Dy vjet hetime – u kërkua edhe përfshirja e AKI-së, për kapjen e Qerimit

Aktuale

Dy vjet hetime – u kërkua edhe përfshirja e AKI-së, për kapjen e Qerimit

Më: 11 shkurt 2022 Në ora: 21:08
Mexhait Qerimi

Mbi dy vjet hetime. Shumë trafik droge. Shumë institucione të përfshira. Një hetim kompleks ku u përdor edhe teknologjia e fundit. U deshtë edhe përfshirja e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Media sjell detaje ekskluzive nga rasti i trafikut të drogës që për personazh kryesor ka Mexhait Qerimin.

Mexhait Qerimi është nga Berdosana e Dragashit, një nga dilerët që trafikon sasi të mëdha kanabisit.

Burimet tregojnë se i njëjti ka lodhje me shtetas nga Turqia, Serbia dhe Shqipëria.

Media merr vesh se Qerimi i ka shfrytëzuar disa adresa për magazinimin dhe paketimin e narkotikëve, si në lagjen Tusus të Prizrenit dhe në fshatin Shedime të Podujevës.

I njëjti sipas burimeve të Gazetës Insajderi për aktivitetin e tij ilegal është hetuar që dy vjet nga Policia, por pasi rasti filloi të paraqes rrezik për shtetin – në të është përfshirë edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës.

Aksioni i Policisë së Kosovës i koduar me emrin “Kamera”, ka ndodhur pas monitorimit me dron dhe përgjimit me mjete tjera teknik.

Kështu Policia ka goditur dje grupin kriminal të drogës, duke konfiskuar 91 kg drogë të llojit marihuana në fshatin Konushefcë, të Podujevës.

Sasi e drogës kjo që kap vlerën e 200 mijë eurove.

Policia nuk ka arritur ta kap Qerimin, por ka arrestuar Fehmi Mustafën, pronarin e kompanisë turistike Deda Tours, narkodilerin e dyshuar, në transportimin e drogës.

Dyshohet se Mustafa, 55 vjeçar, e ka ndihmuar Qerimin, duke e përdorur shtëpinë e tij si depo për narkotikë, dhe duke i ndihmuar që ta transportonin atë jashtë Kosovës.

Ndryshe, Mexhait Qerimi në veturë e tij Audi A8 kishte ngarkuar drogën dhe ishte nisur për në fshatin Konushefc, ku më pas këtë sasi të drogës do ta vendoste në autobusin e linjës Kosovë-Austri, ky autobusë ishte pronë e të dyshuarit F.M.

Më pas, Qerimi kishte marrë përsëri çantat me drogë dhe i kishte vendosur në veturën e tij dhe ishte nisur për në Podujevë. I dyshuari F.M me automjetin e tij të tipit Golf IV me targa të Austrisë, ia kishte siguruar rrugën Qerimit.

Sipas Prokurorisë, në momentin kur Qerimi kishte vërejtur zyrtarët policor fillimisht kishte përdoruar forcë duke e goditur me automjetin e tij veturën zyrtare të policisë dhe pastaj e kishte goditur zyrtarin policor.

Por, Qerimi nuk ishte ndalur me kaq ai kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policor dhe i njëjti kishte arritur të arratiset.

Policia ka konfiskuar veturën e Qerimit të tipit Audi me targa të Gjermanisë dhe një veturë Glof 4 me targa të Austrisë, dy vetura tjera dhe para me vlerë mbi 650 euro.

Prokuroria Themelore në Prizren, njoftoi se lidhur me këtë rast me datë 10.02.2022 ka marrë aktivendim për zgjerim të hetimeve për të dyshuarin M.Q., në drejtim të veprave penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356,  “Sulm ndaj personit zyrtar” nga neni 402 dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së

Nga ky, aksion në kërkim janë edhe tre të dyshuar të tjerë të cilët tashmë janë identifikuar nga policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat