​Deputeti Muja kërkon të rishikohet pa eufori vendimi për benefitet e deputetëve

Aktuale

​Deputeti Muja kërkon të rishikohet pa eufori vendimi për benefitet e deputetëve

Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 12:44
Foto nga vendi i ngjarjes

Pas debatit publik për përfitimet enorme për karburante nga disa deputetë, kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, sot ka kërkuar nga të gjitha partitë parlamentare dhe shoqëria civile që të bëhen pjesë e diskutimit në momentin e fillimit të punës për vendimin e ri për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetit për funksion udhëheqës dhe kompensimin e shpenzimeve mujore.

Kjo kërkesë për rishikimin e këtij vendimi është proceduar dje pasdite nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje tek kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca që të autorizohet Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere për të rishikuar vendimin për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetit.

Muja në mbledhjen e sotme të Komisionit tha se pa eufori duhet të rishikohet vendimi për përfitimet e deputetëve, derisa paralajmëroi se do të bëhet një analizë krahasuese nga administrata e Kuvendit se si është e rregulluar në vendet e rajonit dhe BE-së skema e përfitimit të një deputeti.

Muja: Pa eufori të rishikohet vendimi për përfitimet e deputetëve

“Kemi propozim në kuadër të gjithë këtij debati, ku na kërkohet të reflektojmë. Këtij komisioni do t’i drejtohet Kuvendi (kryetari i Kuvendit) për të shqyrtuar lartësinë dhe skemat e benefiteve të deputetëve. Është mirë që të informoheni edhe ju, kështu që të gjitha grupet parlamentare duhet të përgatiten për me dhënë kontributin e tyre sikurse organizatat e shoqërisë civile. Jo me eufori, por sipas ligjit për me e pa në realitet se a ka bazë të shkohet tutje me rishikimin e këtij vendimi ose skemave. Po ashtu, të kemi edhe një analizë krahasuese nga administrata e Kuvendit se ku vërtet qëndron ky post (deputeti) në vendet e tjera të rajonit dhe në vendet e Bashkimit Evropian”, theksoi ai.

Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, nuk ka kaluar raporti i shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës(RTK) për periudhën tetor-dhjetor 2021, pasi që shumica e anëtarëve kanë votuar kundër.

Për këtë raport të shpenzimeve të RTK-së që nuk pati sot diskutime, të gjithë anëtarët e komisionit nga VV-ja votuan kundër.

Për raportin e shpenzimeve të transmetuesit publik për periudhën tetor-dhjetor 2021, në mbledhjen paraprake të Komisionit gjatë shqyrtimit ka pasur vërejtje dhe kritika nga anëtarët e Komisionit nga radhët e partisë në pushtet dhe nga Bordi i ri i RTK-së.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat