Thirrjet për revoltë popullore, në “prag” të pushtimit të Ukrainës! / Skenar rus a serb?!

Aktuale

Thirrjet për revoltë popullore, në “prag” të pushtimit të Ukrainës! / Skenar rus a serb?!

Nga: Idriz Morina Më: 28 janar 2022 Në ora: 15:49
Njësia speciale në veri

Thirrjet për rënie të Qeverisë, me ‘kryengritje’ me protesta janë tepër të dyshimta, veçmas për shkak të kohës në të cilën po bëhen këto thirrje.

Rusia ende nuk është gati ta sulmojë Ukrainën. Edhe ajo po përpiqet të krijojë aleatë sa më shumë që mundet përballë perëndimit të trazuar, dhe të barrikaduar jo pak tashmë. Por, një aleancë, pa të cilën sulmi ushtarak i saj duket se nuk ka kuptim është, aleanca në Ballkan.

Ndikimi rus në Ballkan

Ajo aktualisht ka ndikim në Bosnje, në Republikën Serbe dhe në Serbi. Në shtetet tjera ndikimi saj shkon duke u reduktuar.

Në Mal të Zi edhe pse në NATO ende ka ndikim, dhe ngjarjet e atjeshme po përpiqet t’i kanalizojë nëpërmjet partive serbe, ku ka investuar Rusia.

Shteti ndodhet para një krize të madhe qeveritare, ndërsa vazhdon të qeveriset nga partitë serbe, që njëkohësisht janë edhe proruse.

Ngërçi politik, dhe përpjekjet për një qeveri të pakicës, ku partitë shqiptare pritet të jenë pjesë e qeverisjes, ende nuk kanë dhënë rezultat.

Në Bosnje, në Republikën serbe thuajse çdo gjë është e përgatitur. Lideri i saj prorus Dodik, vetëm pret sinjalin nga Putini, për ta shpallur të pavarur Republikën serbe, dhe fundin e federatës boshnjake. Nuk është habi, që gjatë kohës sa tensionet janë në rritje në Ukrainë, nëse atje nuk e sulmon Ukrainën, që të ndërhyjë në Bosnje, duke e shfrytëzuar mjegullën që po e krijon në perëndim.

Serbia është po ashtu duke ndenjur në një këmbë, për të pritur një sinjal rus për të kryer një inkursion në veri.

Ajo që është më e rëndësishme, Kosova, përkatësisht veriu i vendit është seriozisht i kërcënuar nga Serbia, madje qëllime këto të shprehura haptazi nga Presidenti i vendit fqinjë dhe të përcjella nga komandanti i ushtrisë serbe. Pra, kërcënimet janë bërë në zinxhirin më të lartë të sigurisë, nga komandanti suprem dhe nga vartësi i tij, komandanti i ushtrisë, njeriu i parë në hierarkinë ushtarake.

Këtë analizë apo edhe opinion nuk e kam shfaqur vetëm unë, por edhe studiues dhe ekspertë amerikanë të strategjive politike ndërkombëtare.

Prandaj, Kosova nuk ka kohë aktualisht për ndryshime qeveritare, e para sepse vetë opozita nuk beson në fitore nëse zgjedhjet do të mbaheshin në pranverë.

Ta shohësh Dardan Molliqajn duke bërë ftesë për ‘kryengritje’, një njeri që vetëm humbje dhe rrënim politik ka njohur, që kur është dalur nga Vetëvendosja, është naive dhe e frikshme ta marrësh seriozisht.

Po ashtu një politikë të ulët, dhe të karakterit hibrid e ka ndjekur ai dhe partia e tij në Kamenicë, ndoshta duke e viktimizuar edhe vetë Qëndron Kastratin.

Protestat qytetare janë legjitime për rrymën, sepse pavarësisht se si vendoset (kush i paguan faturat), ata nuk i shpëtojnë goditjes së tyre.

I kujt është KEDS-i?!

Në Kosovë ende nuk është zgjidhur dilema, se i kujt është KEDS-i, kush është pronari legjitim, jo ai legal, sepse kjo e fundit dihet se është një kompani turke.

Por, ende jo vetëm nga analistë, gazetarë hulumtues, por edhe nga zyrtarë të shtetit thuhet se prapa privatizimit të një pjesë të KEK-ut, ka qëndruar Hashim Thaçi. Më e pakta është se nëpërmjet këtij privatizimi në KEK, dikush ka përfituar shumë në interesat e tij.

Sidoqoftë pyetja është se a e kanë seriozisht deputetët e PDK-së, kur po kërkojnë që çmimi i energjisë të mbetet i njëjtë, pavarësisht afrisë së dyshuar për KEDS-in, privatizim ky për të cilin kryeministri Albin Kurti, pat premtuar se do ta hetonte apo anulonte në tërësi, për të cilën çështje ka protestuar ai vetë dhe partia e tij.

Po sipas tyre, KEDS-i më shumë ka përfituar vetëm nga mallrat në depo, dhe mjete të tjera, se sa i ka kushtuar vetë blerja.

Një blerje që do të duhej të kushtonte rreth 300 milionë euro, është paguar në një të dhjetën e vlerës.

Prandaj, nga opozita veçmas PDK-ja kërkon ngërç. Sepse ajo nuk mund të dal kundër interesave të KEDS-it, që ta rrezikojë falimentimin e saj. Pse nuk tha asnjëherë le të thyejë KEDS-i kokën, nuk pranojmë shtrenjtim të rrymës, le ta gjejë ku ta gjejë, sepse më lirë se falë i ka blerë astetet e pafundme të KEK-ut.

Pra, pse opozita nuk kërkon hetimin e privatizimi dhe anulimin e tij, por i kërkon Qeverisë ngërç, të mos e lejojë shtrenjtimin e çmimit të rrymës, as mos ta paguajë Qeveria dallimin e çmimit apo zotimin për subvencionim me 75 milionë euro. Në fakt kjo është vetëm retorikë për konsum, sepse ata janë pro rritjes, por vetëm duan ta fajësojnë Qeverinë, dhe ta kënaqin KEDS-in në fund.

Është e vërtetë që Qeveria dhe KOSTT-i, kanë gabuar shumë që nuk e kanë përcjellur me kohë, trendin e shtrenjtimit të energjisë elektrike. Një zgjidhje ka qenë që të bënte marrëveshje gjatë verës për blerje në dimër të rrymës, ose të reagonte dhe të blinte kur çmimi po shtrenjtohej.

Një opozitë e çorientuar në kohë dhe hapësirë!

Kështu deputetja e PDK-së, e cila nuk njihet se ka pasur ndonjë qasje të dallueshme kritike për politikat qeverisëse në vend, veçmas ka qenë konformiste kur PDK-ja ishte në koalicione, për t’i shtuar vendit rrëmujën retorike për rrymën, e akuzon edhe presidenten pse hesht, e madje e zhvillon më tej ‘akuzën’ se ajo po tregon varësi ndaj Qeverisë.

“Por, për një çështje kaq të rëndësishme që e rëndon jetën e të gjithë qytetarëve tanë, hesht znj. Osmani, e cila ushtron funksionin e Presidentes, pozitën me të lartë shtetërore në Kosovë”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.

Presidenca, as kjo e tashmja dhe as në të kaluarën nuk janë përfshirë në debate për çështje të pastra qeveritare.

Por, Deliu duhet t’i pyesë edhe biznesmenët, ata furnizuesit e mëdhenj, që vazhdojnë ta bombardojnë Kosovën me produkte serbe, dhe neve na ‘kripin me çmime dhe kualitet’. Pra, me çmime të shtrenjta dhe me cilësi të dyshimtë.

Qumështi, vaji, e produkte të tjera elementare tashmë kushtojnë sa në Europë, Gjermani, Austri, e dallimi është vetëm në cilësi, pra në mungesë të saj në Kosovë. E këta biznesmenë, kryesisht janë njerëz që e kanë mbështetur opozitën e sotme, ose janë biznese që kontrolloheshin nga tri grupet e mëdha kriminale dhe politike, i Dukagjinit, i Drenicës dhe i Llapit.

Pra, zinxhiri i krimit është i gjatë, dhe sërish mbështillet kryesisht rreth bosëve të mafisë politike dhe ekonomike.

Qeveria nëse e dëshiron suksesin duhet t’i godasë dhe shpërbëjë ato grupime. Ndërsa, çmimet ndërkombëtare nuk ka qeveri që i rregullon, shtrenjtimet në kohë krizash kanë ndodhur gjithmonë dhe vazhdojnë të ndodhin, sikurse edhe gjatë qeverisë Hoti, kur vendi u izolua si pasojë e pandemisë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat