Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve në Hagë ankohet për redaktim të pjesës më të madhe të materialeve nga prokuroria

Aktuale

Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve në Hagë ankohet për redaktim të pjesës më të madhe të materialeve nga prokuroria

Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 16:42
Pamje nga seanca në Hagë

Avokati i Hashim Thaçit në Hagë, Gregory Kehoe, ka thënë se materialet që ia ka dorëzuar nga prokuroria janë të redaktuara pjesa më e madhe e tyre.

Në konferencën e sotme të ecurisë së çështjes, ai shfaqi provat para gjykatësit se ishin fotografi të zeza.

“Dëgjova prokurorinë sot se na janë nxjerrë në dispozicion informacionet neve dhe unë do të doja që t’i tregoja njëra pas tjetrës dhe t’ju shpjegoj situatën. Kjo është nxjerrja e parë që ka të bëjë me rregullën 102-3. Për nxjerrjen tjetër janë vetëm dy faqe. Do të thotë këto dokumente janë të gjitha të zeza. Kur ne bëjmë kërkesa në lidhje me këtë, fatkeqësisht këtë marrim prapa nga prokuroria. Pra, kur prokurorja foli për nxjerrjen e materialeve sot, është kjo që na kanë dhënë. Ende s’janë përgjigjur nga prokuroria. Dokumentacionet që do të jepen e që janë pjesë e aktakuzës”.

Kehoe ka lexuar edhe një pjesë të dokumentacionit në lidhje me të akuzuarin, Kadri Veseli.

“Ata akuzojnë klientin tim Veseli për sjellje të papërshtatshme në lidhje me aktivitetet që kanë ndodhur në qershor të vitit 1998, ndërkohë që pjesa tjetër e informacionit është e gjitha e redaktuar. Si është e mundur?”.

Ai tha se ky është vetëm një prej shembujve të shumtë derisa tha se edhe për dëshmitarët nuk kanë dokumentet e nevojshme.

Në seancën e sotme ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadir Veselit dhe Rexhep Selimit po diskutohet lidhur me nxjerrjen e provave, përkthimet e shkresave, hetimet e prokurorisë e ato të mbrojtjes.

“Sa i takon provave materiale s’kam asgjë në dorë. Kemi këtë hendek të madh për ato dokumente që duhet të kemi në posedim”.

Po ashtu, mbrojtja tha se prokuroria s’po respekton afatin kohor që po vendos gjykata për dërgimin e dokumenteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat