Rasti i Bashkim Osmanit/ Policia hyri në një hotel dhe konfiskoi 56.000 euro

Aktuale

Rasti i Bashkim Osmanit/ Policia hyri në një hotel dhe konfiskoi 56.000 euro

Më: 22 shkurt 2022 Në ora: 15:37
Bashkim Osmani

Bashkim Osmani, shqiptari me pasaportë të Kroacisë, ka rënë në një aksion të Europolit.

Është duke pritur në Pulë për t’u ekstraduar në Spanjë. Bashkim Osmani, 56 vjeç, një shqiptar me pasaportë kroate, u arrestua në një operacion të Europolit në të cilin u shkatërrua një rrjet kontrabande të kokainës.

Ai është në pritje të ekstradimit në Spanjë në një qeli në burgun e Pulës, ku është i bindur se do të sqarojë konfuzionin rreth arrestimit të tij.

Të martën në mëngjes, rreth orës 07:00, Osmani u bastis në një hotel në Poreç nga policët kroatë, të cilëve iu bashkuan edhe dy kolegë spanjollë. Filluan kërkimet, të cilat sipas avokatit nga Pula Matija Millosh, njëri nga dy mbrojtësit e Osmanit, kanë zgjatur deri në orën 18.30.

E përditshmja spanjolle Diario de Mallorca, duke cituar burimet policore, pretendon se policia ka sekuestruar 56 mijë euro, disa kompjuterë dhe celularë dhe dy pistoleta në një hotel në Poreç.

Në një kontroll në vilën e tij në Spanjë, pretendon gazeta, hetuesve iu desh shumë kohë për të hapur kasafortën. Në të kanë gjetur shuma të parëndësishme parash, bizhuteri dhe dokumente. Mirëpo, në banjë kanë gjetur tufa prej disa mijëra eurosh të fshehura në një pako me peceta higjienike, shkruan gazeta kroate “Jutarnji List”.

Sipas mediave spanjolle, në kërkim kanë marrë pjesë edhe agjentë të FBI-së.

Me këtë operacion është shkatërruar një nga rrjetet më të fuqishme të kontrabandës së kokainës të organizuar nga mafia shqiptare. Shtatë vende morën pjesë në operacion, ku shumica e operacioneve u zhvilluan në Belgjikë dhe Spanjë.

Janë kryer kontrolle në rreth 80 lokacione dhe janë arrestuar 45 të dyshuar. Një sërë aksionesh paralele u zhvilluan në Kroaci, Gjermani, Itali dhe Holandë.

Ndaj Osmanit ka mbërritur një urdhër-arrest evropian për shkak të dyshimit për pastrimin e 30 milionë eurove të fituara nga kontrabanda e kokainës.

Hetuesit dyshojnë se pas rrjetit të kontrabandës qëndron klani Osmani.

Të dyshuarit dyshohet se importonin kokainë nga Amerika Latine në porte të ndryshme evropiane dhe transportonin drogën me aeroplanë, anije, vetura dhe kamionë.

Paratë u pastruan përmes një sërë kompanish në vende të ndryshme, duke përfshirë Kroacinë dhe Spanjën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat