Bukoshi mbrojti krerët e UÇK në Speciale, avokati: Gjykata e obliguar t’i dorëzojë provat shfajësuese

Aktuale

Bukoshi mbrojti krerët e UÇK në Speciale, avokati: Gjykata e obliguar t’i dorëzojë provat shfajësuese

Më: 5 shkurt 2022 Në ora: 20:19
Hashim Thaçi dhe të tjerët

Një deklaratë e ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshit mori vëmendjen në seancën ndaj krerëve të UÇK-së që u mbajt në Dhomat e Specializuara të Hagës. Qëndrimi publik i Bukoshit në mbrojtje të udhëheqësve të UÇK-së nuk iu dha mbrojtjes në kuadër të provave shfajësuese.

Njëjtë avokatët e krerëve të UÇK-së pretenduan se ndodhi edhe me deklaratën e ish-shefit të OSBE-së në Kosovë Den Everts, i cili kishte thënë se krimet e pasluftës nuk janë organizuar nga udhëheqësit shqiptarë.

Avokati i licencuar nga Specialja, Taulant Hodaj, vlerëson se prokuroria është obliguar t'ia dorëzojë provat shfajësuese mbrojtjes, përveç në dy raste specifike.

"Prokuroria e ka një provë ose informacion të cilin e ka marrë në mënyrë konfidenciale dhe e trajton të privilegjuar atë informacion për arsye se dhënësi i informacionit ka bërë marrëveshje me prokurorinë. Në raste të tjera kur prova shfajësuese nuk i shpalosen që të gjitha mbrojtjes janë ato kur cenohet hetimi aktual ose hetim i ardhshëm", tha Hodaj.

Por, a bëjnë pjesë deklaratat e Bukoshit dhe Everts tek rastet kur provat shfajësuese mund të mos i jepen mbrojtjes.

"Në shikim të parë nuk shihet që ato bëhen pjesë në këto kufizime sepse ato janë prova shumë të përgjithshme dhe nuk shihet që ato mund të cenojnë apo rrezikojnë sigurinë e ndonjë dëshmitari", vijoi Hodaj për RTK.

Seanca e radhës në rastin e krerëve të UÇK-së është caktuar të mbahet më 24 mars.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat