë ne, ka të bëjë me një vendim të vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese në të mirë të Manastirit të Deçanit, me të cilin vendoset që 24 hektarë tokë i takojnë manastirit. A pritni që Kosova ta përmbushë këtë kërkesë të Shtëpisë së Bardhë?

“Qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe këmbëngulës: ky rast ka të bëjë me sundimin e ligjit, jo etninë, politikën apo fenë. Vazhdojmë t’i bëjmë thirrje qeverisë që ta zbatojë vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese dhe ta regjistrojë tokën. Qeveria Kurti është zgjedhur në bazë të platformës të fokusuar në forcimin e sundimit të ligjit. Respektimi i vendimeve gjyqësore nuk është çështje që mund të zgjedhësh dhe sigurisht nuk është çështje e negociatave, politikëbërjes apo ujdive”, ka thënë Escobar.

Kontesti gjyqësor rreth çështjes se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyll – ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit – ka zgjatur 16 vjet.

Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit, por ai nuk është zbatuar, ndonëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe detyruese për të gjitha palët.

Tash e disa vite, bashkësia ndërkombëtare u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që ta zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe ta lejojnë Manastirin që ta regjistrojë tokën në kadastër.

“Gjendja e tanishme e ngrirë, status quo, në Dialog nuk po funksionon. Eksodi i vazhdueshëm i të rinjve kosovarë po vazhdon. Presim që si Kosova, ashtu edhe Serbia t’i respektojnë zotimet e mëhershme për njëra-tjetrën. Qeveria e Kosovës është zotuar që të ketë një Asociacion i komunave me shumicë serbe (AKS). Në mënyrë urgjente të arrihet marrëveshje finale mes Kosovës e Serbisë”, këto janë mesazhet që i përcjellë Gabriel Escobar, i dërguari i Presidentit Joe Biden për Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk e cenon sovranitetin e Kosovës. Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, thotë se çdo marrëveshje përfundimtare që do të jetë e pranueshme nga populli i Kosovës dhe nga ai i Serbisë do të jetë e pranueshme edhe për SHBA-në.

Escobar flet edhe për raportet e SHBA-së me Qeverinë Kurti. Ai ende nuk ka dijeni se kryeministri Albin Kurti mund të udhëtojë për një vizitë zyrtare në SHBA.

Pak ditë para ardhjes në Prishtinë, ku do të qëndrojë për 3 ditë radhazi, Gabriel Escobar thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të përdorin të gjitha veglat në dispozicion, përfshirë sanksionet, për të ndëshkuar ata që ai i quan aktorët e këqij dhe destabilizues dhe organizatat dhe bizneset që i mbështesin ato.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat