Lëvizjet e para/ Ekspertët e delegacioneve Kosovë-Serbi shkojnë në Bruksel

Aktuale

Lëvizjet e para/ Ekspertët e delegacioneve Kosovë-Serbi shkojnë në Bruksel

Më: 28 janar 2022 Në ora: 21:36
BE

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera në Ballkan, Miroslav Lajçak, ka njoftuar rreth takimit të katërt që ekspertët nga Kosova dhe Serbia kanë pasur sot në Bruksel.

Lajçak ka njoftuar se delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, po diskutojnë në Bruksel rreth çështjes së targave. Sipas tij, diskutimet sollën qartësi që potencialisht mund të sjellin rezultate.

Tutje, emisari i BE-së ua çoi një mesazh Kosovës dhe Serbisë që të punojnë në mënyrë që të arrihet rezultati final.

“Delegacionet e ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë kanë ardhur sot në Bruksel për takimin e katërt të Grupeve Punuese për Targat. Diskutimet sollën më shumë qartësi në lidhje me opsionet e mundshme dhe rezultatet e mundshme. I inkurajoj ata që të vazhdojnë të punojnë për opsionet në funksion të afrimit të afatit”, ka shkruar ai në Twitter.

Takimet e grupeve punuese parashihen në pikën e tretë të marrëveshjes për targat, të cilën dy shtetet e arritën në Bruksel më 30 shtator. Dy pikat e para të realizuara ishin zhbllokimi i pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak dhe tërheqja e policisë nga atje, si dhe mbulimi me letra ngjitëse i simboleve shtetërore në targa.

Kjo marrëveshje u arrit pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targa ndaj Serbisë dhe dërgimin e Njësisë Speciale të Policisë për të mbikëqyrur zbatimin e vendimit. Në kundërshtim të tij, serbët për rreth dy javë bllokuan rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Zgjidhja për mbulesë të targave është zgjidhje kalimtare dhe pika e tretë parasheh gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat