Hamiti demanton gazetarin gjerman: Janë të pasakta interpretimet, për gjoja moskundërshtimin e ‘ndarjes së veriut’ nga Rugova

Aktuale

Hamiti demanton gazetarin gjerman: Janë të pasakta interpretimet, për gjoja moskundërshtimin e ‘ndarjes së veriut’ nga Rugova

Nga: Muhamet Hamiti Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 21:09

PJESËT KYÇE TË DEKLARATËS POLITIKE PËR TRI OPSIONET (1991)

Tri opsionet që Ibrahim Rugova po del se i ka diskutuar me diplomatë perëndimorë (nga Gjermania, Britania e Madhe dhe Norvegjia) në dhjetor të vitit 1991, simbas gazetarit të gazetës gjermane “Frankufter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, janë tri opsionet e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, kryetar i të cilit ka qenë ai, shpallur më 11 tetor 1991 në Prishtinë (shih më poshtë).

Mirëpo, leximi i kujdesshëm i kësaj Deklarate politike e bën të qartë se Republika e pavarur dhe sovrane, në kufijtë e atëhershëm dhe aktualë të Kosovës, ka qenë opsioni i parë, i cili është realizuar.

Janë të pasakta interpretimet, pas 30 vjetësh, për gjoja moskundërshtimin e ‘ndarjes së veriut’ të Kosovës prej tij. Presidenti Ibrahim Rugova ka kundërshtuar përherë dhe fuqishëm ndarjen e Kosovës, që ka qenë qëllim i Serbisë, gjatë gjithë kohës kur ka qenë President i Kosovës, i zgjedhur katër herë, dy herë me votë të drejtpërdrejtë, dy herë nga Kuvendi i Kosovës.

***

Duke parë se Jugosllavia u tregua model i pasuksesshëm për zgjidhjen e çështjes kombëtare në Ballkan, deputetët e Kuvendit të Kosovës më 2 Korrik 1990 shpallën Deklaratën për Pavarësi dhe më 7 Shtator 1990 Kosovën e Shpallën Republikë. Kjo ishte zgjidhje logjike e organizimit shtetëror të Kosovës, si njësi politiko-territoriale, në të cilën jetojnë 90% shqiptarë dhe vetëm 10% të tjerë.

Partitë politike shqiptare në Jugosllavi, si zëdhënëse legjitime të vullnetit politik të popullit shqiptar, duke u përcaktuar për rrugën paqësore dhe demokratike të zgjidhjes së të gjitha çështjeve në bazë të së drejtës së popujve për vetëvendosje, sipas parimeve të KESB-së, të Konferencës së Parisit, u përcaktuan për këto variante të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavi:

1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.

2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.

3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.

Partitë politike shqiptare deklarojnë se vullneti politik i popullit shqiptar, i shprehur edhe në Referendumin e organizuar në Kosovë më 26-30 Shtator 1991, me ç’rast Kosova u shpall Republikë sovrane dhe e pavarur, është forcë reale që nuk mund të injorohet nga askush.

Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi

Dr.Ibrahim Rugova, kryetar

1. Lidhja Demokratike e Kosovës

2. Partia e Prosperitetit Demokratik

3. Lidhja Demokratike në Mal të Zi

4. Partia për Veprim Demokratik

5. Partia Fshatare e Kosovës

6. Partia Shqiptare Demokristiane

7. Partia Parlamentare e Kosovës

8. Partia Socialdemokratike e Kosovës

9. Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar

10. Partia Popullore Shqiptare

11. Partia Demokratike Shqiptare

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat