Lutfi Haziri: Asociacioni temë e vështirë, por të jemi serioz me SHBA-të

Aktuale

Lutfi Haziri: Asociacioni temë e vështirë, por të jemi serioz me SHBA-të

Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 18:04
Lutfi Haziri

Kërkesa kryesore e vizitës së përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE-së në Kosovë, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak ishte vazhdimi i dialogut.

E pas kësaj vizite, besohet që do të ketë lëvizje pozitive dhe takim ndërmjet Kosovës e Serbisë në procesin e dialogut.

Kështu tha Lutfi Haziri, shef i Ekipit Negociator të LDK-së.

Ai tha se duhet të ketë  konsensus sa më të gjerë politikë në mëyrë që dialogu të hyjnë në formatin e bisedimeve ashti siç është paraparë.

“Vizita e fundit ka demonstru politika të përbashkëta lidhur me dialogun mes SHBA-së dhe BE-së si dhe ka kërku lidership politikë edhe vullnet politikë nga pala e Kosovës për të vazhduar dialogun si prioritet kryesor. Besoj që pas asaj vizite do të ketë lëvizje pozitive duke përfshirë edhe takim eventual, por duhet me pas konsensus sa më të gjerë politikë edhe në Republikën tonë, në mënyrë që dialogu me hy në formatin e bisedimeve që është paraparë”, tha ai.

Sipas Hazirit, në vazhdën e dialogut, prioritet duhet të jetë çështje e personave të zhdukur, pasi sipas tij vetëm kështu mbyllet plaga më e madhe e luftës.

“Çështje e bisedave, çështje e takimeve, çështje e negociatave, kjo do të varet shumë se sa mundet me arrit që palët me demonstru arsyeshmërinë, mënyrën se si do të duket Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, ose nevoja për mos me ekzistu fare, kjo është çështje që do të zbardhet në negociata. Çështja e personave të zhdukur, çështje me prioritet, dhe çështje të cilët palët duhet me vazhdu, me nda informata në mënyrë që me u mbyll si plaga më e madhe  e luftës”, u shpreh ai.

Haziri thotë se edhe Asociacioni është një nga çështjet e vështira.

Por sipas tij, që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse duhet vullnet politikë, e jo takime “vetëm për t’u takuar”.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është një nga 8 çështjet që duhet me u mbyll përmes procesit të negociatave përkundër që është marrëveshje e arritur në vitin 2013, respektivisht në vitin 2015, por kjo është vetëm njëra prej çështjeve të vështira që ka me u negociu sepse janë edhe 7 çështje të tjera që duhet në një vend më të largët me u negociu në mënyrë që me u arrit një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike mes Kosovës dhe Serbisë. Atëherë duhet lidership nga ana e kryeministrit dhe vullnet politikë që me hy në negociata e jo me bo takime sa mu taku”, u shpreh ai.

Haziri bënë thirrje që Qeveria të sillet me përgjegjësi karshi SHBA-së, pasi ai thotë se Kosova nuk ka partnerë më të besueshëm.

“Partnerë më të madh, më të besueshëm, më kredibil se SHBA-ja, Kosova nuk ka, dhe nuk ka me pasë asnjëherë. Kështu duhet me u sjell me seriozitet dhe me përgjegjësi karshi këtij partneriteti sepse marrëdhëniet ftohen atëherë kur nuk mbahen zotimet”, shtoi tutje.

Javën e ardhshme në Prishtinë do të zbarkojë edhe i Dërguari Special i Kryeministrit britanik për Ballkanin, Sir Stuart Peach.

Një nga detyrat e tij janë puna me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe palët tjera me qëllim të mbështetjes së dhe forcimit të stabilitetit rajonal.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar bisedime në nivel të lartë qysh në korrik të vitit të kaluar.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, ka nisur në vitin 2011.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat