Kleriku i fundit i ekzekutuar me vdekje me vendim gjykate, Dom Mikel Beltoja

Aktuale

Kleriku i fundit i ekzekutuar me vdekje me vendim gjykate, Dom Mikel Beltoja

Nga: Kastriot Dervishi Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 13:54
Pas arrestimit të priftit, ekzpozimi i gjësendeve private, kinse si prova për akuzë

Hilë Gjergj Gjoni, lindur në vitin 1935 në Beltojë të Shkodrës, i njohur ndryshe si Dom Mikel Beltoja është kleriku i fundit i ekzekutuar me vdekje me vendim gjykate. Regjimi e bëri shembull sepse ai ushtronte fenë edhe pse ajo ishte ndaluar. Madje sendet e tij, ia ekspozoi popullit. Është fiksuar kjo foto teksa fëmijëve dhe kooperativistëve iu tregoheshin orenditë që përdorte kleriku. U arrestua më 19.4.1973. U akuzua në bazë të neneve 64 (tradhtia ndaj atdheut) në kombinim me nenin 10 (përgatitja dhe tentativa), nenit 73/1 (agjitacioni dhe propaganda), nenit 239/2 (kundërshtimi përfaqësuesit të pushtetit) dhe nenit 185 (mashtrimi, d.m.th. feja konsiderohej “mashtrim”). Gjykata e Rrethit Shkodër, me vendimin nr.229, datë 4.9.1973, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje, pushkatim. U la në fuqi me vendimin nr.1775, datë 6.12.1973 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Nuk pranoi të nënshkruajë kërkesë për faljen e jetës. Presidiumi i Kuvendit Popullor në mbledhjen e datës 30.1.1974 refuzoi t’i falë jetën. Në mungesë të dokumenteve të tjera plotësuese, d.m.th. praktikës së ekzekutimit, e cila nuk është gjendur, besohet se vrasja të jetë bërë më 1.2.1974. Te rasti i Hilë Gjonit, spikat qëndrimi i qartë antikomunist, i demonstruar në sallën e gjyqit dhe botërisht. Ai ishte i akuzuar, por akuzoi publikisht klikën e Enver Hoxhës dhe regjimin e tij antikombëtar. Në vendimin e Gjykatës së Lartë, ndër të tjera thuhet: “Ai është shprehur haptazi kundër sistemit kooperativist, në mbrojtje të armiqve të popullit, kriminelëve të luftës, etj., udhëheqësit e partisë dhe të shtetit i ka quajtur servilë dhe të shitur në vendet e tjera. Haptazi gjithashtu, ka deklaruar ndër persona të ndryshëm se në qoftë se do të ndryshojë gjendja politike e vendit ‘nuk kam çka të bëj tjetër, vetë se këto komunistët dhe me i pa jo të pushkatuar, por me i gri copa me brisk rroje’. Bile edhe gjatë hetimit si dhe gjykimit të çështjes, i gjykuari ka mbajtur të njëjtin qëndrim armiqësor, gjë që vërteton se ai është i vendosur në rrugën e tij prej armiku të betuar të pushtetit popullor”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat